Opinione / Kolumnistët

Mafia pas arrestimit të Messina Denaro-s, do ketë një Kupolë të re?


Më 16 janar kapet një nga njerëzit më të kërkuar në Itali, në arrati prej 30 vitesh, ndaj të cilit ka dënime me 20 burgime të përjetshme për 40 vrasje dhe pjesëmarrje në 5 masakra.

Një nga eksponentët më të dhunshëm të organizatës kriminale Cosa Nostra, mafies siciliane.

Matteo Messina Denaro është eksponenti i fundit i krahut korleonez në Trapani të Cosa Nostra-s, pra i atij grupi kriminal që në vitin 1979, duke shkaktuar rreth 1 mijë vrasje mes mafiozëve, anëtarëve të institucioneve të shtetit, gazetarëve, mori pushtetin dhe kontrollin e Cosa Nostra-s të paktën deri në dekadën e fundit.

Ai, fëmijë i një familjeje mafioze, ishte protagonist i periudhës së masakrave, së bashku me Bernardo Provenzano-n, Leoluca Bagarella-n, vëllezërit Graviano, Giovanni Brusca-n dhe mafiozë të tjerë shumë të njohur në nivel ndërkombëtar.

Messina Denaro mori pjesë aktive në atentatet e vitit 1992 në Palermo, në masakrën e Capaci-t, ku u vra magjistrati Giovanni Falcone me gruan dhe rojet e tij, në atë të Via d’Amelio ku u vra magjistrati Paolo Borsellino-n dhe rojet e tij dhe më pas në sulmet e vitit 1993 në Romë, Firence dhe Milano.

Po çfarë e bën një organizatë kriminale të jetë një mafie? Sido që t’i vihet emri, ajo ka aftësi për të depërtuar në shoqërinë civile brenda së cilës vepron.

Si një parazit ajo organizatë kriminale, mafia gërryen, ndot dhe varfëron tokat ku shtohet, duke grabitur lirinë, burimet sociale, ekonomike dhe natyrore dhe në fund edhe shpresën.

Për nga natyra e saj, ajo e bën duke ndërtuar një rrjet bashkëjetese dhe bashkëpunimi me sektorë të popullsisë, me profesionistë, biznesmenë, madje edhe anëtarë të institucioneve të shtetit, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar.

Dhe këtë e arrin me kërcënime, dhunë dhe mbi të gjitha me para, duke paguar zyrtarët e shtetit dhe duke ri-investuar fitimet e mëdha të veprimtarisë së saj kriminale në ekonominë e ligjshme.

Në thelb ka forcën për të frikësuar tejet ambientin e shoqërisë që e rrethon duke bashkëjetuar me shtetin me të cilin kërkon të ndër-veprojë dhe ta kushtëzojë.

Është pikërisht ajo që ka bërë dhe Matteo Messina Denaro.

Ai ishte emblema e mafies, pra krimineli që diti të ndërtojë rreth vetes një rrjet të një niveli të lartë mbrojtjeje dhe bashkëpunimi.

Njeri i luparës (arma tipike me të cilën mafiozët në Sicili kryenin vrasjet), por edhe i biznesit. Të ardhurat nga aktivitetet mafioze dhe gjobëvënia i investoi në agjenci turistike, supermarkete dhe kompani të energjisë eolike.

Deri tani, në pak vite, i janë sekuestruar 5 miliardë euro. Thuhet që pasuria e tij shkon nga 4 në 6 milionë euro.

Ndrangheta (mafia kalabreze) e cila në këtë moment është shumë më e fuqishme sesa Cosa Nostra, për shembull, vlerësohet të ketë një xhiro prej rreth 70 miliardë euro në vit: dyfishi i buxhetit vjetor të shtetit italian.

Të paktën shtatëdhjetë për qind e kësaj pasurie ri-investohet në ekonominë e ligjshme. Dhe kështu është fare lehtë të kuptosh se çfarë ndikimi mund të kenë mafiet në ekonominë jo vetëm të Kalabrisë dhe Siçilisë, por të gjithë Italisë.

Komandanti i ROS (departamenti i inteligjencës i Karabinierëve) që merret me Cosa Nostra-n prej vitesh, deklaroi se në këto dekada të fshehjes së njërit prej njerëzve më të rëndësishëm të Korleonezëve janë arrestuar qindra mbështetës të tij.

