Një gjë ende nuk e paskan kuptuar shumë njerëz.
Nuk mundeni këtij kryeministri (Albin Kurtit) t’i drejtoheni me “vëlla”.
Sipas Erich Fromm, dashuria vëllazërore në thelb është themeli i aspiratave për barazi mes njerëzve, sepse është ndjenjë që nuk përjashton askënd nga zemërgjerësia e saj.
Parimi i saj fillestar është “të gjithë jemi një”.
Nuk ka qenë rastësisht pjesë e sloganit të Revolucionit Francez “Liri, Barazi, Vëllazëri”, ngjarje e cila dikur në shkollat e Vetëvendosjes admirohej si një nga më të rëndësishmet në historinë e përpjekjeve të njerëzimit për barazi.
Mirëpo, duke abuzuar me mirëbesimin e palës tjetër, kryeministri fjalës së bukur “vëlla” i dha vetëm konotacionin e shëmtuar nepotist, që dorën në zemër ka lulëzuar nën qeverisjen e tij, si asnjëherë më parë.
Por, të gjithë ju që mendoni se tash mund të kërkoni barazinë, trajtimin e dinjitetshëm dhe solidaritetin në kauza të drejta që ushqen dashuria vëllazërore, duhet ta keni një gjë të qartë dhe ta ngulni në mendjet tuaja:
Ka perënduar përgjithmonë epoka e vëllezërve.
Tash ka filluar “epoka e babës”, para të cilit duhet ta lakosh e shtrembërosh shtyllën kurrizore, jo si shenjë respekti, por si dëshmi e nënshtrimit, adhurimit dhe idolizimit ndaj shkëlqesisë së tij.