Opinione / Kolumnistët

Lëvizja e dragoit Atlantik


Stefano Marcelli Gazetar i medias italiane RAI

Së fundmi pra, Mario Draghi mbetet në krye të qeverisë italiane. Por do ta bëjë këtë vetëm nëse palët do e lejojnë atë të bëjë ç’ka sheh të nevojshme për të zbatuar reformat e kërkuara nga Brukseli në këmbim të dhjetëra miliarda eurove të dhëna për të kapërcyer krizën ekonomike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Si gjithmonë, kryeministri italian foli qartë në dhomën e Senatit, me atë sinqeritetin edhe pak të ashpër që është tipik për kë është i mësuar të identifikojë problemet dhe të propozojë zgjidhje pa pasur nevojën të ëmbëlsojë ilaçin me sheqerin e retorikës dhe demagogjisë, përbërësit më të përdorur nga politikanët.

Draghi-t nuk i duhen vota për të fituar, nuk ka klientë për të kënaqur: ai është një teknik, një bankier (siç e quajnë politikanët dhe gazetarët që nuk kanë simpati për të) i mësuar të bazohet në fakte; më shpesh te numrat.

Dhe në fakt ai renditi sukseset e arritura nga qeveria e tij: rritja e PBB-së me 6%, mbështetje për familjet dhe bizneset ndaj rritjes së faturave të benzinës dhe gazit, uljen me 60% të varësisë nga gazi rus, roli drejtues i Italisë në politikat evropiane, fillimin e pesëdhjetë reformave të kërkuara nga Brukseli për dhënien e financimeve.

E gjithë kjo, tha Draghi, u bë e mundur falë frymës unitare që karakterizonte mazhorancën, duke garantuar shpejtësinë dhe vendosmërinë e veprimeve të qeverisë.

Një pakt solidariteti që është shkërmoqur pas zgjedhjeve të fundit administrative, që panë kolapsin (nga 30 në 12 për qind) të Lëvizjes “Pesë Yjet” dhe “Lega-“, një rimëkëmbje të lehtë të partisë “Forza Italia” dhe avancimin e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli d’Italia” ( e vetmja e mbetur në opozitë) që sot do të ishte partia e parë në Itali, e ndjekur menjëherë nga Partia Demokratike (e majta reformiste).

Që nga ai moment, Lega dhe 5 Yjet filluan të lëvizin, duke kundërshtuar masat e propozuara në këshillin e ministrave dhe duke mbështetur edhe protesta të dhunshme në rrugë (të taksistëve, pronarëve të çadrave nëpër plazhe, protesta në lidhje me reformën e kadastrës, me impiantet e reja të inceneratorë, gazifikuesit, apo në lidhje me furnizimin me armë të ‘Ukrainës, etj.).

Përballë këtyre fibrilacioneve, ministri i Jashtëm Di Maio braktisi lëvizjen 5 Yje, duke marrë me vete 60 parlamentarë me të cilët themeloi një parti të re (Së bashku për të Ardhmen).

Draghi kështu hapi ai vetë krizën një javë më parë, kur lideri i 5 Yjeve, Conte,  njoftoi se grupi i tij nuk do të votonte në lidhje me një masë që përmbante ndihmë për familjet ndaj rritjes së faturave të energjisë. Qeveria në fakt i kishte votat e nevojshme për të miratuar dekretin edhe pa votat e 5 Yjeve dhe Conte ndoshta synonte të bënte vetëm një teatër të vogël për t’i dhënë shikueshmëri partisë së tij dhe për të ngritur peshën për të ndikuar në qeveri.

Por Draghi nuk priti as fundin e votimit dhe shkoi te Presidenti i Republikës, Mattarella, të cilit i dorëzoi dorëheqjen, të cilën Mattarella e refuzoi, duke e shtyrë kryeministrin në debatin parlamentar.

Në këtë mënyrë Draghi vendosi Conten me kurriz pas murit, duke e detyruar në fakt të largohet nga qeveria. Sot flitet për dhjetëra parlamentarë të tjerë të 5 Yjeve, të gatshëm të largohen nga grupi për të mbështetur qeverinë.

Ndërkohë, thirrje të përzemërta për ish-presidentin e BQE-së për të qëndruar në krye të qeverisë kanë ardhur nga e gjithë bota (Washington, Bruksel … “Financial Time”). Nga Italia pati një votim të vërtetë në favor të kryeministrit: sipërmarrës dhe sindikata, 2 mijë kryetarë bashkie, profesorë universiteti, eksponentë të botës së shëndetësisë dhe gati 70% e qytetarëve i kërkuan Draghi-t të qëndronte në vendin e tij.

“Nuk mund të mos i dëgjoj këto apele, prandaj jam këtu sot”, tha Draghi në Senat.

Një shënim anësor në lidhje me diskutimin… Gjatë fjalës së tij, Draghi ripohoi fuqishëm pozicionin evropian dhe atlantik të Italisë: përkrah BE-së dhe NATO-s në mbështetje të Ukrainës.

“Italia është një vend i lirë. Përballë atyre që duan të përpiqen të na joshin me modele autoritare, ne duhet t’i përgjigjemi me besnikërinë tonë ndaj vlerave evropiane”.

Dhe është e pamundur të mos kujtohet se partia “Lega” e Salvini-t ka një pakt të përbashkët me partinë e Vladimir Putinit, ndërkohë që inteligjenca italiane po heton marrëdhëniet mes Giuseppe Conte-s dhe Federatës Ruse gjatë periudhës kur ai ishte kryeministër, përpara Draghi-t.

A qëndron edhe ndërhyrja e Kremlinit pas krizës italiane? Numri dy i Putinit, Dimitrj Medvedev përshëndeti dorëheqjen e kryeministrit britanik, Boris Jonson dhe gjithashtu atë të Draghi-t. Por kreu i politikës së jashtme evropiane Borrell iu përgjigj atij duke i thënë të mos e shiste lëkurën e ariut para se ta kishte marrë.

Emmanuel Macron, në Paris, është gjithashtu shumë i dobët pas zgjedhjeve të fundit.

Me pak fjalë, loja që luhet në Romë në këto orë ka të bëjë me të gjithë Evropën dhe gjithashtu gjithë perëndimin në mbështetje të Ukrainës.

Draghi do të qëndrojë në postin e tij me kusht që të mbajë drejtimin e qeverisë në këtë rrugë. A do ta lejojë bota kaotike politike italiane ta bëjë këtë?

Historiani Tito Livio thotë se, gjatë pushtimit të Romës nga barbarët, Senati Romak duhej të vendoste nëse do ta braktiste qytetin e shkatërruar apo do të qëndronte për ta rindërtuar atë. Vendimi u mor nga një centurion që urdhëroi trupat e tij: “Hic manebimus optime”, “këtu ku do të jemi shumë mirë”. Dhe ky ishte vendimi që u mor.

Të njëjtën gjë tha Draghi i cili duket se dëshiron të qëndrojë duke përndjekur barbarët.


Lajmet kryesore