Opinione / Editoriale

KRYEMINISTËR I KRIZAVE


Bordi Editorial

Kryeministri Albin Kurti, edhe pse e ka shumicën komode në Kuvendin e Kosovës, dje na befasoi (a duhet të befasoheshim?!), me tentimin e përsëritjes të një skenari që i ngjante atij të vitit të kaluar, kur “në kohë të pandemisë” e shkarkoi “politika e vjetër” me 2/3 e votave në kuvend.

Vetë Kurti e kishte nxitur prishjen e “koalicionit të shpresës” me LDK-në duke e shkarkuar në mesnatë ministrin e mbrojtjes Agim Veliu si dhe, pas ca orësh në mëngjes, edhe Avdullah Hotin, që në atë qeveri ishte zëvendëskryeministër.

Manovrat që i bëri atëherë Kurti, i përkrahur edhe nga Vjosa Osmani që e përçante LDK-në, ia siguruan Kurtit dyfishimin e votave në zgjedhjet e 14 shkurtit. Brenda vitit që Albini u “viktimizua” LVV dyfishoi numrin e deputetëve nga 29 në 58!

Plani për dje ishte që në një afat më të shkurtë, deri në qershor, të rritet edhe më shumë LVV, duke futur në procedurë të shpejtuar amandamentimin e ligjit zgjedhor me dy nene kyçe që do ta favorizonin rritjen edhe më të madhe të LVV-së.

Ligji parashihte krijimin e bazës më të gjerë për pjesëmarrjen në zgjedhjet të diasporës, duke mundësuar që mërgimtarët të votojnë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Një tjetër plotësim ka qenë ndryshimi i nenit që Kurtit ia ndaloi të jetë bartës i listës së LVV në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Projekti synonte përsëritjen e zgjedhjeve.

Propozohej që kuvendi së pari ta votojë me urgjencë korrigjimin e ligjit zgjedhor, e pastaj të votohet Osmani për presidente.

Por, nuk ishte qëllimi që Osmani të bëhet presidente, përkundrazi të pengohet zgjedhja e saj, në mënyrë që me automatizëm të shpallen zgjedhjet e reja brenda 45 ditëve, siç parasheh ligji.

Kurti ka besuar sërish në llogari fitimprurëse. Nga viti 2017, në tri palë zgjedhje, LVV është rritur vrullshëm.

Në zgjedhjet e reja, që mund të mbahen diku nga fundi i majit, LVV dhe Kurti synonin fitore me mazhorancë absolute përmes numrave të shtuar të votueseve nga mërgata (deri 200 mijë më shumë!)

Një llogari tjetër mbase ka qenë ajo e defaktorizimit të Vjosa Osmanit, pasi që ajo, nëse nuk zgjedhet presidente, nuk do të garojë sërish nën siglën e LVV, por ndaras me partinë e saj Guxo, ose duke u riafruar me LDK-në… LDK dhe Guxo gjithsesi do të dilnin të komprometuara…

Opozita në Kuvendin aktual me prezencën në sallë e pengoi realizmin e këtij skenari primar të Kurtit. Plotësimi i ligjit për zgjedhjet nuk mori 2/3 e deputetëve të pranishëm në seancë dhe nuk do të trajtohet me urgjencë.

A do të ketë ndonjë marrëveshje për zgjedhjen e Osmanit presidente në dy ditët në vijim? Mbetet të shihet. Por, LDK-ja e Abdixhikut nuk besojmë se sërish mund të bëjë kompromise me një të pabesë siç po tregohet qe sa here Kurti.

Për më shumë, mendojmë se me 2 prill ndodhi edhe çarja politike e parë serioze mes Osmanit dhe Kurtit, që nuk do të riparohet lehtë dhe vetëm do thellohet.

Kjo për faktin se Kurti dyshon në Osmanin se është mashë amerikane për kufizimin e pushtetit dhe ambicieve të tij megalomane.

Kurti edhe në mandatin e dytë që e fitoi, po tregon mosrespekt për kufizimet reale që i ka me votat e fituara.  Herën e parë i kishte votat për pushtet në koalicion me LDK-në, por ai e deshi vetëm për veten. E anashkaloi LDK-në duke investuar në përçarjen e kësaj partie.

Kurse tani bëri manovrën e eliminimit të Vjosa Osmanit si partnere katërvjeçare të qeverisjes, me intencë që edhe grupin e saj Guxo ta shkrijë, si Mimoza Kusarin, në LVV, përndryshe e zhduk si faktor politik.

Tani është e qartë se Albin Kurti synon pushtet absolut dhe nuk kënaqet me fitoret e formacioneve ku ai nuk është autoritet i pakontestuar.

Prioriteti mbi prioritetet e Kurtit është që të bëhet “mbret” popullist, t’i bëjë vetë ligjet dhe rregullat, të mos çaj kokën për kërkesat dhe këshillat e partnerëve strategjikë të Kosovës, ta bishtnojë dialogun me Serbinë duke vendosur parime dhe rregulla vetanake…

Krejt këto, jo për ndonjë qëllim final në politikë, por vetëm për ta ruajtur mitin e krijuar të pagabueshmit. Dhe si ruhet ai? Duke krijuar situata “apokaliptike” dhe momente “të mëdha”. Normaliteti sjellë nevojën për ushtrim normal të funksionit të kryeministrit – që në Kosovë pak a shumë përkthehet si “punë dhe zgjidhje e problemeve”.

Prandaj, mos kërkoni shumë nga Albini. Ai thjesht do që të rrijë në pozitën e kritikut dhe jo të autorit. Herën e kaluar kur ishte disa ditë në qeveri e ka parë se është më e vështirë sesa e ka menduar. Kur je me profesion kritik është e zorshme të bëhesh autor. Është pak a shumë si në letërsi. Të gjithë shkrimtarët e dështuar bëhen kritik letërsie. Kurti është kritik i mirë. Kaq.

Pra, nuk është politike. Është psikologjike. Ai e ka vështirë të shkruajë (lexo: punojë), prandaj dëshiron të vazhdojë në rolin e tij të natyrshëm të kritikut. Deri këtu nuk ka gjë të keqe. Problemi është që ai ka qëlluar të jetë edhe Kryeministër i Kosovës.


Lajmet kryesore