Kur drejtësia prek pushtetin, pushteti shpik rregulla

Për vite me radhë, politika dhe drejtësia nuk kanë qenë në anë të kundërta të ligjit, por në të njëjtin kazan me krimin
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Kur drejtësia prek pushtetin, pushteti shpik rregulla

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Kush ka më shumë gjasa të abuzojë me pushtetin në Shqipëri: prokurori që kërkon dënim për korrupsion të nivelit të lartë, apo qeveria që rregullon mekanizmat që e mbikëqyrin atë?

A kemi një traditë të mosrespektimit të të drejtave të njeriut nga prokuroria, apo më shumë një traditë të ndërhyrjes së politikës për të mbrojtur klientelën e saj nga ndëshkimi?

A ka të dhëna objektive që SPAK ka abuzuar me masat e sigurimit, apo është ky një perceptim që i shërben më shumë një narrative për të kontrolluar veprimtarinë e tij?

Janë tre pyetje që duhen shtuar në çdo tryezë publike, sa herë që nis një debat i tillë si ai mes Ministrit të Drejtësisë dhe kreut të SPAK. Sepse kjo nuk është vetëm një përplasje mes dy institucioneve. Është një provë për sistemin.

Një test për të matur nëse vërtet kemi hyrë në epokën e ndarjes së pushteteve, apo jemi ende në paradigmën e vjetër, ku politika i ndërtonte institucionet e drejtësisë si stacione të kontrollit dhe jo si gardiane të ligjit.

Në pamje të parë, qëndrimi i Ministrit mund të tingëllojë i arsyeshëm si thirrje për më shumë transparencë, më shumë respektim të të drejtave të njeriut, më pak arrest me burg dhe më shumë alternativa si ndalim në banesë.

Kjo është gjuha e duhur e një shoqërie që synon të jetë demokratike.

Por ajo që duket parimore në formë, ngre dyshime serioze në përmbajtje. Sepse e gjithë kjo paketë rekomandimesh shoqërohet me idenë e ngritjes së një strukture të re që do të kontrollojë SPAK-un.

Ministri Manja deklaron në publik se “qeveria nuk kërkon të drejtojë drejtësinë, por të fuqizojë pavarësinë e saj”.

Është një frazë që mund të ngatërrojë këdo që e lexon pa e lidhur me kontekstin e vërtetë. Sepse ndërkohë që flitet për fuqizim të pavarësisë, propozohet krijimi i një strukture të re kontrolli mbi SPAK-un.

Dhe kjo nuk është mbështetje, por është mbikëqyrje e sofistikuar. Është ajo që në gjuhën e re të politikës quhet “partneritet institucional”, por që në realitet është kapje me dore të butë.

Të thuash “nuk duam të ndërhyjmë, por të ndihmojmë”, në kushtet e një historie ku ndihma ka qenë gjithnjë fytyra e ndërhyrjes, është një riformulim inteligjent i asaj që dikur bëhej me telefonatë. Sot bëhet me dokument zyrtar.

Nëse Manja do të kishte vërtet hallin e drejtësisë, do të kishte nisur një reformë për përkufizimin e saktë dhe të prerë të përgjegjësisë penale të zyrtarëve të lartë. Do të kishte çuar përpara ndryshime që e ndajnë fajin nga gabimi, shpërdorimin nga kriminaliteti. Por këtë nuk e bën dot ai që mendon më shumë si politikan, sesa si garant i ligjit.

Këtu fillon problemi. Sepse nuk kemi të bëjmë me një rregullim teknik, por me një ndërhyrje konceptuale në arkitekturën e sistemit. Dhe ky nuk është një debat thjesht profesional. Është një debat për themelet e shtetit.

SPAK është krijuar pikërisht për të qenë i pavarur. Nuk është një degë e Qeverisë, nuk është një zyrë e Ministrisë.

