Opinione / Editoriale

Kujtimi im për Enverin e Kosovës


Blerim Latifi Profesor filozofie

Kam qenë vetëm gjashtë vjeç, por kujtesa fotografike e atyre ditëve vazhdon të mbetet ende shumë e gjallë tek unë. Në shtëpinë tonë kishte rënë një hije e zisë. Nana ime endej nëpër shtëpi dhe në oborr duke kryer punët e përditshme të amvisërisë dhe herë pas here vinte në odë, aty ku e kishim televizorin, dhe shikonte pamjet që transmetonte RTSH-ja.

E vetmja gjë që arrita të kuptoja ato ditë ishte se ata lotë që pashë në sytë e saj dhe mërzia e përgjithshme që kishte pllakosur shtëpinë tonë, lidhej disi me ato pamje televizive. Kishte vdekur një njeri që e kishte emrin Enver Hoxha. Çdo bisedë ato ditë vërtitej rreth këtij emri.

Vite më vonë do ta kuptoja atë që nuk mund ta kuptoja si gjashtë vjeçar. Ndikimi televizionit shqiptar në familjen tonë kishte qenë total. Përmes tij ne e kishim krijuar përfytyrimin për Shqipërinë komuniste si një vend i lulëzuar në çdo pikëpamje. Shqipërinë e përfytyronim si një parajsë të vërtetë mbi tokë, krijimi i të cilës ishte vepër e një njeriu, Enver Hoxhës.

Në familjen time, si në mijëra e mijëra familje tjera kosovare, dashuria e pafundme për Shqipërinë dhe udhëheqësin e saj bashkëjetonte me bindjen e palëkundur se edhe Shqipëria dhe udhëheqësi i saj na donin njësoj dhe mendonin e angazhoheshin për ne. Këtë bindje na e ushqenin këngët për Kosovën, që këndoheshin me aq pasion nga rapsodët e Shqipërisë dhe filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” ku përmendej Kosova dhe heronjtë e saj.

Mbi këtë dashuri të imagjinuar në Kosovë do të ngrishin shumë grupe ilegale, të cilat kishin për synim kundërshtimin e regjimit jugosllav. Më e shquara në mesin e tyre do të ishte LPK-ja, prej të cilës, gjatë viteve ’90-të, do dilte vetë UÇK-ja, guerilja më e suksesshme në historinë moderne ( T.Judah), e cila do ta bënte luftën e saj kundër Serbisë me armët e prodhura në uzinat ushtarake të Enver Hoxhës. Për të qenë e plotë ironia e historisë: ato armë ishin menduar për t’u përdorur kundër agresionit NATO-s mbi Shqipërinë dhe ja tani ato ishin në duart e një guerilje shqiptare të mbështetur nga vetë NATO-ja.

Më rënien e komunizmit në Shqipëri, doli në dritë Shqipëria e vërtetë e 45 viteve të sundimit të tij. Enveri ynë imagjinar do të shembej bashkë me të. Sot vetëm aty-këtu ndonjë nostalgjik i grupeve ilegale të viteve ’80-të, vazhdon ende të besojë se Enveri ynë imagjinar ishte Enveri i vërtetë. Ky në fakt është thelbi i nostalgjisë : zbukurimi i imazhit të së kaluarës edhe kur ajo në realitet ka qenë e hidhur.

39 vjet pas vdekjes së diktatorit të saj, Shqipëria po hedh hapat e fundit në lënien pas të trashëgimisë së tij totalitare, bashkë me periudhën e gjatë plot dhimbje të tranzicionit postkomunist. Dhe kjo më së miri shihet në një fakt fort të dukshëm : në rrugët nga dikur Shqipëria e bunkerizuar priste ushtritë pushtuese të imperializmit amerikan apo të social-imperializmit sovjetik, tani vijnë ushtritë e miliona turistëve nga e gjithë bota për të shijuar mrekullitë e detit shqiptar, mrekullitë e natyrës shqiptare dhe gjurmët e lëna nga përplasjet e vazhdueshme midis civilizimeve në tokën e shqiponjave.


Lajmet kryesore