Opinione / Sport

Kosova para sfidave të marsit dhe e ardhmja në dyshim


Shpend Thaçi, Gëzim Krasniqi
“Fatura e Vjeshtës”

Kosova po përgatitet për ta filluar ciklin e ri kualifikues për botërorin e Katarit. Ekipi ynë kombëtar gjatë këtij muaji ka në kalendar tre ndeshje për t’i luajtur, ku njëra është e karakterit miqësor (ajo ndaj Lituanisë me 24 mars), kurse dy të tjerat janë për kualifikim në botëror (ndaj Suedisë me 28 mars, gjegjësisht Spanjës me 31 mars). Para se t’i qasemi këtyre ndeshjeve, duhet t’i rikthehemi asaj që ndodhi gjatë vjeshtës me ekipin tonë kombëtar. Si mund të mësojmë nga lëshimet dhe gabimet e shumta, që ato mos të na zënë të papërgatitur sërish

Kuptohet, pas çdo gabimi duhet të vijë faza e reflektimit. Reflektim i cili po duket i pjesshëm dhe jo i tërësishëm. Të gjithë indikatorët në shtator të vitit 2020 çonin te një nevoja e një ndryshimi gradual të kontigjentit të lojtarëve të ftuar. Ani se disa kishin kaluar një sezon futbollistik si ai 2019/2020 tërësisht në rënie formeje, shtabi teknik megjithatë mendoi se mund të llogarisë në disa lojtarë, të cilët sipas pritshmërive të tyre duhet ta kishin rendimentin e vjeshtës, 2018, ku luanim për herë të parë në ligën D të formatit “Nations League”.

Kalkulim i gabuar. Mesfushorët vinin nga lëndimet e shumta që i kishin lënë deri 7 muaj larg fushave të gjelbra. Me gjithë gjendjen jo të volitshme me formën e ekipit, shtabi teknik dhe FFK shpërfillën nevojën dhe thirrjet për hapje ndaj lojtarëve që ishin me minutazh dhe me formë atëbotë në ngritje. Fatkeqësisht, mbizotëroi konservatorizmi i trajnerit zvicran, Bernard Challandes, deri kur u përplasë me të vërtetën. Rezultatet i dimë të gjithë.

Të flasësh pasi të ndodhin gjërat, me raste tingëllon si moralizim i tepruar. Megjithatë, nuk mund të themi se nuk i kishim sinjalet paralajmëruese. Nga jashtë u duk se FFK u koncentrua së tepërmi tek afrimi i sulmuesit me pasaportë zvicrane, Andi Zeqiri. Marketingu që iu bë atij nga FFK, opinioni publik dhe vet familjarët e tij, la disi nën hije disa lojtarë që ishin shënjestra më të lehta për t’u afruar. Si përfundoi tërë kjo histori, tashmë e dimë të gjithë. Por, sa na kushton edhe sot “fatura e vjeshtës?”

Nisemi nga parimi që nëse tregohesh konservator në sistem siç ka ndodhur me Challandes dhe nëse eksperimenton pa ndonjë paramendim të qëlluar, mund të quhet lloj përparësie për të ardhmen që shtegtimi i tillë aventurier të përfundojë. Përkthyer me shembull të thjeshtë, Celina nuk mund të luajë më sulmues i djathtë në sistemin 4–3–3, kur nuk e ka bërë më shumë se dy herë në karrierë të tij. Pra, gjatë këtij marsi presupozojmë që disa vendosje ç’orientuese në fushë të lojtarëve të mos ripërseriten më. Ose, thënë edhe diçka tjetër, nuk mund t’u kundërvihesh tre kundërshtarëve për 7 ditë me më pak se 22 lojtarë. Do të thotë, këto lëshime foshnjarake, që ishin të pranishme grumbullim pas grumbullimi në momente përcaktuese, duhet të bëjnë që shtabi teknik ta vendosë gishtin mbi kokë dhe mos ta gjejë vetën më në pozitë ku i mungojnë alternativat në bankën rezervë.

