Opinione / Ekonomi

Kriza energjetike, pse rrezikohet të kemi një tjetër rast “Lehman Brothers”


Federico Fubini Gazetar i "Corriere della Sera"

Ai “crash”, krizë e madhe q5 ndhi me Vëllezërit Lehman në SHBA ishte procesi i zbulimit – fillimisht i ngadalshëm, pastaj i shpejtë – i të metave të fshehura që Wall Street nuk e dinte se i kishte. Siguria ideologjike për të pasur një treg efikas i pengoi ata ta shihnin atë. Tregu ishte, sipas tyre, aq perfekt sa do të kishte rregulluar vetë çdo defekt të tij.

Në këtë drejtim pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë rrezikojnë të bëhen një kopje e asaj pike të thyer të vitit 2008, por këtë herë në lidhje me sistemin energjetik evropian.

Të paktën ky është mendimi i ministrit finlandez të ekonomisë Mika Lintilä, i cili të dielën njoftoi për një ndihmë publike prej 10 miliardë eurosh për kompanitë e energjisë elektrike të vendit, ndërsa qeveria suedeze shpalli një nismë prej 23 miliardë eurosh për të sajat.

Kjo situatë “ka përbërësit për t’u bërë ‘Lehman Brothers’ në sektorin e energjisë”, tha Lintilä. Dhe në të vërtetë sot Evropa e gazit dhe elektricitetit po përjeton një dinamikë që kujton mënyrën në të cilën ajo përplasje e vitit 2008 filloi nga një cep i errët i tregut – nga titujt subprime – për të zbuluar të metat e sistemit kudo.

Prerja e furnizimeve

Pika e nisjes sot është shkurtimi i furnizimeve që Rusia vendosi të aplikojë duke ngritur  kështu në qiell  çmimet e metanit. Nëse Vladimir Putin po i drejtohet hakmarrjes, kjo është për shkak se sanksionet janë dukshëm të mprehta dhe diktatori i Moskës po përpiqet të shtyjë Evropën t’i tërheqë ato.

Ai shpreson se strategjia e tij do të përhapë një valë tronditëse në rrathë koncentrikë, të cilët do të zbulojnë njëra pas tjetrës dobësitë dhe qoshet e errëta të arkitekturës energjetike evropiane.

Njëri prej atyre rretheve ndodhet në Leipzig, Saksoni. Quhet Bursa Evropiane e Energjisë (EEX) dhe ka si aksionarë për 75% Deutsche Börse-n, por edhe Enel-in italian me 1.59%, Edison-in po italian me 0.5% dhe Électricité de France me 0.45%. Ai është platforma kryesore e kontinentit për shkëmbimin e kontratave të së ardhmes së energjisë elektrike.

Çdo muaj, rreth 500 prodhues të energjisë elektrike në Bashkimin Evropian shesin megavat orët e tyre atje përmes kontratave që i angazhojnë ata të dërgojnë sasi shumë specifike në një, dy ose tre vjet me çmime të paracaktuara menjëherë.

Duket se është një treg krejtësisht efikas ose, siç e quajti CEO i tij Steffen Köhler ditë më parë, “thelbësor për sigurinë dhe transparencën e çmimeve”. Në kohë normale, ndoshta. Por në këto kohë lufte ekonomike me Putin-in, mekanizmat e tij financiarë kërcënojnë të shkaktojnë një zinxhir falimentimi për shumë dhjetëra miliarda euro dhe të detyrojnë qeveritë të shpëtojnë kompanitë e energjisë elektrike në kurriz të taksapaguesve fillimisht të pavetëdijshëm, por tepër të inatosur më pas.

Qeveria finlandeze me 10 miliardë garanci publike, Suedia me 23 dhe Gjermania me të paktën 11 miliardë të angazhuar për grupin e energjisë “Uniper’ janë tashmë duke hapur atë rrugë. Franca po shtetëzon “EdF”.

Në fund të fundit, ata të gjithë po përsërisin atë që shumë qeveri perëndimore bënë për bankat mbi një dekadë më parë.

Kërkesa për garanci

Sot, ekspozimi financiar i kompanive të energjisë elektrike për shkak të mekanizmave të platformës “EEX” në Leipzig është kolosal: rreth 200 miliardë euro janë grumbulluar pothuajse të gjitha në muajt e fundit – sipas vlerësimeve të industrisë – nga të cilat vetëm rreth 30 ose 40 të tjera më shumë vetëm dje me rritjen e çmimeve të energjisë.

Mjaftoi që Gazprom të zgjaste mbylljen e gazsjellësit Nord Stream 1, duke shkaktuar rritje të fortë të indekseve në platformat e gazit dhe energjisë elektrike, që qindra kompani të hapnin linjat e tyre të kreditit me bankat për të paguar kështu garanci të reja ndaj “EEX-it”.

Çdo ngritje e çmimeve i detyron prodhuesit e energjisë elektrike që marrin pjesë në tregun e Leipzig-ut të bëjnë pagesa të reja. Kjo edhe nëse çmimet tashmë janë rritur dhjetëfish ose më shumë; edhe sikur të jenë fryti teorik – i prodhuar nga një algoritëm – i shkëmbimeve që as nuk ndodhin më në këtë platformë të Leipzig-ut, sepse tani është shumë e varfër në likuiditet. Edhe nëse oferta dhe kërkesa nuk takohen dhe shkëmbimi nuk bëhet, inteligjenca artificiale i vendos çmimet lart.

Rregullat

Shkaku është teknik. Sikur të ishin tregtarë të pastër, prodhuesit e energjisë elektrike që shesin me kontrata që kanë datë skadence (për shembull: dorëzimi i një sasie të caktuar në shtator 2024 me 200 euro për megavat orë) detyrohen të paguajnë garanci në bursën e Leipzig-ut sa herë që çmimi rritet më shumë se sa ai i parashikuar në kontratat e tyre.

Supozimi është se shitësi teorikisht mund të duhet të blejë sasitë që ai ka marrë përsipër të furnizojë më pas, kështu që bursa dëshiron të jetë e sigurt nëse operatori ka para për ta bërë këtë.

Është metoda që zbatohet nga trader-at për titujt me afat, por këto kompani nuk kanë nevojë të blejnë lëndën e parë sepse e prodhojnë vetë.

Tashmë stresi financiar i disa prej tyre është i tillë që disa banka kanë likuiduar pozicionet e tyre për të rikuperuar një pjesë të kredive, duke prishur kështu furnizimet me energji.

Kohët e fundit, kompanitë e energjisë elektrike i kërkuan “EEX-it” të ndryshonte rregullat, por drejtuesit e Leipzig-ut u thanë atyre që të merrnin ndihmë nga qeveritë, siç ka bërë tashmë Gjermania.

Tani sistemi po ecën mbi një shtresë akulli të hollë. Kohët e fundit likuiditeti tregtar ishte më pak se 100 mijë euro në ditë për kontratat e titujve njëvjeçarë dhe praktikisht zero për maturimet më të gjata.

Do i mjaftonin monedha Gazprom-it për të manipuluar sistemin për të rritur çmimet përmes një tregtari të korruptuar. Algoritmet e Leipzig-ut do të çmendnin çmimet e energjisë elektrike në Evropë duke çuar në rritje edhe pas ofertash shumë të vogla, apo pas shkëmbimesh që nuk shkojnë deri në përfundim.

Kështu prodhuesit po hyjnë gjithnjë e më shumë në borxh për të paguar garanci të tjera. Ndaj dhe e meta në sistemin e përsosur të tregut, në kohën e Putin-it, po bëhet një humnerë.

 


Lajmet kryesore