Opinione / Jetesë & Stil

Masturbimi infantil; mes eksplorimit dhe turpit


Lorela Garuli E specializuar në Universitetin e Valencias në Spanjë, për fëmijët me nevoja të ndryshme dhe mbështetje edukative, Lorela Garuli ka një përvojë të gjatë si terapiste zhvillimi dhe angazhimi në projekte të ndryshme me në fokus punën me fëmijët, adoleshentët e familjet.

Eksplorimi i organeve të veta gjenitale gjatë fëmijërisë së hershme, është një situatë jo e rrallë apo e pazakontë, por vështirësia që kanë prindërit për t’u përballur dhe për të mbajtur një qëndrim të duhur në këto episode, është e madhe.

Fillimisht, duhet “hedhur dritë” mbi arsyet se përse një fëmijë luan, eksploron apo preket në zonat e veta intime. Pikërisht këtu, është zanafilla. Duhet kuptuar që qëllimi në rastin e fëmijëve është eksplorimi dhe veprime të tilla kanë në themel kureshtjen dhe spontanitetin. Pra sigurisht nuk është një masturbim në sensin seksual apo të mirëfilltë të fjalës, si në rastin e të rriturve.

Fëmijët, gjatë procesit të njohjes së trupit të tyre, kanë nevojë të njohin, zbulojnë, kuptojnë, eksplorojnë trupin e tyre. Nën këtë optikë, është pjesë normale evolutive, që shoqëron zhvillimin e tyre.

Problem mund të jetë kur masturbimi bëhet kompulsiv, në vende të papërshtatshme, kur mund të jetë rrjedhojë e ekspozimit të fëmijëve ndaj materialeve me përmbajtje pornografike apo si kërkesë e një të rrituri; raste ku logjikisht kemi të bëjmë me abuzime (në këtë shkrim qëllimi është të shpjegohet masturbimi si pjesë e shëndetshme e zhvillimit, rastet shqetësuese do të trajtohen një herë tjetër në vijim).

Keqkuptimet nisin kur të rriturit reagojnë në mënyra impulsive, të papërshtatshme që nxisin kritikën, qortimin, FAJIN DHE TURPIN.

Qëndrimi i duhur që duhet mbajtur kur prindi vë re episode masturbimi tek fëmija duhet të jetë mirëkuptues, i qetë, dashamirës, e mbi të gjitha ftues në komunikim. Çdo rast i tillë me fëmijën, është një mundësi shumë e mirë dhe një dritare komunikimi, nga e cila merr zanafillë hapësira për të folur mbi një temë me rëndësi themelore; zhvillimi seksual i fëmijës.

Fëmijës i duhet shpjeguar rruga që ndjek zhvillimi i tij, organet gjenitale, emri i saktë i tyre, diferencat gjinore. Duke vijuar me faktin që nuk po bën asgjë të keqe apo të pisët, por që eksplorimi i trupit është diçka normale, ama kjo është shumë intime dhe se nuk duhet të ndodhë në prani të personave të tjerë apo në vende publike.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme të shpjegohet se njohja e trupit është njerëzore, e kurrsesi të mos akuzohet për këtë veprim apo të fajësohet; është shumë negativ dhe i rrezikshëm edukimi i fajit, sepse jo vetëm do ta turpërojë fëmijën, por ai do të kërkojë burime të tjera informacioni në vijim për këtë temë, do të brendësojë idenë se seksi dhe të folurit për të është i gabuar, se është një bisedë që nuk bëhet dot në familje, rrjedhimisht do të ketë frustrim, mungesë besimi për të folur me prindërit e me radhë.

Duhet kultivuar përgjatë rritjes ideja që nga fëmijëria e deri në adoleshencë se zhvillimi fizik, seksual, psikologjik janë bashkë, nuk janë të ndarë, të kundërt, disproporcionalë, por që një individ i shëndetshëm është ai i cili ka në harmoni mendjen-trupin/emocionet-sjelljen.


Lajmet kryesore