Përgjithësisht, Kosova ka mbetur viktimë e vetvetës dhe asaj çfarë ka treguar në 2018, me kundërshtarë të profilit më të ulët, por që tani opinioni publik krahasimet i bënë me ato paraqitje të atëhershme. Siç kanë treguar dy kualifikimet e fundit për “Euro 2021” dhe “Nations League” gjatë vjeshtës që lëmë pas, mesfushorët tanë nuk janë mjaftueshëm të shkathtë për ta diktuar tempon e lojës ndaj kundërshtarëve. Krejt kjo si shkas i një përgatitje fizike të mangët dhe që nuk e kemi një lojtar që di të avancojë me top nga mesi i fushës dhe të depërtojë në të dy korridoret për të liruar hapësira për katërshen e sulmit. Si rezultat i gjithë kësaj, loja jonë bëhet e lexueshme, pasi me një dyfishim të anësorëve nga kundërshtarët dhe rritjen e intensitetit të presionit ndaj mesfushorëve, organizimi i lojës përqendrohet te qendërmbrojtësi ose mbrojtësi i krahut. Me emra konkret, Fidan Aliti ose Mërgim Vojvoda. I pari sa herë i ka rënë kjo përgjegjësi është vetfutur në vështirësi, kurse Vojvoda ose Hadërgjonaj, nuk mund ta hapin lojën kur mesfushorët pa top nuk lëvizin mjaftueshëm. Mandej, koncentrimi i topave të gjatë te sulmuesi qëndror ose te ata anësorë, sjell vetëm një mori rivëniesh fundore, gjegjësisht anësore ose thënë ndryshe topa të humbur me bollëk, çka reflektojnë rritje të nervozizmit me kalimin e minutave dhe paqartësi në lojë.

Ky duhet të jetë një mësim për Kosovën. “Fatura e vjeshtës” duhet të na ulë kokën dhe duhet të jemi më racionalë. Në Prishtinë ndaj Greqisë dhe Sllovenisë nuk është që na dominuan, por thjesht, ishim të lexueshëm në mënyrën se si aplikojmë futboll, duke na pritur edhe na ndëshkuan. Mësimi duhet të jetë i atillë sa që të jemi mjaftueshëm të vetëdijshëm se nuk mund të ngarkohemi me hijen e paraqitjeve nga marsi 2018, deri në nëntor të vitit në fjalë. Nuk jemi dominues. Nuk duhet të presim të jemi të tillë. Nëse çalesa e tejdukshme në organizim të lojës është e ditur dhe e shprehur, duhet të na përqendrojë që diçka të tillë ta mbulojmë në forma tjera, pse jo duke u mbështetur edhe në module tjera të lojës. Shembulli më i mire është ndeshja ndaj Greqisë në Athinë. Nuk ishte Kosova më e bukur, por ishte ndër ndeshjet me organizimin më të mirë në mbulim të hapësirave të ndryshme në fushë.. Frika është se me dy mesfushorë si balancues, me formën që po kalojnë, nuk na sigurohet as qarkullimi i topit e as fitimi i topave të dytë, detaj ky i fundit që e bën dallimin në futboll. Megjithë, respekt për kontributin e dhënë dhe emocionet që na kanë dhënë në periudhën 2016–2019, dyshja e mesfushës së Kosovës nuk ofron aspak siguri përballë ekipesh cilësore. Fatkeqësisht, ata dështuan të dominojnë mesfushën kundër një ekipi me lojtarë fare modest, si Moldavia. Andaj, tashmë që reparti i mbrojtjes është konsoliduar dukshëm, është thelbësore të mendohen alternativat për mesfushë dhe/ose alternim të sistemit të lojës. Përndryshe, dyshja e mesfushës do të vazhdojë të mbetet ‘thembra e Akilit’ e ekipit kombëtar.

