Opinione / Sport

Makineria fituese që tremb edhe Real Madrid-in


Alberto Rubio

Kur shorti i Ligës së Kampionëve vuri përballë Real Madrid-in me Atalanta-n, pala italiane ishte në momentin më të vështirë të viteve të fundit, sidomos në aspektin emocional.

Pasiguria pushtoi La Dean-n, ndërsa tekniku Gian Piero Gasperini duket se kishte mosmarrëveshje me kapitenin Papu Gomez-in dhe Josip Iliçiç-in. Ata kishin rënë nga vendi i dytë në të nëntin dhe kishin fituar vetëm një herë nga gjashtë të mundshmet.

Gomez-i ishte “i ngrirë” (në stol) dhe prej asaj kohe u shit te Sevilla, por Atalanta ka marshuar përpara. Pa numrin 10 në fushë, kanë fituar gjashtë herë dhe kanë barazuar katër herë, duke mbetur të pamposhtur. Ata kanë më shumë pikë (22) se kushdo ekip tjetër, kanë shënuar më shumë gola (26) sesa pjesa tjetër e Serisë A dhe kanë pësuar më pak (shtatë) sesa pjesa tjetër e skuadrave të kampionatit.

Sezoni i tyre më i mirë ndonjëherë

Fitorja 3-0 e Atalanta-s ndaj kryesuesëve të kampionatit, Milan-it, e mbylli raundin e parë të ndeshjeve në Serinë A. Pas fitoreve kundër Roma-s (4-1), Sassuolo-s (5-1), Parma-s (3-0) dhe të tjerëve gjatë muajve të fundit, klubi nga Bergamo përfundoj në gjysmën e parë të sezonit me më shumë pikë se kurrë më parë, në këtë fazë të sezonit.

Për më tepër, ata arritën në gjysëm finalen e Kupës së Italisë, pavarësisht se në pjesën më të madhe të pjesës së dytë, përballë Lazio-s luajtën me 10 lojtarë.

Vazhdimi pa Papu-n

Largimi i kapitenit të tyre ishte një humbje e madhe. Argjentinasi kishte ndihmuar më shumë se kushdo tjetër në Serinë A ,në sezonet e fundit dhe kishte përfunduar më shumë triblime se kushdo tjetër në Serinë A, që nga viti 2015.

Ai ishte një krijues loje që bënte diferencën, por këmbëngulja e Gasperini-t se ai nuk përshtatej me ndryshimet që duheshin bërë, bëri që ai të lëvizte para kohe.

Shërimi i Iliçiç-it

Slloveni dukej se do të ndiqte të njëjtën rrugë si Gomez-i, duke patur një mosmarrëveshje më herët, por marrëdhënia e tij me trajnerin u rregullua. Pasi kishte përfunduar sezonin 2019/20, më herët për shkak të gjendjes së depresionit, Iliçiç-i mungoj në humbjen e Atalanta-s me PSG-në, në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, të sezonit të shkuar.

Tani ai është rikthyer përsëri në më të mirën e tij. Ai shënoi një gol dhe asistoi dy herë kundër Roma-s dhe askush nuk ka më shumë asistime (pesë) se ai që nga 20 dhjetori.

Mund të jetë skuadra me rezultatin më të lartë të golave të shënuar

Skuadra e Gasperini-t është një makineri shënuese. Ata kanë përfunduar dy sezonet e fundit në Serinë A si golashënuesit më të mirë në kampionat, me 98 gola në sezonin e kaluar dhe 77 gola në sezonin 2018/19. Këtë vit vetëm Inter-i ka shënuar më shumë, 45 gola, 44 ka Atalanta, por janë përsëri në rritje.

Beteja për të qenë numri “9”

Luis Muriel-i ka tendenc të fillojë ndeshjet nga stoli, por ai ka më shumë gola në 854 minuta, sesa bashkëatdhetari Duvan Zapata, në 1644 minuta, duke shënuar 14 me 11 të Zapata-s. Të dy lojtarë shumë të ndryshëm dhe ata rrallë marrin më shumë një orë në fushë, pasi Gasperini i zëvendëson për t’i mbajtur të uritur për gol.

Golat nga krahët

Robin Gosens-i dhe Hans Hateboer-i janë vendimtar në mbrojtjen e krahut. Nuk është e pazakontë të shohësh Gosens-in të shënojë nga një asistim i Hateboer-it dhe e anasjellta.

3-4-2-1 ose 3-4-1-2 i Gasperini-t, me Marten de Roon-in dhe Remo Freuler-in në mesfushë, i lejon ata që të sulmojnë lirshëm.

Gosens-i ka gjashtë gola dhe gjashtë asistime, ndërsa Hateboer-i ka nga dy për secilën.

Një ekip më i ekuilibruar

Matteo Pessina ka zëvendësuar Gomez-in në mesfushë, megjithatë i mungon klasi i teknikës së ish-kapitenit, ai ofron më shumë ekuilibër në krah dhe në mbështetje të De Roon-it dhe Freuler-it.

Pierluigi Gollini është përmirësuar në pësimin e golave dhe ardhja e Cristian Romero-s ka forcuar mbrojtjen e tyre.

Minuta larg humbjes ndaj PSG-së

Ky është një ekip që di të fitojë ndeshje të mëdha. Valencia tashmë ka rënë në Bergamo. Ata kanë mundur Lazio-n, Milan-in dhe Roma-n këtë sezon. Kanë fituar kundër Inter-it vitet e fundit dhe madje eleminuan Juventus-in nga Kupa e Italisë në vitin 2019. Ata kanë mposhtur Liverpool-in në Anfield dhe Ajax-in në Amsterdam, në Ligën e Kampionëve të këtij sezoni.

Atalanta është e paparashikueshme në sulm dhe Real Madrid-i ka të gjitha arsyet për të qenë i frikësuar.


Lajmet kryesore