Kur natyra fal, por shteti nuk mëson

Një reportazh nga Komani zbulon të vërtetën që duam të mos e shohim. Mbeturina, rrëmujë, ndotje, turp. Dhe një Ministri që nuk është askund
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Kur natyra fal, por shteti nuk mëson

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Gazetarja e Albanian Post, Sadiola Xhelili, sapo është kthyer nga një reportazh në Liqenin e Komanit. Ajo ka sjellë pamje. Foto. Video. Zëra turistësh. Fjalët e kapitenit të tragetit. Dhe gjithë çka kanë parë sytë e saj përpara se të hipte në një nga destinacionet më të promovuara të Shqipërisë.

Turizmi që na turpëron

Dhe çfarë shohim?

Një tunel i mbuluar me pluhur. Makinat e parkuara në mes. Mbeturina që kundërmojnë nën diell. Thasë të zinj që ziejnë nën vapë. Një copëz liqeni që të pret me fyerje. Kalatat e tragetit të mbushura me makina të bizneseve private. Dhe një polic bashkiak që u thotë udhëtarëve të kthehen pas, sepse “është rregull”.

Dhe çfarë dëgjojmë?

Turistë që shqiptojnë vetëm një fjalë: “Disgusting”. Guidat që kërkojnë ndjesë. Një kapiten trageti që thotë, pa asnjë patetikë: “Deri më sot, kurrgjë. Asnjë nuk ka vënë dorë”.

Nuk ka asgjë të paditur këtu. Komani është i njohur. Është i promovuar. Vizitohet nga mijëra vetë çdo ditë në muajt e ngrohtë. Por sërish, ajo që të pret në hyrje është një “ghetto”. Një skenografi që përputhet me një Shqipëri që nuk e do pasurinë që ka. Dhe që nuk kupton se në hyrje të parajsës, nuk mund të shfaqet ferri i harresës.

Ky nuk është një destinacion i humbur. Është një destinacion i tradhtuar. Dhe kjo tradhti është më e rëndë sepse ndodh përditë, nën sytë e të gjithëve, dhe asnjë nuk mban përgjegjësi. Sepse bukuria e natyrës është bërë alibi për mosveprim. “Është aq e bukur, sa do ia dalë vetë”, mendojnë ata që nuk bëjnë asgjë.

Jo, nuk ia del vetë. Asnjë vend nuk ia del vetë kur shteti ikën.

Komani është një provë që Shqipëria po e humb çdo ditë. Dhe po e humb jo nga mungesa e parave, por nga mungesa e kujdesit. Jo nga mungesa e investimeve, por nga mungesa e ndjenjës. Nga mungesa e turpit.

Nuk mjafton të kemi turistë. Duhet të kemi dinjitet.

Nuk mjafton të kemi bukuri. Duhet të kemi rregull.

Nuk mjafton të kemi liqene, male, lumenj, det. Duhet të kemi shtet.

Sepse turisti nuk mban vetëm aparatin në dorë. Mban edhe një gjykim. Dhe Shqipëria nuk mund të presë gjykime nga njerëz të huaj, pa qenë e gatshme të bëjë vetë gjykimin e vet.

Dhe ku është shteti në këtë rast?

Ku është Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ministrja Mirela Kumbaro, kur në parkingjet e Komanit plehrat fermentohen si pasqyrë e një turizmi të braktisur? Ku janë kontrollet, planet, prioritetet? Apo ajo Ministri ekziston vetëm për fjalimet në konferenca dhe jo për të parë me sy realitetin e një perle që po mbulohet me turp?

Po përse Gjirokastra mund të mbrohet, të sistemohet, të menaxhohet, dhe Komanit i thuhet: prit sezonin tjetër? A ka nevojë Komani për UNESCO-n që të ndjehet i mbrojtur? Apo thjesht për përgjegjësi njerëzore?

Sepse kjo nuk është çështje fondesh. Është çështje se sytë nuk duan të shohin. Dhe dora nuk do të shtrihet.

Komani është thirrje. Për përmirësim. Për përgjegjësi. Për ndërgjegje.

Ku ka mbetur projekti i Komanit, të cilin e kishte projektuar Benet Beci, gjatë kohës kur drejtoi Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare?

Sepse po afrohemi te shifra 15 milionë turistë këtë vit. Dhe pyetja është e thjeshtë:

Kur do të largohet ky turp?