Duke i rrumbullaksuar krejt këto, 8 paraqitjet e fundit gjatë vjeshtës që lëmë pas duhet të jenë dëshmi se ndryshimi në qasje të lojës është i domosdoshëm. Nuk duhet të mbetemi peng i një stili të lojës apo i asnjë “të besuarvet të përhershëm” (lojtarë) në fushë, nëse këta të fundit me rendimentin që kanë në klub nuk ofrojnë freskinë dhe dinamizmin e duhur për kombëtare.

Meqë emotivisht si ambient kampi kosovar është i ndjeshëm, ku tej mase ndikojnë komentet anësore mediale e deri te ato virtuale nga tifozët e thjeshtë, qëllimmirë ndoshta do të ishte izolimi sa më hermetik ndaj të gjithë personave të jashtëm, sepse tek disa mandej po reflekton për të keq në fushë, ngase ose po vetstimulojnë presion ose po rrëshqasin në vrimën e presionit që po u injektohet.

Kosovën në mars do të duhej ta shihnim me disa fytyra të reja dhe me disa lojtarë që do duhet t’u përendonte cikli në kombëtaren kosovare, si rezultat i formës në rënie dhe i mos-minutazhit në klube ku aktivizohen. Diçka e tillë lista e fundit nuk e arsyetoi, sado që ky është ndryshimi bazik. Mungesa e sinjaleve për ripërtrirje graduale pa asnjë dyshim është tregues që jemi në vendnumërim.

Problemet organizative dhe çështja e imazhit

Ndeshjet e vjeshtës 2020 njashtu kanë konfirmuar një varg lëshimesh dhe dështimesh në organizim të shtëpisë së futbollit kosovar. Fatkeqësisht, në vend të debateve të hapura për ndryshime dhe përmirësime, për një kohë të gjatë FFK ka qenë e mbërthyer në një luftë të pacipë për pushtet dhe betejë mediatike në mes kryetarit të saj dhe disa presidentësh klubesh e bashkëpunëtorë të tyre nëpër media të ndryshme.

Për një kohë të gjatë, FFK ka arritur që të fshihet pas sukseseve të kombëtares dhe me shumë gjasë është shpresuar shumë që një kualifikim i mundshëm për EURO 2020 (shtyrë për 2021) do përligjte status quo-në dhe do krijonte imunitet nga kritikët për vet zyrtarët e FFK-së. Padyshim, dështimi në play-off në masë të madhe i atribuohet edhe FFK-së. Kjo për disa arsye. E para, pavarësisht marketingut dhe fushatës në emër të “afrimeve të reja”, FFK dështoi që të përforcojë ekipin kombëtar në prag të ndeshjes historike kundër Maqedonisë së Veriut, sidomos në pozitat ku nuk kemi alternativa.

Ky dështim u bë edhe më me peshë e me pasoja si rrjedhojë e situatës me pandeminë dhe lëndimet e disa lojtarëve kyç të Kosovës, duke bërë që ekipi të futet në ndeshjen më të rëndësishme në histori i hendikepuar tejmase. Kosova jo vetëm që mbeti pa lojtarët kryesorë (Rrahmani, Muriqi, Rashica), por në tërësi kishte vetëm 20 lojtarë në gatishmëri. Ky është tregues i qartë i shkurtpamësisë së federatës dhe shtabit, por edhe arrogancës e naivitetit sportiv. Humbja është pjesë e lojës, por ajo që dhemb edhe më shumë lidhur me këtë dështim krejt të paralajmëruar (shenjat se FFK dhe shtabi teknik nuk kanë reflektuar fare u panë qartë qysh në grumbullimin e shtatorit) është fakti që Kosova humbi nga një ekip krejt mesatar me lojtarë nga liga vendore dhe liga tjera nën mesatare (pa përjashtuar yjet si Alioski, Ademi, Bardhi, Pandev, etj).

