Kjo është Shqipëria në BE e Edi Ramës…dhe nuk keni parë gjë akoma

Shqipëria 2030 në BE nuk është më slogani i fushatës së Edi Ramës. Është dora e veprimit, nga Brukseli, në Paris, Berlin, Romë e Tiranë
Vitjon Nina
Loading Icons...
test12

Kjo është Shqipëria në BE e Edi Ramës…dhe nuk keni parë gjë akoma

Vitjon Nina
Loading Icons...

Ka disa dhimbje, për të cilat ia vlen të shtrëngosh dhëmbët dhe të durosh për të parë rezultatin përfundimtar.

Ky mundet – ose jo – të jetë rasti, por ajo çfarë është vërtetë e qartë është se Edi Rama i ka hedhur letrat që kishte në dorë në shesh të mejdanit dhe shqiptarëve po ua thotë me zë të qartë pa e nisur ende mandatin e tij të katërt: E doni Evropën? Kjo është Evropa!

Në fillim të mandatit të tij të parë, nga foltorja e Parlamentit, Rama do të bënte bujë me një shprehje, e cila ndoshta do të rrënjësohej më shumë se çdo tjetër në fjalorin e tij politik kryeministror.

“S’keni parë gjë akoma!”.

Çdo herë që një aksion i madh pritet prej tij, pak përpara, ai e rishfaq shprehjen publikisht, qoftë për të ngritur kauza rreth qeverisjes, apo edhe për të hedhur shashka ndaj opozitës dhe për të “paracaktuar” fatin e saj.

Mirëpo një aksion i fundit masiv i një shteti të ri ligjor dhe me zero tolerancë, erdhi thuajse qorrazi, në mënyrë të beftë dhe të menjëhershme.

Një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike i hapi rrugë prishjes së objekteve pa leje.

Më pas, erdhi radha e reformimit radikal të bashkive në gjithë vendin, me kërkesa për dorëheqje, shkarkime, apo rifreskimi të gjithë strukturës, prej drejtorëve të drejtorive, deri te nënkryetarët e bashkive.

“Janë të lodhur, shumë të lodhur, të rraskapitur”. Kështu i sheh kryeministri ata.

Por ai këtë herë po shkon përtej thjesht sensacionit, i cili ndalet një herë në Vlorë, më pas në Theth, e bën një kalim herë-herë edhe në Tiranë.

Ai paraqet një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

Kërkon reformim rrënjësor të territorit. Kërkon që diaspora të jetë pjesë e kapaciteteve të bashkive në hartimin e projekteve. Kërkon reformim të bujqësisë. Reformim të shpërndarjes së ujit. Qendër monitorimi për ndërtimet.

Por, mbi të gjitha, i vë ombrellën këtyre. Sepse ajo çfarë vërtetë Edi Rama po kërkon, është përgatitja jo vetëm e plotë, por pa asnjë cen për Integrimin.

Është e vërtetë se “symbyllazia” e gjithë 12 vjetëve të mandatit të tij mund të vihet në dyshim, së bashku me faktin se pse gjithë këto reforma, duhet të realizohen kështu, pas një duzine vitesh në Qeveri, me një mandat të hekurt në krye të vendit, me drejtimin e bashkive dërrmuese dhe me shfaqjen e një “patundshmërie dhe patolerance” në sytë e publikut.

Po kjo e ka përgjigjen në maratonën e 11 korrikut, kur përpara drejtuesve vendorë dhe me referime nga qeveria qendrore, ai e artikuloi fjalinë që duhet të ishte ngulitur më së shumti në mendjen e të gjithëve, përtej “madhështisë” së spektaklit që ofrojnë lirimet e hapësirave publike.

“Asnjë justifikim. Prej mësimeve nga gabimet, reformimi do të jetë rrënjësor”.

Sepse kjo nuk është më Shqipëria e shqiptarëve. Është Shqipëria që po nis hapin e fundit drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria ku ligji duhet të jetë vijë e kuqe jo për qytetarin, sa për shtetin vetë.

Dhe nëse ai nuk e ka artikuluar para këtij aksioni shprehjen e tij kapilare “S’keni parë gjë akoma”, për shqiptarët duhet të jetë e qartë.

Shqipëria 2030 në BE nuk është më slogani i fushatës së Edi Ramës. Është dora e veprimit, nga Brukseli, në Paris, Berlin, Romë e Tiranë.