Republika e Kosovës është projekt kombëtar i shumë brezave të shqiptarëve, i ndërtuar mbi vuajtje pafund, mbi skamjen e urinë të atyre që ua morën të gjitha, mbi kalvaret e torturat në burgjet e Serbisë, mbi lotët e qindra mijëra të dëbuarve nga trojet e veta, dhe më e rëndësishmja mbi gjakun e dëshmorëve të rënë për më shumë se një shekull. Dhe kur e kujtoj gjithë këtë, nuk kam si të mos ndihem keq dhe i fyer para zhvlerësimit që sot partitë politike, dhe deputetët e zgjedhur të kësaj legjislature, po i bëjnë shtetit të Kosovës.
Ky brez politikanësh (që shtetin e Kosovës e kanë të trashëguar nga puna e palodhshme e Presidentit themeltar Ibrahim Rugova, veprimtarit emblematik Adem Demaçi, si dhe nga UÇK, e përfaqësuar nga ish Presidenti Hashim Thaçi që e lexoi aktin e shpalljes së pavarësisë në një seancë të udhëhequr nga Jakup Krasniqi, e që tani padrejtësisht po mbahen në burgun e Hagës) nuk kanë asnjë të drejtë që me improvizimet dhe papërgjegjësinë e tyre t’i japin të drejtë armiqve tanë që thonë se shteti i Kosovës është një improvizim, një mutacion politik dhe juridik, që nuk duhet të ekzistojë.
Deklarimi i fundit i Kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, njëherësh deputet i legjislaturës aktuale, ku ai fillimisht thotë që LDK do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, cilido qoftë ai, dhe më pas bie në kundërshtim me veten duke thënë se nëse Gjykata Kushtetuese vendos që votimi i fshehtë është i lejuar, deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në proces për ta shprehur kundërshtimin e tyre hapur. “Ata do të dalin, do të marrin letrën aty të tavolinat ku bëhet ai komisioni, do ta plotësojnë kundër, do ta tregojnë te kamera lartë dhe do ta vendosin në kuti të votimit – 20 vota kundër. S’ndryshon asgjë…”, deklaroi Abdixhiku. Nëse ky deklarim jetësohet me veprime konkrete, atëherë sjellja sipas këtij skenari përbën shkelje të thellë të parimeve themelore të Kushtetutës së Kosovës.
Përcaktimi për një shtet demokratik është i vendosur në krye të kushtetutës, në pikën 1 të nenit 1, ndërkaq vlerat dhe parimet e demokracisë, si themeltare për rendin kushtetues të Kosovës, janë të përcaktuara në pikën 1 të nenit 7 të kushtetutës. Këto parime dhe vlera janë riafirmuar edhe në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO119/14, të datës 26 Gusht 2014. Në pikën 125 të këtij Aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese konstaton si vijon: “Gjykata konsideron se mënyrat e ndryshme të votimit kanë për qëllim të sigurojnë shprehjen demokratike dhe të pavarur të vullnetit të deputetëve dhe të sigurojnë të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve te tyre”. Pra, Gjykata e thekson nevojën për të siguruar tërësisht pasqyrimin e vullnetit të pavarur të deputetit.
Ky konstatim i Gjykatës buron nga neni 70 i Kushtetutës. Pika 1 e nenit 70 thotë: “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”. Me fjalën “mandat detyrues” nënkuptohet çfarëdo forme e presionit nga kushdo apo e ndonjë ndikimi të jashtëm në vendimmarrjen e deputetit. Fryma e këtij parimi kushtetues është sqaruar më tutje në pikën 1, të nenit 3, të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, ku thuhet, “deputeti është përfaqësues i qytetarëve dhe gjatë mandatit të tij i nënshtrohet vetëm ndërgjegjes së tij”. Pra, që nga momenti kur e jep betimin, deputeti nuk është përfaqësues i subjektit të tij politik. Po ashtu duhet theksuar që subjekti politik të cilit deputeti i ka takuar në momentin e zgjedhjes nuk është ndërmjetës në mes të qytetarëve dhe deputetit. Raporti dhe lidhja e deputetit me subjektin politik, të cilit i ka takuar në momenti e zgjedhjes, përcaktohet kryekëput vetëm nga ndërgjegjja dhe vlerësimi tërësisht i pavarur i deputetit.
Ky është një rast i mirë për të përkujtuar që neni 74 i kushtetutës thotë qartë që deputeti mund ta ushtrojë funksionin e vet vetëm në pajtim të plotë me kushtetutën, ligjet dhe rregulloret në fuqi. Deklarimi i zotëri Abdixhikut, në cilësinë e tij si Kryetar i LDK-së, ku ai paralajmëron shkeljen dhe rrënimin e parimeve kushtetuese dhe ligjore, që e garantojnë pavarësinë në vendimmarrje të deputetit, janë më shumë se skandaloze. Jetësimi i këtij skenari është sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, sepse synon ndryshimin e parimeve themelore të rendit kushtetues. Para veprimeve të tilla është mirë të konsultohet neni 121 i Kodit Penal të Kosovës. Si veprim, ushtrimi i presionit, me qëllim të pengimit të pavarësisë së deputetit, qëndron plotësisht brenda përkufizimit “dhunë” dhe “kanosje të dhunës”, të precizuara në pikën 1 të nenit 114 të Kodit Penal.
Të nderuar deputetë të kësaj legjislature, shteti i Kosovës nuk është improvizim dhe as lodër për tekat tuaja të papërgjegjshme. Si një ish i burgosur politik, si një veprimtar i Qeverisë së Përkohshme të vitit 1999, si një nga hartuesit e kushtetutës aktuale, si ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por më e rëndësishmja si qytetar i lirë i këtij vendi, ju lus që të reflektoni mbi tekstin e betimit tuaj si deputet. Akti i betimit nuk është thjesht formalitet, zbatimi pikë për pikë i asaj që keni lexuar në mënyrë solemne dhe e keni firmosur me dorën tuaj, është detyrim kushtetues dhe një akt themelor i përkushtimit tuaj ndaj shtetit të Kosovës.