Mbi të gjitha, kampanja e vjeshtës 2020 është tregues i mungesës së planifikimit strategjik dhe bashkërendimit në mes FFK-së dhe shtabit teknik, por edhe vet brendapërbrenda shtabit teknik. Asnjëherë nuk është bërë e qartë cili ka qenë roli i ndihmëstrajnerëve të ekipit A dhe raporti i tyre me trajnerin Challandes. Përjashto trajnerin e portierëve, të tjerët s’është se kanë pasur ndonjë rol pozitiv në planifikim të ndeshjeve, përgatitje të skemave apo punë individuale me lojtarë të caktuar. Andaj, sjellja e dy ndihmëstrajnerëve të ri, sado që veprim i vonuar, është pozitiv dhe do ndikojë në ngritjen e cilësisë në shtabin teknik. Gjithsesi, FFK edhe në këtë rast ka dështuar për të komunikuar hapur dhe qartë me opinionin sportdashës për ndryshimet në shtab.

Një proces i ngjashëm, pra ndryshime të pjesshme, ka ndodhur edhe te grupmoshat U21 ku trajneri Rafet Prekazi është zëvendësuar me Michael Nees, që më parë ka kryer funksionin e drejtorit teknik në FFK. Pa dyshim që edhe ky ndryshim është i mirëseardhur marrë për bazë rezultatet shumë të dobëta të ekipit U-21. Gjithsesi, mbetet e paqartë nëse edhe pjesëtarët e shtabit teknik U-21 janë zëvendësuar. Përkundër spekulimeve, akoma mbetet e paqartë nëse ndryshime do ketë edhe në grupmoshën U-19. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në grupmoshat e reja dhe ndryshimet rrënjësore në shtabe teknike mbesim esenciale për të rritur profesionalizmin dhe rrjedhimisht edhe rezultatet.

Mënyra se si janë bërë këto ndryshime është tregues i mungesës së profesionalizmit në komunikim publik të FFK-së dhe mungesës së plotë të transparencës. Më shumë sesa thjesht joprofesionalizëm, qasja e FFK-së në raport me individë të caktuar, pjesë të shtabeve teknike apo pretendentë për pozita të tilla (shumë prej tyre figura me shumë bagazh sportiv), është edhe sjellje përçmuese e arrogante.

Pavarësisht gjendjes së mjerë, nuk ka shenja deri më tani që FFK ka ndonjë plan për të përmirësuar komunikimin publik dhe imazhin e kombëtares dhe të futbollit. Mjafton të përmendet mënyra arkaike e postimit të lajmeve, fotografive e video-njoftimeve në faqen e internetit, që është e padenjë për një degë lokale të shoqatës së gjuetarëve e lëre më për institucionin më të lartë të futbollit në vend, anëtar i FIFA-së dhe UEFA-së.

Një tjetër aspekt ku FFK vazhdon të tregojë mungesë të tërësishme kreativiteti është çështja e imazhit. Kosova është vendi i vetëm që ka përdorur të njëjtën fanellë (që si e tillë është krejt pa shije dhe aspak origjinale) në tre cikle të ndryshme eliminatore. Çështja e logos dhe e dizajnit të fanellave ka vlerë të madhe simbolike. Prandaj vendimet për to duhet të merren në konsultim të gjerë me ekspertë të fushave të ndryshme dhe jo nga 2–3 individë në FFK pa ndonjë ekspertizë apo kreativitet. Ndryshimi i logos dhe fanellave është hap pozitiv por, si edhe më parë, FFK ka zgjedhur diskrecionin e plotë në vend të debatit të hapur me sportdashës e ekspertë të fushës.

Dështimi më i madh pa diskutim që mbetet infrastruktura. FFK ka dështuar plotësisht që për 5 vjet që nga pranimi në FIFA dhe UEFA të ndërtojë një fushë ndihmëse për grumbullimin e kombëtarës dhe një stadium të dytë të licensuar për ndeshje ndërkombëtare. Kosova është vendi i vetëm në Evropë dhe më gjerë që ndeshjet për të gjitha grupmoshat e kategoritë si dhe stërvitjet e ekipit kombëtar, I zhvillon në një stadium të vetëm. Megjithë 2–3 investime të ndryshme milionëshe, stadiumi ‘Adem Jashari’ është jashtë përdorimit qe 2 vjet dhe pa asnjë shpresë për renovim të shpejtë. Kësisoj, impianti ‘Fadil Vokrri’ rrezikon të degradohet shpejt si rezultat i mbingarkesës, duke rrezikuar që në një ardhme të afërt Kosova përsëri të detyrohet t’i zhvillojë ndeshjet si nikoqir jashtë vendit. Në mungesë të kampit nacional dhe fushave ndihmëse, FFK është në mëshirë të kushteve atmosferike për përdorim të fushës për stërvitje. Është e turpshme për një kombëtare pretendente për pjesëmarrje në kampionate që të lëvizë vërdallë, sa në Kastriot, Drenas e Hajvali, në kërkim të fushës për stërvitje, apo edhe ta anulojë tërësisht stërvitjen për të mos e dëmtuar fushën e stadium të vetëm të licensuar.

