Opinione / Kolumnistët

Kurthi i Kurtizmave


Andi Haxhiu PhD Kandidat në Universitetin e Edinburgut

Në fjalimin e tij të djeshëm (22 qershor) në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ajo çfarë ai bën në qeverisje mund të përshkruhet kështu: “E bëj minimumin e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit.”

Ndonëse i vetëdijshëm që fliste për qeverisje dhe jo për formimin karakterial në aktivizmin e tij politik, Kurti e rrëshqet në mënyrë elegante këtë Kurtizëm të citueshëm për publikun e fascinuar dhe, njëkohësisht, komplekson opozitarët e padenjë për t’u përballur me thellësinë oqeanike të Mendimtarit Kryeministër.

Me këtë fjali komplekse për deputetët nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Kurti kurthon përbrenda opozitën në pafuqinë e tyre intelektuale. Kjo sepse, para se të ishte kryeministër, Kurti ishte mendimtar; dhe para se të ishte aktivist politik, mendonte politikisht.

Deputetët – pozitë dhe opozitë – duken intelektualisht të paaftë përballë ligjërimit konceptual të një kryeministri që flet për shumësinë e realiteteve dhe imagjinimin e realiteteve të pranueshme.

Çka ironikisht kalon në heshtje, është fakti se kjo aksiomë e etabluar e Kryeministrit Kurti – megjithëse e pavërejtur nga opozita – është edhe thelbi i mendimit dhe veprimit të tij politik: ai pranon realitetin minimalisht për ta ndryshuar atë maksimalisht.

Kurti nuk ndryshon mendimin, por ndryshon realitetin. Mendimet e Kurtit janë të përtejkohëshme, të pagabueshme, gjithherë aktuale.

Kjo, sepse, ai e pranon minimalisht realitetin si produkt të ngjarjeve ku ai nuk është subjekti që e ndryshon atë. Realiteti i Kurtit merr kuptim dhe bëhet i pranueshëm veçse në momentin kur ai është subjekti që ndryshon maksimalisht atë. Ky është kompleksi i pashërueshëm i mendimtarit kryeministër: të tjerët të jenë ushqim për krimba; Kurti është ushqim për historinë.

Trajektorja e mendimit të Kurtit dhe raporti i tij me historinë nuk shpjegohet dot pa narracionin e pandryshueshmërisë dhe mos-servilosjes së pakompromis përballë valëve të pushtetit.

Simbolika e Kurtit aktivist sintetizohet pashmangshëm me epitetin e “rezistuesit” që ai vetëdijshëm ia ka propaguar vetes.

Duke e veshur xhaketën që nuk i bie tamam për t’u kthyer në simbolin e rezistencës, Kurti ka pranuar minimalisht realitetin e aktivizmit të tij politik për ta ndryshuar maksimalisht perceptimin përballë tij – perceptim të cilin Kurti e projekton si realitet historiografik.

Prandaj, përmes propagimit të vazhdueshëm, miti i tij politik është i qendërzuar në radikalizmin e tij të pashoq dhe pathyeshmërinë e tij politike.

Si rrjedhojë, për shumë prej nesh sot, Kurti mbahet në mend si lider që u doli tankeve serbe përpara, rezistoi i pathyeshëm nëpër protesta përballë ndërkombëtarëve “imperialist” dhe si njëri prej atyre që besonte se Kosova nuk çlirohet me Rambuje dhe negociata, por vetëm atëherë kur do ta bënte uzurpimin e pafavorshëm.

Në një intervistë të orëve të para të lirimit të tij në vitin 2005 për Top Channel, Kurti, si lexues i denjë i Frantz Fanonit dhe psikopatologjisë në vendet e kolonizuara, thoshte se “Algjeria nuk u lirua nga Franca pse u bë më e fuqishme ushtarakisht, por sepse e bëri okupimin e saj të paleverdishëm.”

Deluzional përballë vështirësive të UÇK-së në raport me Serbinë, Kurti idealist vazhdonte ta pranonte minimalisht realitetin për ta ndryshuar maksimalisht të vërtetën në mundësinë e radhës. Krejt kjo që realiteti i ri të ishte në shërbim të narracionit të ri politik që ai donte ta kidnaponte si kauzë, por jo edhe si bindje.

Si një i pseudo-devotshëm në kauzën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lëvizjeve që burojnë nga populli, Kurti idealist dhe kundërshtar i doktrinës pacifiste të Rugovës dhe LDK-së, në po të njëjtën intervistë të vitit 2005 për Top Channel, deklaronte se, për dallim nga të tjerët në panel, ai kishte besuar thellësisht në luftën e UÇK-së.

Si një proto-besimtar gati dogmatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti po rikonstruktonte retroaktivisht pozicionin e tij në raport me rezistencën përmes kurtheve diskursive.

Atë që të tjerët nuk e kishin besuar, Kurti e kishte besuar me të vërtetë – kjo sepse Kurti po projektonte veten si sintetizimi perfekt i aktivistit revolucionar dhe sovranistit nacionalist.

Megjithatë, aty ku Kurti hijezon deri në paverejtshmëri aktivizmin e tij politik, ai vetëdijshëm varros devotshmërinë e tij kozmopolite dhe qasjen e tij humaniste.

