Koha për të shpallur tradhtarë dhe armiq është gjithmonë e përshtatshme kur hyn në zonën e fushatës zgjedhore.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe është një shembull i qartë i kësaj taktike.
Nëse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendos se ky vendim është i pabazuar ligjërisht – një mundësi shumë reale duke parë precedentët e mëparshëm – atëherë ai do të atakohet nga qeveria dhe nga “terroristët” e rrjeteve sociale, të cilët kanë krijuar një terren të përsosur për linçim publik dhe përçarje.
Krijimi i armiqve të rinj është një skenar i njohur, një model i vjetër që shihet qartë nga larg.
Kjo situatë nuk është e re. Kjo është strategjia e përsëritur e liderëve që nuk kanë çfarë të ofrojnë, përveç krizave të fabrikuara për të mbijetuar politikisht.
Nacionalizmi, i veshur me ngjyrat e “patriotizmit”, është bërë instrumenti kryesor i liderëve si Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç për të mbajtur pushtetin e tyre. Sa herë që njëri prej tyre përballet me presione të brendshme, tjetri ofron “ndihmë” duke krijuar tensione që forcojnë pozitat e tyre respektive.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ishte paralajmëruar më parë nga Aleksandar Vuçiç dhe opozita serbe. Ky vendim, i përshkruar nga shumë analistë si thellësisht politik dhe jo ligjor, erdhi në një moment kur Serbia po përballet me protestat më të mëdha studentore dhe qytetare në historinë e saj.
Koincidencat e tilla nuk janë të rastësishme në politikën e Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet Kurti-Vuçiç.
Sa herë që Vuçiç gjendet në vështirësi të brendshme, tensionet në Kosovë rriten; po ashtu, sa herë që Albin Kurti përballet me presion për shkak të dështimeve të tij qeverisëse, veriu i Kosovës shpërthen në krizë.
Moscertifikimi i Listës Serbe është një shembull klasik i asaj që mund të quhet “bashkëjetesë nacionaliste” midis Kurtit dhe Vuçiçit. Ky reciprocitet funksionon si një sistem mbijetese politike për të dyja palët.
Kur Vuçiç paralajmëroi këtë zhvillim disa ditë më parë, ai nuk po spekulonte – ai po fliste si pjesë e një loje të mirënjohur që ai dhe Kurti kanë luajtur për vite me radhë. Vendimi i KQZ-së, i motivuar politikisht, ka dhënë material të freskët për propagandën e Vuçiçit në Serbi, duke e ndihmuar atë të devijojë vëmendjen nga protestat dhe krizat e brendshme.
Në thelb, ky reciprocitet është një marrëveshje e heshtur midis dy liderëve pa ide të reja, që prodhojnë kriza për të ruajtur pushtetin e tyre. Në këtë marrëveshje të pashpallur, secili prej tyre përdor tjetrin si mjet për të forcuar pozitat e veta politike. Për Vuçiçin, Lista Serbe dhe tensionet në veri janë karta që e mbajnë atë të fortë para elektoratit nacionalist serb.
Për Kurtin, tensionet në veri dhe moscertifikimi i Listës Serbe janë mënyra për të mobilizuar votuesit shqiptarë dhe për të relativizuar çdo kritikë për dështimet e tij në ekonomi, lirinë e mediave dhe qeverisjen.
Por ky bashkëpunim i heshtur shkon përtej Kosovës dhe Serbisë. Dy Ambasadorë – amerikanë në Serbi, Christopher Hill, dhe ai në Kosovë Hovenier, deklaruan se nuk ka prova që lidhin Beogradin me sulmin terrorist në Ibër-Lepenc. Kjo deklaratë është një shuplakë për qeverinë e Kosovës, e cila, nëse kishte prova që fajësonin Serbinë, nuk arriti t’i paraqiste ato në mënyrë bindëse aleatëve të saj kryesorë.
Në një situatë të tillë, pyetjet janë të shumta: përse institucionet e Albinit nuk i kanë dhënë SHBA-ve informacionet e mjaftueshme për të konfirmuar përfshirjen e Serbisë? A është kjo një shenjë e paaftësisë, apo një strategji për të përfituar nga pasiguria?
Ky është momenti kur marrëdhënia toksike mes Kurtit dhe Vuçiçit bëhet më e qartë. Sulmi në Ibër-Lepenc, një akt që kërkonte planifikim dhe burime, ndodhi në një zonë që pretendohet të jetë nën kontroll të plotë të institucioneve të Kosovës dhe posshtu ka dijeni nga popullata që jeton në atë zonë.
Kjo na shtyn të mendojmë: si ka mundësi që një akt i tillë ndodh pa dijeninë ose pa bashkëpunimin e heshtur të palëve të interesuara? Në vend që të ofrojnë siguri dhe transparencë, liderët e dy vendeve përdorin situata të tilla për të nxitur narrativat e tyre të nacionalizmit dhe për të mbajtur pushtetin. Albini po hesht.
Shembujt nëpër botë e bëjnë këtë model edhe më të qartë. Në shumë vende autoritare, liderët që përballen me presion të brendshëm shpikin armiq të jashtëm për të devijuar të vërteten. Shembuj ka plotë ku Liderë të Lindjes së Mesme shpikin komplote të huaja për të shtypur kundërshtitë. Në të njëjtën mënyrë, Kurti dhe Vuçiç krijojnë një teatër të vazhdueshëm krize për të shmangur reflektimin mbi dështimet e tyre.
Reciprociteti nacionalist i këtyre dy liderëve ka pasoja të rënda për qytetarët e të dy vendeve. Sidomos për qytetarët në Kosovë, që përballen me pasiguri të vazhdueshme, me një ekonomi në ngërç dhe një qeveri që fokusohet më shumë në krizat artificiale sesa në mirëqenien e njerëzve.
Në Serbi, qytetarët përballen me represion dhe një lider që vazhdon të mbajë pushtetin duke i paraqitur serbët e Kosovës si viktima. Në të dyja vendet, qytetarët janë viktimat e një loje të pistë që zhvillohet mes dy liderëve që kanë nevojë për njëri-tjetrin për të mbijetuar.
Në fund, qytetarët e Kosovës dhe Serbisë duhet të kuptojnë se kjo marrëdhënie e krizave të fabrikuara nuk ka për qëllim as paqen, as stabilitetin. Ajo është një mjet për të mbajtur pushtetin duke sakrifikuar të ardhmen e njerëzve të zakonshëm.
Nëse këto politika vazhdojnë, qytetarët do të mbeten peng të një loje cinike ku humbësi i vetëm është Kosova.
Liderët që ndërtojnë pushtetin mbi krizat nuk janë zgjidhja, ata janë problemi.