Opinione / Kolumnistët

Kthimi i dhunës politike në Bashkimin Evropian simptomë e një të keqeje më të thellë


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Kur kanë mbetur më pak se katër javë deri në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, kryeministri sllovak, Robert Fico, mbeti viktimë e një sulmi dje, duke konfirmuar rikthimin e dhunës politike në Bashkimin Evropian.

Sulmi ndaj Fico-s ndodhi në Handlova, rreth 190 kilometra nga kryeqyteti sllovak, Bratislava. Kryeministri po takonte disa qytetarë në fund të mbledhjes së qeverisë.

Sllovakia është një pikë kthese e bujshme dhe serioze, pasi viktima është një kryetar qeverie që tani po lufton me jetën.

Sulmi ndaj Robert Fico-s, një nga shtyllat e pro-putinizmit në Bashkimin Evropian, sjell një tjetër kthesë të rrezikshme në lojën elektorale, duke futur variantin e dhunës. Reagimi i liderëve evropianë ka qenë unanim në dënimin e këtij akti. Me të drejtë, zëra të fortë që dënojnë sulmin po ngrihen nga e gjithë Evropa dhe nga çdo parti politike.

Ky sulm është vetëm episodi i fundit i dhunës politike në Evropë, një simptomë e një të keqeje më të thellë në fakt, polarizimi i skajshëm, demonizimi i kundërshtarit, stigmatizimi i ideve të ndryshme që po rrezikojnë jetën civile evropiane.

Në Bratislavë, anëtarët e mazhorancës akuzojnë opozitën dhe median se kanë nxitur opinionin publik, duke kritikuar planet joliberale të kryeministrit, duke krijuar një kontekst të favorshëm për sulmin. Por është e vështirë të mos kritikoheshin planet e Fico-s për të çmontuar televizionin publik në strukturën e tij aktuale, duke e zëvendësuar atë me një agjenci nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë.

Në qeveri, Fico miratoi gjithashtu një ligj që mund të përdoret për të shtypur organizatat e shoqërisë civile, mori kontrollin e televizionit publik dhe zbuti legjislacionin kundër korrupsionit.

Juraj Cintula, është 71 vjeçari i cili u ndalua për sulmin ku Kryeministri mbeti i plagosur. Ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok, foli për një akt me një “motivim të qartë politik”. Zëvendës kryeministri, Tomas Taraba akuzoi opozitën se kishte “gjak në duar” dhe propaganda ruse akuzoi menjëherë Ukrainën. Por në të kaluarën e tij, Juraj Cintula ka pasur kontakte me një grup paraushtarak filorus.

Kush është njeriu që qëlloi Robert Ficon: Dyshime për kontaktet me jashtë të pensionistit Cintula, nga pacifist në vrasës

Vetë Fico ka kontribuar në polarizimin e gjuhës vitet e fundit. Në vitin 2018 ai u detyrua të jepte dorëheqjen pas demonstratave të mëdha pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak, i cili po hetonte lidhjet e qeverisë së tij me grupet mafioze.

U rikthye në pushtet si lideri i partisë populiste të krahut të majtë Smer, tetorin e kaluar, në krye të një koalicioni anti-evropian me të djathtën ekstreme, duke përdorur një gjuhë të ashpër kundër politikave liberale, emigrantëve apo sanksioneve kundër Rusisë.

“Ne e dënojmë absolutisht dhe me vendosmëri dhunën dhe sulmin”, tha kreu i opozitës liberale, Michal Simecka. “Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe veprim që mund të kontribuojë në përshkallëzimin e tensionit”.

Jan Kuciak, vrasja që në 2018 çoi në dorëheqje të Fico-s

Fatkeqësisht Sulmi i Fico-s pason episode të tjera dhune në shtetet e tjera anëtare. Gjermania është shembulli i një sekuence mbresëlënëse sulmesh.

I dhunshëm ka qenë sulmi ndaj Matthias Ecke-s më 3 maj, i cili përfundoi në spital me një prognozë disaditore.

Një ditë më parë, nënkryetari i bashkisë së Essenit, Green Rolf Fliss, u qëllua në qafë dhe në ballë nga tre persona të panjohur teksa dilte nga një mbledhje partie.

Dhe përsëri militantë të Grünen (të Gjelbërit), janë rrahur me shkopinj ndërsa vendosnin postera në Leipzig, Chemnitz dhe Zwickau.

Sipas vëzhguesve, episodet e shumta, sugjerojnë ekzistencën e një plani të qëllimshëm, i cili synon të rrisë tensionin dhe të përhapë frikën, duke synuar një grusht demokratësh për të frikësuar qindra.

I dyshuari numër një në këtë situatë është AfD-ja, partia e ekstremit të djathtë, e vetmja që nuk i dënon në mënyrë të qartë sulmet, ndërsa një nga liderët e saj, Björn Höcke, ndjehet i lumtur me dënimin prej 13 mijë euro për përdorimin në fjalimet e tij të urdhrit nazist  «Alles für Deutschland», dikur thirrja e betejës të SA-ve të Hitlerit.