Ai sakrifikon realitetin e parëndësishëm duke intervenuar minimalisht, për të rikonstruktuar një realitet maksimalisht të ndryshëm – por të favorshëm elektoralisht e politikisht.

Kështu që, revolucionari që deklarativisht rezistencën e UÇK-së e shihte si domosdoshmëri dhe pacifizmin e Rugovës si tradhti, po ndërtonte kurthin e radhës diskursiv për shoqërinë që luftën e kujtonte si traumë, por mbamendjen e kishte të pafuqishme për shkak të ekstazës së lirisë.

Në këtë vakum kujtese, Kurti rindërton profilin e tij politik pa treguar kurrë se si besimi i tij i pakushtëzuar për rezistencën e Kosovës ishte veç një farsë në tragjedinë dhe vuajtjet e njerëzve që realisht e besuan UÇK-në.

Kjo, sepse, pavarësisht që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ekzistonte prej vitit 1993, dhe, pavarësisht faktit që aksionet e para të rezistencës kishin filluar në vitin 1997, Kurti dedikimin për rezistencën e armatosur e kishte gjetur vetëm pas masakrës së familjes Jashari në vitin 1998.

Deri atëherë, Kurti idealist, që kritikonte Rugovën për nënshtrimin e tij përballë Serbisë, ishte në një rrugëtim të një idealizmi atipik të kohës që mirëqenien e shihte vetëm si zgjidhje që gjenerohej përmes punëtorive integruese në mes shqiptarëve dhe serbëve.

Në fakt, në fotografinë që Mendimtari Kryeministër ka vendosur ta retushojë nga rrugëtimi i tij prej aktivizmit politik, ai sillet thuajse amnezik për faktin që ka qenë i dedikuar ndaj organizimit të një punëtorie të titulluar “Active Nonviolence as an Alternative to Armed Struggle” deri në qershor të vitit 1998. Këtë Kurti planifikonte ta bënte në bashkëpunim me aktivistin pacifist, David Hartsough.

Tendencat pacifiste dhe kozmopolite të Kurtit i konfirmon edhe Howard Clark, një mik i mirë i tij gjatë fundviteve ‘90-të dhe njëri nga autoritetet kryesore shkollore të rezistencës civile në Kosovë.

Në librin e tij, “Civil Resistance in Kosovo (2000)”, Clark shpërfaq dedikimin gati dogmatik dhe atipik për kohën e Kurtit ndaj rezistencës paqësore. Në fakt, në njërën prej detajeve interesante të librit, Clark shpjegon se në ftesën e Qeverisë Amerikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti kishte shprehur dëshirën që në listën e njerëzve që do t’i takonte të ishte edhe profesori i mirënjohur i rezistencës paqësore, Gene Sharp.

Normalisht që ky dedikim pacifist i Kurtit i vitit 1998 ishte pikërisht në linjën ideologjike që Kurti aq shumë e përçmonte dhe e kundërshtonte më pas. Tipike për Kurtin që, me pranimin minimal të realitetit të kohës, ai arriti të ndërtojë mundësinë për ndryshimin maksimal të pozicionit të tij përballë rezistencës.

Prandaj, kurthimi diskursiv në gjuhën e Kurtit shpërfaq nevojën për të kuptuar që kur Kurti bën pranimin minimal të realitetit për ta ndryshuar maksimalisht atë, ai neglizhon tërësinë dhe vërtetësinë e realitetit që ai qëllimshëm e mohon.

Nëse copëzat minimale janë të mjaftueshme për të rikonfiguruar mozaikun maksimalisht, Kurti, pavetëdijshëm, shpërfaq nevojën e tij për të manipuluar realitetin domosdoshmërisht.

Kurtit nuk i pëlqen një realitet, pjesë e së cilit nuk është ai vetë dhe, shpeshherë, nuk i pëlqen as realiteti në të cilin bën pjesë.

Për këtë arsye, ai do të jetë aty ku s’ishte dhe do të ndryshojë në favorin e tij ngjarjet në të cilat është.

Krejt kjo duke pranuar realitetin minimalisht, për ta ndryshuar atë maksimalisht. Për këtë arsye, sot aktivisti pacifist qëndron në rrënojat e memories së një realiteti që ai e ka ndryshuar maksimalisht.

Kështu do të ndryshojë edhe realiteti për Kurtin kryeministër që po varros gradualisht të kaluarën e tij si opozitar, për ta ndryshuar maksimalisht pozicionin e tij përbrenda ngjarjeve që ai kaq shumë i ka kundërshtuar. Humbjet e veta Kurti do të na i shesë si fitore. Kurse ato që i konsideronte dikur fitore, ai i bën të pavrejtshme deri në momentin e radhës që i duhet t’i riciklojë për t’i manipuluar përsëri.

Autori ka një master në Studime Nacionalizmi dhe vazhdon studimet e doktoratës për Sociologji, në Universitetin e Edinburgut. Po ashtu, ligjëron për Konflikte Etnopolitike dhe Politika Krahasuese në Universitetin për Biznes dhe Teknologji(UBT).


Lajmet kryesore