Opinione / Editoriale

Kur arbitri luan për veten


Në shtetet demokratike, Presidenti i Republikës është arbitri i sistemit: ai që monitoron pajtueshmërinë me rregullat kushtetuese, rregullsinë e marrëdhënieve midis qeverisë dhe opozitës dhe ekuilibrin midis fuqive të ndryshme të shtetit.

Me pak fjalë, ai është arbitri i një loje ku lojtarët janë të tjerët. Presidenti është, siç thanë Romakët, super partes, mbi partitë dhe nuk merr pjesë në lojëra.

Por, Presidenti ynë, Ilir Meta, nuk humbet asnjë rast për të hyrë në lojë si lojtar, si një opozitar i mirëfilltë e veçanërisht kundër qeverisë dhe kryeministrit, Edi Rama.

Nuk ka ditë që mos ndërhyjë për ndonjë çështje, akuzon, kërcënon, premton ndryshime e së fundmi kundër çdo rregulli kundër Covid-it mblidhet për një darkë elektrorale për LSI-në Vranisht.

Me pak fjalë, Meta shfaqet shumë nervoz, gjithnjë e më pak i respektueshëm për rolin e tij institucional.

Shqetësimi dhe irritimi tij është më i theksuar ndoshta, për shkak të  sondazheve.  Të gjitha e japin në rënie LSI-në, madje edhe në zonat që dikur qenë shtyllat e tij.

Në pallatet e pushtetit të Tiranës pritet të dëgjohet shembja e saj.

Një sondazh i bërë nga Euronews shkon më tej. E jep besueshmërinë e njerëzve tek Presidenca në nivelin më të ulët. Është ky një problem i rolit te Presidentit apo problem i personit?

Sinqerisht nuk mund të thuhet që Presidenti Meta ka qenë i suksesshëm për Shqipërinë në kancelaritë e vendeve që peshojnë. Dhe nga ana tjetër menaxhimi i rolit ka qenë vetëm i njëanshëm.

Në vitet e fundit, gjatë të cilave Meta kishte arritur të vendosej në Parlament, si ekuilibri midis PS dhe PD, ai mbi të gjitha kishte kërkuar role dhe fonde për të fituar votat.

Një punë, një pension, një hua në këmbim të votave të një familjeje të tërë. Praktikë që në politologji e quajmë “vota e shkëmbimit”. Dhe me Metën kjo lojë funksionoi deri në zgjedhjet e fundit.

Por, nëse sondazhet do të ishin pak a shumë të sakta, në zgjedhjet e ardhshme, Meta rrezikon të sjellë vetëm një grup të vogël deputetësh në Parlament: një numër i padobishëm për çdo lloj loje politike dhe sigurisht jo vendimtar për ekuilibrin politik.

Prandaj Meta po luan një lojë vendimtare, veçanërisht kundër socialistëve, për mbijetesën e tij politike dhe për këtë arsye nuk mund të jetë arbitri.

Nëse Meta humbet këtë lojë, ai rrezikon të dalë nga skena politike shqiptare.

Fare mirë lind pyetja nëse ai është ende i aftë të jetë President?

Dhe cili lojtar mund të pranojë të gjykohet nga një arbitër i cili u mund edhe pse zbriti në fushë me ekipin e tij?


Lajmet kryesore