Të martën më 7 maj, Ministrja e Ekonomisë e Landit të Berlinit, socialdemokratja Franziska Giffey, ish-kryetare e bashkisë së kryeqytetit, u qëllua në kokë teksa vizitonte një bibliotekë.

Sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA), 2 mijë e 790 krime janë kryer në vitin 2023 kundër përfaqësuesve të zgjedhur ose aktivistëve të shtatë partive të përfaqësuara në Bundestag, nga të cilat pothuajse gjysma ishin kundër të Gjelbërve. Numri i sulmeve pothuajse është dyfishuar në pesë vjet.

Gjermania nuk është një rast i izoluar dhe liderët e ekstremit të djathtë  nuk kanë qenë të vetmit viktima të sulmeve.

Të enjten më 9 maj, dy deputetë rajonalë të partisë së ekstremit të djathtë AfD, Miguel Klauss dhe Hans-Jürgen Gossner, u plagosën lehtë nga pesë të rinj përpara parlamentit të Baden-Württemberg.

Në Francë, kreu i Partisë Socialiste në zgjedhjet evropiane, Raphaël Glucksmann, u detyrua të braktisë marshimin e 1 majit në Saint-Etienne për shkak të sulmeve nga militantët e France Insoumise.

Vitet e fundit, shumë zyrtarë të zgjedhur francezë kanë pësuar sulme në shtëpitë e tyre gjatë protestave kundër reformës së pensioneve ose demonstratave të Jelekëve të Verdhë.

Në Holandë, ku kujtimi i vrasjes së Pim Fortuyn në 2002 është ende i freskët, ish-ministrja e financave, Sigrid Kaag, braktisi jetën politike për shkak të kërcënimeve me vdekje.

Në Sllovakinë e Robert Fico-s, presidentja Zuzana Caputova hoqi dorë nga kandidimi për një mandat të dytë për shkak të lodhjes, pasi raportoi kërcënime me vdekje dhe sulme. “Njerëzit që më kërcënojnë se do të më vrasin po përdorin fjalorin e disa politikanëve. Kjo nuk prek vetëm mua, por edhe familjen time,” tha Caputova në një intervistë televizive në dhjetor 2022. Fico ndërkohë e kishte quajtur vazhdimisht Caputovën “një agjente amerikane”.

Gjithçka po ndodh ndërkohë që së fundmi ka pasur avancim të trupave ruse në Ukrainë, që kanë pushtuar më shumë se 100 kilometra katrorë territor në javët e fundit, duke rritur frikën për aftësinë e përgjithshme të forcave të Kievit për ta përballuar.

Ky zhvillim shqetësues tashmë po i shtyn disa liderë evropianë të rishikojnë prioritetet e tyre. Charles Michel, liberal, president në largim i Këshillit Evropian, tha ditët e fundit se diferencuesi i vërtetë i aleancave të ardhshme në Evropë do të jetë ai i të qenit pro ose kundër mbështetjes për Ukrainën dhe prandaj pro ose kundër Putin-it.

Deklarata e tij u interpretua si një hapje ndaj forcave konservatore të krahut të djathtë, në përputhje me atë, më të fshehur, të bërë nga Ursula von der Leyen. Por duke qenë se Michel rrallë flet pa pëlqimin e Emmanuel Macron, mbrojtësit të tij politik, ndoshta jemi përballë një ngërçi?

Pa harruar që dje përfunduan negociatat e gjata në Hagë, të cilat çuan në koalicionin mes të djathtës ekstreme të Geert Wilders, liberalëve të ish-kryeministrit Mark Rutte, centristëve dhe partisë së fermerëve, e para e lloji të saj në Holandë.

Liria e fjalës është e shenjtë në BE, por abuzimi i saj i dhunshëm nga politikë bërësit demokratikë, ku shumë prej tyre kanë zgjedhur strategjinë e polarizimit duke iu drejtuar retorikës ekstremiste, shkakton dhunë fizike nga njerëz të papërgjegjshëm. Radikalizmi i gjuhës çon shumë lehtë në dhunë radikale. Sulmet verbale kështu pasohen nga sulmet fizike.

“Retorika e urrejtjes që shohim në shoqëri çon në akte urrejtjeje,” tha dje Caputova. “Sulmi fizik ndaj kryeministrit është para së gjithash sulm ndaj një personi, por edhe ndaj demokracisë”, nënvizoi ajo.

Duke iu rikthyer sulmit ndaj Robert Fico-s, është e vështirë të thuhet se çfarë efektesh do të ketë në opinionin publik sllovak (ku ndoshta do të favorizojë Smer, partinë e Kryeministrit) dhe atë evropian.

Shpërthimi i dhunës në këtë fushatë elektorale është diçka që rrezikon të çojë një kthim prapa në Evropë dhe për ta parandaluar nevojitet një ndjenjë përgjegjësie dhe mobilizimi civil evropian në mbrojtje të jetesës demokratike, që zgjedhjet e 6-9 qershorit do e tregojnë nëse i tillë do të jetë.

Sulmi ndaj Robert Ficos, alarm në Bruksel – Tani Rusia dhe Kina mund të përfitojnë nga kjo


Lajmet kryesore