Opinione / Kolumnistët

Lajmi i fundit: Italia mbylli shekullin e XX-ë


Stefano Marcelli Gazetar italian pranë RAI

Nëse një shkrimtar do të kishte imagjinuar një seancë të Senatit italian të kryesuar nga një i mbijetuar i Aushvic-it që shpallte zgjedhjet në zyrën e dytë shtetërore të një ish-fashisti me një shtëpi plot me kujtime të regjimit dhe emri i dytë i të cilit ishte Benito (emri i Musolinit), tregimi do të ishte kataloguar përfundimisht në zhanrin e fantazisë.

Por është pikërisht ajo që ndodhi në seancën e parë të Parlamentit italian pas zgjedhjeve që u fituan nga partia e Vëllezërve të Italisë (Fratelli d’Italia) që është trashëgimtare e traditës fashiste.

Liliana Segre (e cila është senatore e përjetshme) hapi seancën duke kujtuar se në një ditë të tetorit të 1938 ajo u përjashtua nga shkolla për shkak të ligjeve racore të kërkuara nga Musolini dhe mbreti Vittorio Emanuele.

Dhe ftoi të djathtën italiane për të festuar Ditën e Çlirimit më 25 Prill, të cilën deri më sot ata nuk e kanë bërë.

Një lloj apeli për pajtim kombëtar që presidenti i ri i senatit, Ignazio La Russa, jo vetëm që e ka dëgjuar duke pranuar ftesën për të festuar Ditën e Çlirimit, por duke bërë edhe një fjalim tërësisht të bazuar në pajtimin kombëtar, plot citate nga të majtët, përfshirë Presidentin partizan Sandro Pertini.

Një lloj Bad Godesberg*, një pikë kthese historike e së djathtës italiane, e cila, sipas fjalëve të La Russa-s, dukej se bënte një thyerje të qartë me ideologjinë e regjimit dhe hapte rrugën respektimit të plotë  të parimeve demokratike dhe republikane.

Natyrisht, Giorgia Meloni dhe partia e saj duhet të dërgojnë mesazhe qetësuese për një Evropë të shqetësuar për ardhjen në qeverinë e një prej vendeve më të rëndësishme të Unionit të Presidentes së ekstremit të djathtë kontinental.

Duhet të qetësojë tregjet financiare dhe gjithashtu Presidentin e Republikës Sergio Mattarella, i cili do të duhet të miratojë emërimin e ministrave të qeverisë së re dhe të kundërfirmojë ligjet.

E ardhmja do të tregojë nëse ndryshimi i shpallur nga presidenti i ri i Senatit La Russa është i sinqertë apo nëse është thjesht një veprim taktik.

Seanca e parë parlamentare shënoi edhe fundin politik të Silvio Berlusconit, i cili u kthye në sallën e Parlamentit pas një kohe largimi për shkak të çështjeve të tij gjyqësore.

Berlusconi, pavarësisht se ishte pjesë e mazhorancës së qendrës së djathtë, nuk votoi për La Russa-n dhe i largoi senatorët e tij nga salla ndoshta sepse nuk ishte i kënaqur nga ministrat e propozuar nga Giorgia Meloni.

Por La Russa u votua nga disa senatorë të opozitës, madje duke tejkaluar kuorumin minimal të nevojshëm për zgjedhjet.

Një situatë tejet e shëmtuar për Berlusconin, i cili tani drejton një parti të vogël që humbet copë çdo ditë, dhe që sot është reduktuar në një parti pa konsistencë politike.

Me pak fjalë, sot në sallën e Senatit italian dukej sikur frynte era e historisë. Një histori që ecën përpara, askush nuk e di në cilin drejtim, duke fshirë edhe të kaluarën e afërt.

Sot, pas fjalimit të La Russa-s, duket që shekulli i njëzetë është arkivuar përfundimisht me ideologjitë dhe tragjeditë e tij: as komunistë, as fashistë.

E ardhmja? Tani për tani ajo është e mbuluar me mjegull vjeshte.

*Programi Bad Godesberg ishte udhëzuesi kryesor i Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD) midis 1959 dhe 1989. Ai u ratifikua më 15 nëntor 1959 në qytetin e Bad Godesberg, tani pjesë e Bonit.

Programi u shqua për faktin  se SPD braktisi zyrtarisht ideologjinë marksiste. Në veçanti, me programin Bad Godesberg, ajo braktisi në mënyrë eksplicite synimin e një përmbysjeje revolucionare të shoqërisë.


Lajmet kryesore