Logjika e pushtetit: Ta mbrojmë ambasadorin, duke mos folur për të

Qeveria e Kosovës, jo zyrtarisht, ka filluar ta strukturojë një rrjetë mbrojtjeje për veten dhe ambasadorin Martin Berishaj (edhe pse më shumë për veten se për ambasadorin), jo duke folur konkretisht ...
Lirim Mehmetaj
Loading Icons...
test12

Logjika e pushtetit: Ta mbrojmë ambasadorin, duke mos folur për të

Lirim Mehmetaj
Loading Icons...

Qeveria e Kosovës, jo zyrtarisht, ka filluar ta strukturojë një rrjetë mbrojtjeje për veten dhe ambasadorin Martin Berishaj (edhe pse më shumë për veten se për ambasadorin), jo duke folur konkretisht për të, por duke folur për situatën politike në Slloveni.

Ideja, pak a shumë, është kjo: Nëse e dëshmojmë se ajo media që e ka zbuluar skandalin në Slloveni, pra TV Planet, është e influencuar nga oligarkë hungarezë dhe është e afërt me Janez Janshan, atëherë dëshmojmë që i gjithë skandali ka qenë një montim mediatik për qërim hesapesh në politikën e brendshme sllovene dhe kështu e shpëtojmë edhe ambasadorin, edhe veten.

Problemi është se, edhe nëse ishte një fabrikim për fushatë politike nga një media e afërt me pushtetin atje, për fatin e keq të ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, fabrikimi ishte i ndërtuar mbi disa të vërteta – ose të paktën disa të dhëna që s’janë përgënjeshtruar akoma.

Siç i tregoi Albanian Post-it gazetari opozitar slloven, Primoz Cirman, për fabrikim dyshohet ajo pjesa e fundit – ajo ku thuhej se ambasadori i Kosovës ia kishte dorëzuar në kesh lekët/eurot liderit opozitar Robert Golob.

Por, akoma, askush nuk e ka përgënjeshtruar se në Mal të Zi ekziston një kompani me emrin MB Consulting dhe me pronar Martin Berishajn. Nuk është përgënjeshtruar as se kjo kompani ka përfituar 600 mijë euro nga kompania sllovene energjetike GEN-I, dega në Beograd.

Nuk është përgënjeshtruar as se ky Martin Berishaj e ka themeluar këtë kompani vetëm pak ditë para se të niste pranimi i parave dhe gjithashtu nuk është përgënjeshtruar ende se Marin Berishaj paguhej si konsulenti i GEN-I në Beograd për territorin e Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk është përgënjeshtruar as që Martin Berishaj i ka tërhequr paratë.

Luftë politike në Slloveni mund të ketë. Gjithashtu s’ka dyshim që media të caktuara janë ose me njërin ose tjetrin kandidat, por në Kosovë askujt s’i intereson kjo – ose u intereson shumë më pak se sa të dihet e vërteta për ambasadorin Martin Berishaj.

Pra, qeveria dhe partia në pushtet, në vend që të bëjë dekonstruktime për lidhjet e mediave atje, duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve të tjera, sepse çka është duke ndodhur në Slloveni dhe cilat mediat përkrahin kë, është shqetësim i sllovenëve dhe jo i kosovarëve.

Arsyeja përse lajmi për skandal financiar potencial është bërë i rëndësishëm në Kosovë është një dhe e thjeshtë: përfshirja e ambasadorit.

Prandaj, një mori pyetjesh që lindin në Kosovë janë: A ka ambasadori i Kosovës kompani në Mal të Zi me emrin MB Consulting? A e ka deklaruar atë kompani si zyrtar publik? A është pronar edhe i dy kompanive të tjera në Kosovë, njëra nga të cilat në bashkëpronësi me një person famëkeq në Slloveni? A i ka pranuar nga dega e GEN-I në Serbi 600 mijë euro dhe a i ka tërhequr ato para? A është e vërtetë që kompania e tij nuk e ka asnjë punëtor dhe, në anën tjetër, gjeneron të hyra të tilla? A është e vërtetë që ai si profesor i shkencave politike është konsulent i GEN-I-t (kompani e energjisë elektrike), dega në Beograd, për shitjen e energjisë elektrike në territorin e Kosovës dhe Shqipërisë? A e kanë ditur institucionet e Kosovës këtë funksion të ambasadorit? A e kanë ditur se ai ka këtë kompani, kur e kanë emëruar ambasador? Ku është ambasadori, përse nuk po del të sqarohet rreth kompanisë dhe rreth pagesave? Përse në sqarimin e tij në Facebook ai nuk përgënjeshtroi se është pronar i kompanisë dhe as nuk e përgënjeshtroi informacionin se ka marrë 600 mijë euro?

Këto janë pyetjet që kanë njerëzit për situatën, jo diferencimet partiake e ideologjike të ambientit mediaktik në Slloveni.

Këto janë pyetjet, të cilave duhet t’u japë përgjigje qeveria dhe jo shpalosja e interesave mediatike në Slloveni. Le ta bëjë edhe atë, por le ta bëjë pastaj.

Nga ana tjetër, gazetarët duhet të fokusohen të gjejnë përgjigje për këto pyetje dhe qeveritarët, nëse veç duan të flasin për këtë rast, duhet të flasin vetëm duke iu përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me ambasadorin.

  • Çkado tjetër, s’ka lidhje me dëshirën e sinqertë për ta zbardhur të vërtetën. Është tendencë për manipulim.