Opinione / Sport

Klopp përballë shumë pikëpyetjeve


Phil McNulty

Titulli i 2020-ës, që i solli Liverpool-it Premier League-n pas 30 vitesh në “Anfield”, tanimë duket se është një shekull larg, pas katastrofës që të kuqtë po përjetojnë këtë sezon.

Të mërkurën, ata u eliminuan nga Champions League prej Real Madrid-it.

Jashtë garës për titull, skuadra e Klopp-it e gjen veten në luftën e ashpër për zonën “Champions”.

Ndërsa skuadra e Zinedine Zidane korri një fitore të madhe, duke u kualifikuar në gjysmëfinalen e Champions-it, Klopp duhet të mendohet gjatë për të peshuar rënien e Liverpool-it “nga parajsa në ferr” përgjatë 12 muajve të fundit.

Pa dyshim që tani do të përballet me tifozët e zhgënjyer të Liverpool-it.

Disa do t’i kërkojnë largimin, disa do t’i kërkojnë të ndryshojë skuadrën, ndërsa të tjerë do të presin përgjigje për dështimet e sezonit.

Klopp sot do të mundohet që të qetësojë situatën, duke shqyrtuar çdo mundësi duke pasur “mendjen e ftohtë”.

Liverpool-i është një ekip “yjesh”, por kjo nuk do të thotë që Klopp nuk ka vendime të mëdha për të marrë: A duhet që “të rinovojë” me skuadrën me të cilën fitoi gjithçka? Apo, duhet të vazhdojë përpara dhe të kërkojë zgjidhje e emra të rinj?

Një skuadër, me aq kualitet sa Liverpool-i, me shumë mundësi, nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por, ky grup është bashkë prej shumë kohësh, saqë disa fytyra të reja do ta ndryshonin atmosferën në klub, duke sjellë frymë të re.

Tri vitet e fundit, Liverpool-i është mbështetur shumë te grupi që e dërgoi në finalen e Champions-it në vitin 2018.

Ata futbollistë kanë pasur punë shumë të vështirë gjatë këtyre viteve dhe, sado që në klub janë afruar lojtarë, si Jota dhe Thiago, 11-shja e Liverpool-it ka mbetur e njëjta.

Mbrojtja

Por, kjo ndikoi keq te të kuqtë këtë sezon. Ata, për shkak të lëndimeve të shumta, mbetën pa opsione në mbrojtje.

Në mungesë të Van Dijk-ut, Joe Gomez-it dhe Joel Matip-it, Klopp u detyrua që të përdorte futbollistë të akademisë, duke transferuar edhe Ozan Kabak-un nga Schalke.

Sado që kanë pasur paraqitje të mirë këtë sezon, ata nuk kanë qenë mjaftueshëm liderë t’i afrohen nivelit të “tankut”, Virgil Van Dijk.

Duke parë këtë gjendje, Liverpool-i është i detyruar të kthejë sytë nga merkatoja, për opsione dhe zgjidhje të reja në mbrojtje.

Mesfusha

Edhe mesfusha po shndërrohet në problem për Klopp-in, me të preferuarin e tij, Wijnaldum, i cili është afër largimit, dhe Henderson-in që nuk po gjen paqe me lëndimet.

Thiago, i cili kishte ardhur për të qenë lider i mesfushës pas sezonit të mrekullueshëm me Bayern-in, nuk e ka gjetur veten në Angli.

Ai ka qëndruar më shumë në stol sesa në fushë.

Sulmi

Te Liverpool-i ndihen të qetë për situatën e Salah-ut, edhe pse gjendja me sulmin nuk është e duhura për të kuqtë.

Mane dhe Firmino kanë qenë shumë jashtë forme këtë vit. Ata kanë shënuar vetëm 15 gola së bashku në më shumë se 40 ndeshje.

Por, edhe me Salah-un, gjithçka mund të ndryshojë, nëse Liverpooli dështon të kualifikohet në Champions për sezonin e ardhshëm.

Aktualisht, në vendin e gjashtë, të kuqtë rrezikojnë shumë.

Mundësia që të luajë në Europa League, pas sukseseve të shumta në Champions League, mund ta shtyjë Salah-un drejt një vendimi tjetër.

Pozitive për Klopp-in është performanca e Diogo Jota-s, i cili duket i gatshëm që të marrë rolin e Firmino-s. Këtë sezon, ky i fundit ka treguar një formë shumë mesatare.

Pa marrë parasysh se ku përfundojnë në tabelë, është koha që Liverpool-i të mendojë për të ardhmen.

Një skuadër që mund të arrijë shumë, nuk mund të mjaftohet me pak.

Ka ardhur koha që Klopp të vërë gishtin në kokë dhe të vendosë, ose brenda, ose jashtë Liverpool-it…


Lajmet kryesore