Opinione / Editoriale

Kufijtë e dalldisjes me plebishitin


Shkëlzen Maliqi

Është e kuptueshme që subjektet politike, partitë dhe lëvizjet, parapëlqejnë fitoren duke maksimalizuar votën në zgjedhje. Në sistemet pluripartiake, nuk është e pamundur realizimi i fitores së pastër të një subjekti me kuotën 50 % plus, që i nxjerr para të gjithë konkurrentëve së bashku. Një fitore e tillë ia mundëson fituesit të qeverisë vetë pa lidhur koalicione me subjektet tjera.

Në Kosovë, si demokraci e re, me një cikël të kufizuar zgjedhjesh të pasluftës, nuk ka ndodhur fitore e tillë e një subjekti.

Në të vërtetë, për të qenë korrekt, në vitet ’90 kur organizoheshin zgjedhjet e lira në sistemin “paralel”, të kontrolluara absolutisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, zgjedhjet kanë pas karakter dhe përfundim thuajse plebishitar, sidomos zgjedhjet për postin e presidentit, pasi që Dr. Ibrahim Rugova garonte pa konkurrent, ndërkohë që LDK-ja si lëvizje merrte gati 2/3 e votave.

Pas luftës, në zgjedhjet e para, afër mazhorancës absolute dilte sërish LDK-ja, merrte përkrahjen e gati gjysmës së elektoratit, por pushtetin e ndante me partitë tjera, madje krijoheshin koalicione me spektër të gjerë partish.

Ky lloj bashkëpunimi imponohej ngase atëbotë patën filluar negociatat në Vjenë për përcaktimin e statusit të Kosovës, ku kërkohej uniteti sa më i madh i politikës kosovare.

Duhet përkujtuar se në atë kohë kundërshtar i vetëm i hapur i negociatave të Vjenës ka qenë Albin Kurti, sepse mendonte që statusi i Kosovës s’ka pse të negociohet, por duhet të realizohet si akt i vetëvendosjes, përmes plebishitit.

Kjo bindje edhe e përcaktoi emërtimin e subjektit politik “Lëvizje Vetëvendosje!” ku pikëçuditësja është pjesë e pandashme emërtimit!

Idealizimi i plebishitit me elementin përçudnues, nuk është marrë seriozisht nga faktorët ndërkombëtarë. As vendet mike, shtytëse të pavarësisë së Kosovës, nuk e shihnin vetëvendosjen siç paramendohej nga Kurti.

Është e vërtetë se në teori ekziston koncepti që afirmon të drejtën e kombeve për vetëvendosje, por në realizimin e kësaj të drejte përfshihet edhe një parakusht tjetër, që këtë të drejtë e kushtëzon me aprovimin që duhet ta japin autoritetet ndërkombëtare.

S’ka vetëvendosje pa vulë autorizuese! Aktualisht, rendi ndërkombëtar si instancë të autorizuar e ka Këshillin e Sigurimit ku pesë superfuqi  janë  me të drejtë të vetos. Vullnetin e padyshimtë të Kosovës për vetëvendosje dihet se bornisht e kufizon kërcënimi me veto i Rusisë dhe, potencialisht, i Kinës.

Për fat, në KS të OKB raporti është 3:2 në favor të Kosovës, por nuk vendos shumica por vota koncensuale e superfuqive.

Pra, teoria e afirmon vetëvendosjen, por në praktikë s’kemi vetëvendosje si akt që vetëpërmbushet.

Albin Kurti dhe LVV gjithnjë e kanë idealizuar referendumin dhe plebishitin si mjet që sjell pavarësinë, duke minimizuar rolin e pakapërcyeshëm të fuqive të mëdha.

Kjo dashuri fatale për referendumin dhe plebishitin, shfaqet edhe në projektet tjera të LVV të ndërlidhura me premisat e interpretimeve populliste të proceseve politike.

Procesin aktual zgjedhor që favorizon LVV-në Kurti e ka quajtur referendum, duke paralajmëruar fitoren me numra të larta, si fitore plebishitare që realizon vullnetin e popullit.

Synimi për të arritur verdiktin plebishitar në zgjedhje nuk është ideal që pëlqehet në sistemet demokratike, që pikënisjen e kanë te premisa realiste se çdo shoqëri është e përbërë nga shtresa me interesa të ndryshme, që përfaqësohen nga parti të ndryshme.

Fitoret plebishitare zakonisht realizohen në sistemet autoritare që shtypin mendimin ndryshe dhe shfaqjen e lëvizjeve dha partive opozitare, pasi që e mohojnë diversitetin social dhe të interesave si vlerë të sistemit.

Multipartizmi është aksiomë e demokracisë që reflekton shumësinë e interesave dhe botëkuptimeve.  Ndërkaq, te sistemet autoritare imponohen, zakonisht me forma të ndryshme të represionit dhe dhunës, njëmendësitë falco dhe detyrimi që çdokush të rreshtohet me prijësin, i cili (vetë)shpallet instancë supreme e vendimmarrjeve.

Prijësi është ai që lexon dhe shpreh interesin dhe vullnetin e popullit dhe, si i tillë, konsiderohet si fuqi mbi ligjin.

Demokracitë e avancuara janë kundër praktikave të nënshtrimit një prijësi apo ideje. Madje, tentohet të korrigjohet edhe parimi themelor i vendimmarrjes me shumicë të votave gjatë ushtrimit të pushtetit, nëse kjo nënkupton ngufatjen e pakicave dhe të mendimit ndryshe.

Ky fenomen njihet si diktatura e shumicës, që shpesh është po aq e rrezikshme sa diktatura e pakicës.

Te politikat aktuale të LVV, është hetuar një dalldi e papërmbajtur populliste me fitoren e projektuar plebishitare të zgjedhjeve ende pa u mbajtur ato.

Narrativi i triumfit të pashmangshëm po konstruktohet mbi idenë se shoqëria shqiptare është thellësisht e përçarë, ku partitë e vjetra që kanë qenë 20 vjet në pushtet shpallen të kriminalizuara dhe zhvatëse të shtetit, kurse LVV-ja ofrohet si antipodi i tyre, subjekt politik i pakorruptuar dhe shpëtimtari që do të t‘i sjellë Kosovës drejtësi, barazi dhe progres.

Vetëm ditën e hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, Albin Kurti është kujtuar, i bindur se fitoren e LVV-së në zgjedhje e ka pothuajse të sigurt, t’i shpreh edhe disa porosi shtendosëse.

Ka deklaruar se partitë tjera nuk janë parti anmike, por rivale të LVV-së, dhe se, kur LVV-ja të marrë pushtetin, nuk do të ketë hakmarrje.

Lëvizja Vetëvendosje tashmë shihet si kandidate kryesore që t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit, por çfarëdo që do të jenë numrat e fitores, nuk do të jetë plebishit, por fitore për qeverisje komode ku qeverinë e presin sfida të mëdha, për të cilat dalldisja nuk është aletë i mirë.

Moderimi i diskursit fitues nga dalldisja në racionalitet dhe pragmatizëm, nëse Kurti e vazhdon dhe e konkretizon si të tillë, mund të jetë sinjal se qeverisja e tij do të jetë të paktën më e përgjegjshme se ajo e 50 ditëshit euforik sa ishte në pushtet në vitin 2020, kur parapëlqente konfrontimin më të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm.

Personalisht jam dyshues për këtë, por Kurti ndoshta e ka mësuar në ndërkohë se tjetër është të jesh opozitar, e tjetër në pushtet.

 


Lajmet kryesore