Opinione / Kolumnistët

Kosova ka fituar, tashmë duhet të shohë përtej drejt së ardhmes


Gerta Zaimi, Stefano Marcelli

Albanian Post pak ditë më parë botoi një letër të editorit drejtuar kolegëve të tij serbë duke kërkuar që të luftojnë virusin paralizues të nacionalizmit dhe të fillojnë të shikojnë drejt të ardhmes së vendit të tyre.

Kësaj radhe ne dëshirojmë t’u bëjmë thirrje kolegëve tanë, intelektualëve dhe politikanëve kosovarë, që të bëjnë të njëjtën gjë.

Nga Evropa kanë mbërritur rreth njëzet modele mbi bazën e të cilave është e mundur të ndërtohet arkitektura e Asociacionit të Komunave Serbe.

Do të thotë se vetëm në Evropë ka njëzet raste të tjera në të cilat një pakicë etnike është integruar në një shtet me gjuhë, kulturë dhe histori kombëtare të ndryshme.

Gjithashtu në Evropë, 200 grupe të ndryshme etnike jetojnë së bashku.

Kjo panoramë duhet t’i nxjerrë kosovarët nga një vizion disi egoist rreth çështjes dhe t’i bëjë ata të kuptojnë se problemi që ka të bëjë me dhjetë fshatra me shumicë serbe të shpërndara brenda territorit të një shteti të vogël ballkanik nuk mund të përbëjë prioritet për komunitetin ndërkombëtar.

Dhe as që mund të mendohet të zgjidhet çështja thjesht me një shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Do të ishte një precedent shumë i rrezikshëm, jo vetëm për Ballkanin.

Ridizajnimi i kufijve territorialë të shteteve bazuar në shpërndarjen etnike të popullsisë do të nënkuptonte që të shpërbëhej jo vetëm Evropa, por gjysma e botës. Duke mos harruar që janë duke u zhvilluar në botë dhjetëra konflikte të armatosura me intensitet të lartë dhe të ulët, të shkaktuara pikërisht nga mosmarrëveshjet me karakter etnik.

Sot si Kurti ashtu edhe Vuçiç akuzohen në vendet e tyre si “tradhtarë”,  nga sektorë të gjerë nacionalistë të opinionit publik për pranimin e marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve nga Brukseli.

Të dy nacionalizmat janë të kuptueshëm.

Kosovarët ndjehen viktima të serbëve për dhunën e kryer nga Millosheviçi dhe gjithashtu për politikën e vazhdueshme bllokuese që Beogradi vazhdon të ndjekë për ta mbajtur Kosovën të izoluar nga organizatat ndërkombëtare.

Dhimbjet për persekutimet e pësuara, humbjet e familjarëve, varrezat masive, të zhdukurit, dhunimet etnike… Askush nuk mund të mendojë se të gjitha këto kujtime të rënda zhduken nga shpirti i kosovarëve me një goditje. Jo, këto nuk do të largohen kurrë.

Sa për serbët, nuk do të pushojë së dhemburi tronditja e pësuar me bombardimet e NATO-s dhe e pasuar me dënimet e Hagës dhe mbi të gjitha me humbjen e një krahine të tërë, një pjesë e territorit të tyre që iu dha pavarësia.

Po, sepse në konfliktin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Kosova fitoi falë patriotëve të saj që luftuan dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s të dëshiruar nga presidenti amerikan Bill Clinton.

Kosova, për herë të parë në histori, u bë shtet i pavarur pasi, për shekuj, ka qenë një krahinë shqiptare, osmane dhe pa harruar, serbe e jugosllave. Jo më larg se sot ambasadori Hill në Beograd e kujtoi “Serbët kanë jetuar në Kosovë me shekuj, s’duhet të jesh antropolog apo historian për ta kuptuar”.

Por nga çka ndjehet ama është se kosovarët ende nuk e kanë metabolizuar plotësisht atë fitore: ata ishin viktima të Millosheviçit, por fituan kundër serbëve.

Dhe një fitimtari i takon edhe detyra për të qenë më i gjerë, si ajo e lehtësimit të bashkëjetesës pakicës së qytetarëve që flasin të njëjtën gjuhë me të mundurit.

Lideri i një populli që ka pësuar dhunë dhe diskriminim shumë më të rëndë se kosovarët dhe që i ka çuar ata drejt pavarësisë, Nelson Mandela, ka thënë se “liria pa qytetërim, liria pa mundësinë e të jetuarit në paqe nuk është liri e vërtetë”.

Prandaj, duhet parë përpara, përtej dhimbjes së kujtesës, dëshirës për hakmarrje dhe përtej një nacionalizmi që është armiqësor ndaj zhvillimit, duhet parë nga e ardhmja. Ndoshta ky ka qenë dhe kuptimi i preambolit të marrëveshjes në lidhje me “the legacy of the past”, trashëgiminë e së kaluarës.

Thuhet se në njëzet rastet e administrimit autonom të zgjidhur në Evropë, procesi u zhvillua në demokraci të përparuara dhe me ekonomi të pasura. Dhe në fakt, demokracia kosovare do të duhet të piqet pikërisht përmes edhe testit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Shoqëria dhe ekonomia e saj po përballet me anëtarësimin në BE si një mundësi e madhe për zhvillim dhe rritje. Por duhet të demonstrojnë se ndajnë edhe vlerat e saj dhe dinë t’i zbatojnë ato në praktikë.

Gjithashtu frika është se minoriteti serb mund të bllokojë jetën institucionale të shtetit të ri kosovar. Kjo është një çështje që kërkon një vlerësim të kujdesshëm të mekanizmave të autonomisë për të parandaluar që të mos ndodhë. Në Evropë, pakicat autonome nuk bllokojnë veprimtarinë shtetërore.

Komuniteti perëndimor tashmë e konsideron Kosovën si anëtare të saj, të cilës tashmë i ka dhënë dhuratën më të çmuar: pavarësinë.

Sot, duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, prioritet për komunitetin perëndimor është nxjerrja e Serbisë nga zona e ndikimit rus dhe futja e saj në atë të Aleancës Atlantike. Serbia mund të jetë vegël e Moskës (dhe e Pekinit) për destabilizimin e të gjithë rajonit. Kosova në këtë mision duhet të jetë aleate dhe jo problem.

Kosova duhet të bindë veten se ka fituar dhe tani duhet të shikojë përpara, përtej luftës, për të ndërtuar të ardhmen e saj evropiane.

Evropa është atje në vijën e finishit. Por detyra për të udhëhequr vendin në këtë drejtim dhe për të arritur qëllimin i takon elitave të vendit: politikanëve, intelektualëve, gazetarëve dhe shoqërisë civile. Të gjithëve iu  takon ndërtimi i identitetit, kulturës dhe synimet e këtij shteti të ri.

Nuk mund të priten të vijnë marinsat që t’i rregullojnë këto probleme


Lajmet kryesore