Është rezultat i një reforme të mbështetur ndërkombëtarisht, ku për herë të parë drejtësia mori distancë nga politika. Është një organ i ndërtuar mbi idenë se për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta, duhen institucione të pavarura.

Pikërisht për këtë arsye, SPAK është tashmë nën mbikëqyrjen e dy institucioneve të pavarura si ai i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.

Kur një qeveri kërkon të shtojë një strukturë të tretë, përtej këtyre dy mekanizmave kushtetues, nuk kemi më të bëjmë me përmirësim, por me ndërhyrje. Dhe ndërhyrja në drejtësi, sado të ambalazhohet me gjuhë të drejtave të njeriut, mbetet ndërhyrje.

Ndaj, problemi nuk është që SPAK të mos gabojë. Problemi është që të mos e frikësosh atë sa herë që nuk të pëlqen çfarë zbulon.

Dhe kur pushteti flet shumë për drejtësinë, është gjithmonë mirë të pyesim veten se për çfarë ka vërtet hall pushteti.

Nga ana tjetër, qeveria ngre një pikë që nuk duhet nënvlerësuar, në shumë raste, arresti me burg është bërë më shumë për perceptim, sesa për nevojë.

Në një vend ku të gjithë duan të shohin dënime dhe dora e drejtësisë të jetë “e fortë”, prokuroria shpesh mund të tundohen nga masat e ashpra për të treguar efikasitet.

Kjo është një temë që meriton debat të thellë dhe rregullim të kujdesshëm, por jo me mjete që komprometojnë pavarësinë e institucionit.

Në një vend si Shqipëria, ku historia e drejtësisë është shkruar më shumë me telefonata sesa me prova, dilema është se çfarë është më e rrezikshme, një Prokurori e guximshme që ndonjëherë e tepron me masat e sigurimit, apo një pushtet politik që ndërton kontroll mbi kontrollin për ta frenuar atë?

Çdo analizë e ndershme duhet ta fillojë nga konteksti shqiptar. Dhe ky kontekst na mëson se abuzimi më i madh nuk ka ardhur kurrë nga teprimi i drejtësisë, por nga frenimi i saj.

Nga ngadalësimi, nga sabotimi, nga kontrolli. E gjithë reforma në drejtësi u ndërtua mbi këtë kuptimin se korrupsioni në këtë vend nuk ndëshkohet sepse politika nuk lejon drejtësinë të veprojë.

Prandaj, debati i sotëm nuk është për një strukturë teknike. Është për një kufi politik. Dhe nëse ky kufi thyhet, nuk ka më garanci që drejtësia do të jetë e lirë nesër.

Në emër të të drejtave të njeriut, mos e relativizoni pavarësinë. Në emër të proporcionalitetit, mos u ktheni prapa në kapitullin që sapo u përmbyll.

Sepse në fund, përballja më e madhe në Shqipëri nuk është mes SPAK dhe politikës, por mes shpresës dhe mosbesimit. Dhe çdo strukturë që tenton ta zbusë SPAK-un, është një mesazh që fiton mosbesimi.

Në emër të të drejtave të njeriut, mos e relativizoni pavarësinë. Sepse në Shqipëri, ende nuk kemi arritur në pikën ku prokurori dhe i pandehuri nuk ndajnë një tavolinë.

Për një kohë shumë të gjatë, kanë ndarë jo vetëm kafen, por edhe sekretet, aleancat, dhe pazaret. Nuk kemi luksin të bëjmë retorikë për balanca mes pushteteve kur ende nuk kemi pastrim themelor nga bashkëjetesa me krimin.

Drejtësia nuk është ende e pastër. Por është për herë të parë në rrezik që të mos arrijë kurrë të pastrohet, nëse kontrolli mbi të rikthehet në duar që kanë qenë pjesë e kazanit.

Ndaj ky debat nuk është për masa sigurie. Është për të ndalur rikthimin e duarve të vjetra në pjatën që sapo po lahet.