Ramja e nji shteti munet me iu atribu nji liste faktorësh të ndërlidhun si: ramja ekonomike; fragmentimi social (ndarjet etnike, fetare ose sociale munet me e dobsu unitetin kombëtar dhe me çu në konflikt); presionet e jashtme; faktorët mjedisorë; ndryshimet teknologjike; globalizimi…
Në rastin unik të Kosovës due me e vu theksin vetëm tek dy faktorë thelbësor:
Paqëndrueshmëria Politike: tradita e nacionalizmit leftist, unitarizmi apo konteksti i romantizmit kombëtarist (bashkimi i etnisë në nji njisi shtetnore) si dhe papërcaktueshmënia e klasës politike mes sovranizmit dhe unitarizmit etnik; Konfliktet e brendshme, të tilla si luftat civile, grushtet e shtetit ose trazinat e fella politike, mungesa e legjitimitetit politik, munen me minue autoritetin dhe efektivitetin e nji shteti, dhe:
Dobësitë Institucionale: mendësia dogmatike në lidership; Institucione joefektive, të korruptueme ose të dominueme nga partitokracia, munen me dështu në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, në mbështetjen e sundimit të ligjit dhe në ruajtjen e rendit publik, tue çue në humbjen e besimit dhe angazhimit publik.
Si të nxirret nga kriza ma e mira për vendin?
1.1. Tue qenë se aktgjykimit KO124/25 po i bâhen lexime solipsiste dhe se Gjykata Kushtetuese nuk âsht gjyqsi e rregullt, që gjykon fer dhe paanshëm, por âsht instancë e Comon Sense që e baraspeshon verdiktin me ma t’mirën e mundshme për vendin, si interpretuesi sipëran i Kushteutes;
1.2. Tue pasë parasyshë se vendi ka metë pa autoritet madhor juridik – politik, që mirëmban sistemin dhe atë që quhet check and balance si dhe vetpërmbajtje institucionale dhe tue pasë parasysh se askush nuk ka autoritet me shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme në baza kushtetuese;
1.3. Tue pa se po sfidohet qëllimshëm sistemi dhe rendi demokratik tue ia nënshtru Raison d’Ètat arbitraritetit të nji njeriu…
Sëkëndejmi kontinuiteti i shteti munet me u mâjtë VETËM nëse Gjykata Kushtetuese konformon se:
Nëse rikonfirmohet se përjashtohen zgjedhjet e jashtëzakonshme simas vendimit KO124/25;
Nëse të gjitha vazhdimet e Seancës që nga 14 prilli shpallen nul (për shkak të veprimeve antikushtetuese të kryeuesit, pra nëse kërkesa për votim të msheft shpallet ashiqare jokushtetuese ngase rendi i ditës (formal dhe strikt) i paracaktuem nuk munet me u ndryshu nga nji deputet që udhëheq veç me seancën konstituive / pra kryesues ceremonial, ngase forma e votimit munet me u ndryshu vetëm me pajtim të te gjithë deputetëve në Seanca të rregullta;
Nëse konstatohet kjartë, në frymë dhe germë, se Partia Fituese krahas të drejtës së propozimit e merr detyrmin me e bâ shumicën e domosdoshme prej 61 vota pa asnji detyrim pos vullnetit të deputetëve tjerë;
Nëse ndërkohë, deri me 8 gusht shpallet verdikti për rastin PDK e LDK dhe Seanca vazhdon me pikën 3 të rendit të ditës, me votim të hapun (simas praktikave të deritashme) e drejtueme nga Sala Jashari (kryesuese njashtu ceremoniale) dhe jo nga Avni Dehari i cili ka abuzu me seancat e pas 14 prillit dhe duhet menjanu in adjectio, natyrisht tue ia dhânë të drejtën partisë fituese për propozimin, mas nji marrëveshje politike në mirëbesim me cilindo partner;
Nëse literalisht partitë nuk arrijnë mas 8 gushtit, 2025 koncensus për krijimin e institucioneve simas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ato obligohen për marrëveshje ad hoc që ta konstituojnë formalisht Kuvendin i cili, në të njajtën Seancë e shpërban vetveten, që vendi me automatizëm me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme – në afate kushtetuese;
Verdikti në këtë rast duhet me saktësu pasojat në dispozitiv
a) Diskontinuiteti kushtetues i shtetit shkakton gjendje paligjshmënie zingjirore brenda (pa pushtetin bazik, Kuvendin, me Qeveri në detyrë në kolizion t’hapun me Neni 73 të Kushtetutës (konflikti i interesit) dhe Presidente në skadencë (4 prill, 2026) si dhe cënim të interesave të shtetit përjashtë.
b) Gjykata Kushtetuese njashtu duhet në dispozitiv me përcaktu masat e veprimet nëse potencialisht partia fituese e zgjedhjeve nuk propozon kandidat/e për Kryetar Kuvendi dhe as për Nënkryetarë ose nëse nuk mbrrinë marrëveshje politike për konstituim dhe vetshpërbamje!
c) Gjykatësit e Kushtetueses duhet të kenë qasje në këtë materie nisun nga rrafshi i patriotizmit kushtetues habermasian, e jo qasje emotive, nacionaliste, anuese për pushtetin ose interesat e ndonji shteti tjetër. Ata nuk guxojnë me kalkulu me qasje dihotomike, porse obligohen për nji interpretim që konfirmon dhe mbronë RENDIN KUSHTETUES, me dije, jntegritet etik e guxim qytetar, tue përfillë kategorkisht ndamjen e pushteteve, sikur edhe legalitetin e legjitmitetin në ushtrimin e mandatit politik me kjartësinë e germes dhe me dritësimin e frymës së ligjeve.
Dhe politikisht me dalë në mbrojtje të rendit demokratik e jo me ra viktimë e nji situate revolucionare!