Katër të vrarë buzë detit është një agim fundjave i pazakonshëm, por një histori e zakonshme shqiptare.

Familje të shkatërruara nga të shtënat me armë, familje të tjera në zi, jetë të reja të fikura për një konflikt, i cili mund të përcaktohet si i lindur nga arsye të kota. Gjak i derdhur lumë për pak hapësirë shezlong-ësh dhe çadrash.

Në një vend normal nuk do të duhej të ndodhte, në një vend normal do të kishte qenë një çmenduri në vetvete dhe pushuesit s’do të kishin vazhduar të merrnin rrezet e diellit pranë vendit makabër.

Por, ja që nuk jemi një vend normal!

Pushuesit vazhdojnë rutinën e tyre të mësuar, me hijen e lënë nga dhuna dhe tragjedia, a thua se është një mëngjes i zakonshëm.

Ajo që ndodhi në Velipojë, ka një “aromë” antike. Gjakderdhja midis familjeve rivale, urrejtja dhe hakmarrja janë një fenomen që, dikur, ishte aq i përhapur, saqë të moçmëve iu kërkua t’i vinin rregull dhunës përmes Kanunit, nëpërmjet të cilit u vendos një kufi në numrin e viktimave dhe në zgjedhjen e tyre.

Njerëzit vrisnin për të mbrojtur nderin, ose për të zgjidhur konfliktet kufitare: një drejtësi gjakatare, primitive, që zëvendësoi ligjet dhe rregullat e një shteti që nuk ekzistonte ende.

Dhe sot, fatkeqësisht, ende vazhdohet me njerëzit, të cilët përpiqen ta gjejnë zgjidhjen e problemit përmes rrugës antike.

Me pak nuhatje, të gjithë e dinin që armët, diku në plazhet tona, do të kërcisnin me çeljen e sezonit.

Thuhet se 15 mijë euro është kafja që duhet dhënë për të blerë një hapësirë në plazhe, me shezlong-ët ku pushuesit kalojnë verën. Kjo është gojëdhëna e zarfeve dhe kafeve mbi hapësirat turistike. Shifër që bymehet edhe më shumë nëse zbret në brigjet jugore. 15 mijë euro zyrtarëve bashkiakë dhe sekserëve që kanë kontaktet me politikanët.

Sot, si dikur, shqiptarët i zgjidhin vetë çështjet, me korrupsion dhe dhunë, a thua se shteti nuk ekziston. Në Shqipëri, ligji zëvendësohet nga dhuna, e cila mund të jetë ajo e gjakut, ose edhe e parave.

Dhe ky virus, kjo murtajë, që pllakos sistemin tonë politik, helmon shoqërinë, fshin konceptet e drejtësisë.

Në një vend ku kanë të drejtë vetëm ata që janë të pasur ose të dhunshëm, nuk ka qytetarë. Dhe, nëse nuk ka qytetarë me të drejta të vendosura nga ligjet dhe të garantuara nga institucionet, atëherë nuk mund të ketë as demokraci.

Faktet e Velipojës janë shumë serioze, sepse ato nuk janë veç katër jetë të fikura nga dhuna. Por ato janë edhe më serioze, sepse denoncojnë se sa e përhapur është kjo e keqe antike dhe kaq moderne në vendin tonë.

Në një vend normal, hapësirat për vendosjen e shezlong-ëve dihen shumë kohë përpara fillimit të sezonit. Ka kritere, logjikë dhe arsyetim se kujt i jepen lejet.

Qendërzimi i Ministrisë nuk po duket gjë tjetër veçse një tentativë akoma më e komplikuar. Kur shteti kërkon të vendosë vetulla dhe të nxjerr sytë.

Vrasjet e sotshme të Velipojës janë denoncim i një shteti që, për një kohë të gjatë, ka lejuar përplasjet, dhunën dhe krimin të ndodhin, sepse bashkitë vendosin për territore shtetërore. Denoncim i një shteti bashkëpjesëmarrës në vrasje, i paaftë për të ndalur korrupsionin dhe vrasjet.

Histori shqiptare që vazhdon të mos ndryshojë dhe merr jetë të të gjitha moshave, duke lënë një shije barbare në plazhet e Shqipërisë.

Ne duam të shkojmë në Evropë dhe duam ta konsiderojmë veten një komb të evoluar, por ende mendojmë se mund ta menaxhojmë biznesin tonë me gjakmarrje.

Dita kur ne njohim që çdo ryshfet që paguajmë ose mbledhim është një sulm i drejtpërdrejtë në zemrën e shtetit, një fyerje e dinjitetit të popullit tonë dhe një kthim në barbarinë e grindjeve klanore, ajo do të jetë dita në të cilën një Shqipëri e re ka lindur.


Lajmet kryesore