Mënyra e paskrupulltë e përdorimit të suksesit të kombëtares për promovim personal dhe mbulim të dështimeve të shumta të zyrtarëve të FFK-së, për vite të tëra u duk se më në fund mori përfundoi me dështimin e paralajmëruar në finalen e tetorit. Fatkeqësisht, nuk ka ndonjë tregues të qartë e inkurajues se ai dështim ka nxitur reflektim të thellë në shtabin teknik dhe në federatë për problemet strukturore që duhen adresuar. Përgjithësisht, ndryshimet mbesin sipërfaqësore dhe nuk nxisin shumë shpresë tek opinioni futbolldashës. Në një situatë të tillë, si përherë, shpresa e vetme mbetet magjia e djemve dhe vajzave të ekipit kombëtar në fushën e lojës.

Pritjet nga ndeshjet e marsit

Siç u tha më lartë, fatkeqësisht, nuk ka ndonjë ndryshim përmbajtësor në FFK dhe në kombëtare që nga dështimi turpërues në ndeshjet e palyoff-it në vjeshtë. As në aspektin organizativ, atë të imazhit, e as në atë sportiv. Pa diskutim, aspekti më problematik dhe shqetësues mbetet ripërtrirja e ekipit kombëtar. Lista e publikuar për këto ndeshje është tregues alarmues se FFK përfundimisht ka dështuar në rekrutimin e lojtarëve me origjinë nga Kosova që do kishin pasur mundësi ta rrisin konkurrencën dhe cilësinë e ekipit.

Pa mohuar zgjedhjen e vet lojtarëve, që është e drejtë e tyre e pamohueshme, mosardhja e lojtarëve të ri tregon për mungesë të plotë të planifikimit strategjik nga ana e FFK. Është injorancë të pretendohet që lojtarët potencial të lindur e rritur në Evropë binden me mesazhe bajate të tipit ‘e keni obligim moral të përfaqësoni vendlindjen e prindërve’. Zgjedhjet e lojtarëve varen nga shumë faktorë emocionalë, sportivë, biznesorë, etj. Mbi të gjitha, aftësia për të shpalosur projektin sportiv dhe objektivat e kombëtares janë faktorë esencial që mund të ndikojnë pozitivisht në afrimin e lojtarëve të rinj. Paraqitjet televizive të disa përfaqësuesve të FFK-së në Evropë, që ndër të tjera kanë rol në afrimin e lojtarëve të rinj, lënë shumë për të dëshiruar. FFK duhet urgjentisht të shqyrtojë afrimin e shumë individëve më karrierë të bujshme, si Enis Alushi, Milaim Rama, Sinan Bytyqi, etj, në ekipin që mirret me rekrutimin e lojtarëve të rinj.