Një rrjet i dendur dhe i gjerë bashkëpunëtorësh që hetuesit e quajnë “borgjezi mafioze”: një përzierje profesionistësh (mjekë, avokatë, biznesmenë, politikanë dhe zyrtarë shtetërorë, masonë, etj.), e cila ndau një pjesë të pasurisë së tij dhe i garantoi tridhjetë vjet arrati, kohë më e gjatë sesa vetë periudha e fashizmit në Itali.

Tani hetuesit po hetojnë për të rindërtuar këtë rrjet mbrojtjeje dhe bashkëpunimi që pengoi arrestimin e fajtorit të përfshirë në katërqind krime vrasjeje dhe pesë masakra të mëdha.

Një njeri që di sekretet e fazës më të përgjakshme të veprimtarisë mafioze në Itali dhe gjithashtu të kontakteve që ka pasur mes Cosa Nostra-s, grupeve neofashiste dhe subversive, shërbimeve sekrete dhe politikanëve në nivel rajonal dhe kombëtar.

Nuk dihet nëse U’ Sicco (thataniku – pseudonimi i Messina Denaro-s ) do të dëshirojë t’i zbulojë ato sekrete para gjykatësve, apo nëse ai do t’i marrë ato me vete në varr.

Cosa Nostra nuk është më e njëjta që u zbulua dhe u dënua në gjyqin masiv të vitit 1987 të ngritur nga gjyqtarët Falcone dhe Borsellino.

Që atëherë, Komisioni i dikurshëm, struktura drejtuese e organizatës, nuk ekziston më.
Totò Riina me njerëzit e tij, përfshirë Matteo Messina Denaro, e shpërbënë duke krijuar strukturën diktatoriale të udhëhequr nga Salvatore Riina.

A do të rindërtohet sërish në bazë zgjedhje Kupola, ai komision pra që bashkonte përfaqësuesit e familjeve dhe mandamentet kryesore (bashkimi i tre familjeve brenda një rrethi o familjar o lagjeje), apo do të vazhdojë diktatura e llojit të Riina-s?

Apo familjet e ndryshme do të veprojnë ende vetë, duke u koordinuar për menaxhimin e punëve më të mëdha?

Kjo nuk dihet. Por ekspertët nuk parashikojnë një luftë mes klanesh. Pas një shekulli e gjysëm Cosa Nostra është dobësuar dhe goditur, nuk ka më forcën e dikurshme, por është aty, një mafie në kërkim të një regjizori dhe një modeli të ri organizativ në menaxhimin e kapitalit gjigandesk në duart e tyre.

Sot Cosa Nostra është zhdukur nga sytë, por është e nëndheshme. Ka ikur koha kur bosët dhe bashkëpunëtorët vepronin në dritën e diellit dhe të gjithë autoritetet thoshin “Mafia nuk ekziston”, “Mafia është shpikje e gazetarëve”.

Pikërisht atëherë kur thuhet “Mafia nuk ekziston”, ajo jo vetëm që është, por është shumë e fuqishme dhe shumë afër pushtetit, e aftë për ta kushtëzuar këtë të fundit.

Nëse sot në Sicili apo në Itali askush nuk e vë më në dyshim ekzistencën e mafies, nëse sot duartrokiten karabinierët që arrestojnë Messina Denaro-n, kjo ndodh sepse shteti më në fund ka vendosur ta luftojë atë.

Sicilia është e vërtetë që lindi dhe ushqeu mafien, por lindi dhe anti-mafien, ligjet e rrepta, burgimin e përjetshëm pengues për ata që ishin të lyer me krime mafioze dhe terrorizëm.

Sot në Itali lufta kundër mafies mësohet në shkolla.

Për të arritur këtë rezultat çmimi ka qenë i lartë, paguar me jetën e qindra policëve, magjistratëve, gazetarëve, biznesmenëve dhe qytetarëve të thjeshtë.

Kapja e Matteo Messina Denaro-s i dha fund një epoke, por mafia ndoshta tashmë e sheh të ardhmen e saj përtej emrave që njohim sot.
Është një mafie që nuk ka më kupolë, nuk ka më një plan afatgjatë dhe të paktën tani për tani nuk ka një “projekt politik”.

Por nuk është zhdukur, është e shtrirë në territorin e Sicilisë, në rajone e vende të tjera në kërkim aleancash dhe mundësish të reja.
Mafia ekziston, vepron dhe është aty.


Lajmet kryesore