Opinione / Politikë

Letër rekomandimi për Sali Berishën për pozitën e autokratit të korruptuar


Fron Nhazi

I dashur vend në nevojë për një autokrat të korruptuar:

Me entuziazmin më të madh po e shkruaj këtë letër rekomandimi për Sali Berishën për pozitën e autokratit të korruptuar. E kam njohur Zotëri Berishën qysh nga viti 1991 dhe mund t’iu siguroj se ai do të ishte një diktator i shkëlqyeshëm për vendin tuaj. Berisha ka dekada eksperiencë në abuzimin me pozitat e niveleve të larta në qeveri. Gjatë, të ashtu-quajturës, kohës së zhvillimit demokratik në Shqipëri, Berisha ka shërbyer si president dhe kryeministër dhe gjatë shërbimit të tij ka treguar karakteristika brilante prej një autokrati. Këtu përfshihen, por nuk limitohet në to, akuza të pabaza, rrahje dhe burgosje për kritikët, zhvillim dhe mirëmbajtje të regjimeve të korruptuara dhe aftësi të veçantë të joshjes së liderëve perëndimorë dhe të ashtuquajturve ekspertë shqiptarë.

Për dekada me radhë, Berisha me shkathtësi arriti të magjepsë liderët e qeverive evropiane dhe amerikane, agjencitë ndërkombëtare të ndihmave dhe ekspertët e Ballkanit. Muret e zyrës së tij janë të mbuluara me secilin lider të rëndësishëm perëndimor. Janë botuar edhe libra duke vlerësuar përpjekjet e tij për të transformuar Shqipërinë në një demokraci. Për çdo libër, kishte dëshmi të pafundme në Seancat e Kongresit Amerikan, në Parlamentin e Bashkimit Evropian dhe madje edhe në darka luksoze dhe evente në New York duke çmuar stilin e tij të udhëheqjes.

Mbështetja për të gjithashtu përfshinë edhe kompani udhëheqëse për zhvillim dhe agjenci të fondacioneve që kanë duartrokitur reformat e tij të tregut dhe përpjekjet për ta luftuar korrupsionin. Mbështetja perëndimore e miratoi stilin e tij të udhëheqjes në sytë e mbështetësve të tij. Siç kanë mundur ta vërejnë shumë veta, shumica nga këto u arritën pa përdorimin e kompanive lobuese dhe janë një testament i vërtetë i karizmës së Berishës. Kundërshtarët mohues të tij, e quajnë mashtrim dhe kult të personalitetit. Lënë anash kritikat, këto karakteristika janë të domosdoshme për një autokrat të suksesshëm.

Për gjatë karrierës së tij si autokrat, Berisha ka arritur hapa gjigantë të pafund duke shfaqur zell të paparë dhe etje të madhe për pushtet. Dy shembujt që qëndrojnë më lartë se gjithë të tjerët, janë kolapsimi i skemës së piramidave në vitin 1997 që e çoi vendin në anarki dhe rikthimi i tij në pushtet në vitin 2005. Si president, nga viti 1992 deri në vitin 1997, Berisha e ktheu Shqipërinë në një kazino. Gjatë kësaj kohe, e vetmja gjë që u ndalua ishte kritika për Berishën, dhe skema Ponzi. Me kolapsimin e skemës Ponzi vendi u fut në një spirale të paligjshmërisë. Derisa shteti po digjej, Berisha ruajti qetësinë dhe madje shkoi aq larg sa përdori ushtrinë e tij për ta mbrojtur fabrikën e shisheve të Coke-Colas nga protestuesit e dhunshëm që kishin humbur kursimet e jetës. Përkundër se ishte detyruar të tërhiqej (pas presionit nga perëndimi), Berisha u rikthyer në pushtet në vitin 2005 me gatishmërinë për hakmarrje. Si kryeministër i sapozgjedhur, Berisha harxhoi tetë vjetët e ardhshme duke plaçkitur arkën e shtetit, çmontuar drejtësinë dhe, disi, arriti ta futë Shqipërinë në NATO.

Berisha është pranues i shumë çmimeve. Por, asnjë i krahasueshëm me këtë të fundit që iu dhurua nga Qeveria Amerikane – persona non grata.

Sipas qeverisë amerikane, Berisha është fitues i këtij çmimi për “aktet korruptive, siç është keqpërdorimi i fondeve publike dhe interferimi në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushteti të tij për përfitime personale, dhe pasurimi i aleatëve politik dhe familjarëve të tyre në kurriz të besimit të shqiptarëve në institucionet e qeverisë së tyre dhe zyrtarëve publikë. Për më tepër, vetë retorika e tij demonstron se ai është i gatshëm të mbrojë vetën, familjarët e tij, dhe aleatët politikë në llogari të hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion, dhe masave llogaridhënëse”.

Edhe pse shumë besuan se çmimi ishte vonuar tepër, Berisha tashmë është bërë anëtar i një grupi elitar që përfshinë oligarkë rusë, politikanë të korruptuar të Amerikës Latine, terroristë të lindjes së mesme dhe tiranë të tjerë nëpër botë.

Përkushtimi i paepur i Berishës për pushtet i kombinuar me përvojën e tij të pasur në zhvillimin dhe menaxhimin e qeverive të korruptuara, e bën Berishën një kandidat ideal për cilindo vend që është në kërkim të një udhëheqësi autokrat.

Sinqerisht,

Fron Nhazi

Ushington D. C.


Lajmet kryesore