E dyta, lista e publikuar është skandaloze në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ajo vë në pah dy probleme kardinale. E para, nuk ka asnjë shpjegim sportiv — nëse merret për bazë forma, kualiteti i ligës e ekipit — lënia jashtë e lojtarëve si Zymer Bytyqi, Valmir Sylejmani, Florian Loshaj e Florent Muslija dhe grumbullimi i lojtarëve si Atdhe Nuhiu, Elbasan Rashani dhe Florent Hasani (për shkak të mungesës së minutave dhe ndryshiumit të ekipit). Marrë për bazë moshën dhe rënien e shpejtë në karrierë, Nuhiu dhe Rashani do duhej përshëndetur me kombëtaren e Kosovës qysh në ciklin e kaluar në vjeshtë. Ata s’kanë asgjë për t’i dhënë këtij ekipi. Shumë më mirë që në vend të tyre të ftoheshin lojtarë premtues si Arian Kastrati, Dion Berisha e Rilind Hetemi (të grumbulluar me U-21). Skandali me listën tregon ose mungesë meritokracie, ose konflikt të interesit në përzgjedhjen e lojtarëve. Në cilindo rast, pasojat janë të tmerrshme. Ato mund të dërgojnë në dekurajim të lojtarëve të rinj që mund t’i bashkohen Kosovës (pse do pranonin të vinin kur e dinë që në kombëtare ftohen regullisht lojtarë të caktuar?), ose edhe largim të tyre (siç po përflitet këto ditë për Zymer Bytyqin që mund t’i bashkohet Shipërisë).

Dështimi i dytë lidhet direkt me trajnerin Challandes. Në tetor më një kokëfortësi të paparë, ai vuri bast në stilin e lojës së tij (4–2–3–1) dhe lojtarët si Nuhiu, Shala, po edhe Rashani, që duhej zëvendësuar me prurje të reja, dhe dështoi. Faturën e dështimit e paguan FFK, futbolldashësit dhe Kosova në përgjithësi. Qartësisht, Challandes nuk ka reflektuar fare. Veprimet e tij të përçudshme në përzgjedhje të lojtarëve po ndikojnë direkt në rezultate negative dhe, ç’është më me rëndësi, po rrezikojnë të dëmtojnë të ardhmen e ekipit. Nuk duhet harruar që një ndër arsyet e angazhimit të tij në rend të parë ishte origjina e tij dhe njohuritë e tij për ligën zvicerane, ku ka shumë futbollistë me origjinë nga Kosova. Challandes ka dështuar thellë në sjelljen e lojtarëve cilësorë nga Zvicra. Për më shumë, ngurtësia e pashpjeguar e tij ka çuar në stagnim të ekipit kombëtar. Me një apo dy përjashtime, Challandes bazohet në ekipin që me shumë mund e sukses e ka ndërtuar paraardhësi i tij i shumëkritikuar, Albert Bunjaki. Me një dallim, ekipi i Bunjakit kishte moshën mesatare 21–22 vjet, ndërsa sot në mungesë të ripërtritjes, mosha mesatare e ekipit është 26–28 vjet.

Ky cikël eliminator do ishte mundësi ideale për ripërtrirje të ekipit dhe inkuadrim të disa lojtarëve të ri e cilësorë për të siguruar vazhdimësinë dhe rritjen e cilësisë. Me shumicën e lojtarëve kryesorë që po i afrohen moshës 30 vjeçare, dhënia hapësirë dhe promovimi i sa më shumë lojtarëve të rinj që potencialisht do bartnin barrën e lojës në 2–3 vitet e ardhshme, është jetik. Fatkeqësisht, mungesa e vizionit të FFK-së dhe ngurtësia e trajnerit Challandes e kanë sjellë kombëtarën në një pikë kritike ku gati gjysma e listës së lojtarëve që ftohen rregullisht ose janë në moshë, kanë stagnuar në karrierë, janë krejt të padobishëm për ekipin, ose të gjitha së bashku. Kjo, bashkë me fushatën agresive nga federata zvicerane dhe ajo shqiptare për të bërë për vete talentët me origjinë nga Kosova, rrezikojnë seriozisht që për 1–2 vite të shndërrojnë Kosovën në ekip mediokër që në vend të luftës për pjesëmarrje në gara prestigjioze, lufton për të përmirësuar rekordet negative të kampanjave paraprake. Kosova meriton dhe mundet më mirë.

___

Kjo kolumne është shkruar për Albanian Post. Ndalohet kopjimi, përdorimi apo përpunimi pa lejen e autorëve dhe të mediumit.


Lajmet kryesore