Opinione / Editoriale

Kinezët po konsultohen me Kissinger-in


Guido Santevecchi Gazetar i "Corriere Della Sera"

Ambasadori i ri kinez në Shtetet e Bashkuara ka zgjedhur Kentin në Konektikat për misionin e tij të parë amerikan jashtë Washingtonit.

Çfarë ka shkuar të bëjë Shkëlqesia e Tij Xie Feng në një fshat të bukur me vetëm 3019 banorë?

Arsyeja është Henry Kissinger.

Xie shkoi për të bërë nderimet e tij në ditëlindjen e 100-të të Kissinger. Nuk bëhet fjalë për thjesht mirësjellje.

Për dekada, komunistë mandarinëve u pëlqen të konsultohen me strategun e vjetër të politikës së jashtme dhe ndërsa Kissinger bën thirrje për dialog dhe qetësi mes dy superfuqive, ata përpiqen të duken në krah të tij për t’u treguar të përmbajtur.

Agjencia e Lajmeve Xinhua shkruan se Xie dhe Kissinger “patën një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi marrëdhëniet kino-amerikane dhe çështjet me interes të përbashkët”.

“Ajo që i mungon më shumë politikës amerikane sot është pragmatizmi i kombinuar me racionalitetin e Henry Kissinger”, titullohej në editorialin e saj Global Times, gazeta e Partisë Komuniste të Pekinit.

I pashmangshëm në koment është përkufizimi “lao peng you”, “mik i vjetër” i popullit kinez, i cili në fjalorin e politikës mandarine është i rezervuar për personalitetet e mëdha të huaja që kanë dhënë kontribut në ngritjen e Kinës.

Me misionet e tij sekrete në vitin 1971, Këshilltari i atëhershëm i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë përgatiti afrimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës me Zhou Enlai dhe në 1972 ai solli Richard Nixon te Mao Ce Dun duke ndryshuar historinë.

Në bazë të asaj pikë kthese është pranimi nga Shtetet e Bashkuara të ekzistencës së “Një Kinë”, e cila përfshin Tajvanin.

Tani, ankohet editoriali, “shumë kongresmenë amerikanë që nuk dinë ta gjejnë Tajvanin në hartë dominojnë politikën me propozimet e tyre radikale anti-kineze”.

Gazeta komuniste citon intervistën e dhënë javën e kaluar nga Kissinger për “The Economist”, gjatë së cilës Kissinger tha se “fati i njerëzimit varet nga mundësia që Amerika dhe Kina të gjejnë një marrëveshje”.

Pekini kujton shpesh se baza e marrëdhënieve me Uashingtonin është parimi “Një Kinë”, se “ribashkimi i Tajvanit është i pashmangshëm”, se do të ishte më mirë përmes politikës, por opsioni i forcës ushtarake është alternativa.

Kissinger është akuzuar se ka nënvlerësuar në 1971 vendosmërinë e Maos ndaj Tajvanit (ose se ka sakrifikuar ishullin aleat).

Por strategu i vjetër i realpolitikës i kujtoi “Economist-it” se Mao shmangte të merrej me ndonjë çështje specifike duke u fshehur pas shprehjes: Unë jam filozof, le t’ia lëmë çështjet konkrete Zhou Enlait dhe Kissinger.

Kina e Xi Jinping ec shumë më shpejt se ajo e Maos. Kanë kaluar pesëdhjetë vjet dhe timonieri i ri ngutet, kërkon t’i dorëzohet historisë si unifikues.

Ka një garë armësh rreth ishullit demokratik, midis dy anëve të ngushticës dhe një luftë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në rast pushtimi duket e pashmangshme.

Kissinger vëren se “siç gjërat kanë evoluar tani, nuk është e lehtë për Shtetet e Bashkuara të largohen nga Tajvani pa dëmtuar pozicionin e tyre global, kështu që kjo zgjidhje nuk është në tryezë”.

Atëherë çfarë duhet bërë?

Lufta do të shkatërronte ishullin dhe ekonominë botërore dhe do t’i kushtonte Kinës shumë vite krize, moszhvillimi dhe pengesa, paralajmëron Kissinger.

Sugjerimi, thirrja e diplomatit të vjetër është që të dy presidentët të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të përpiqen të gjejnë ndonjë temë ndërkombëtare për bashkëpunim. Diplomacia e Pekinit nuk e ka problem të diskutojë.

Megjithatë, ka një pikë themelore në mendimin e mikut njëqindvjeçar të popullit kinez që shtypi i Pekinit nuk e tregon.

Sipas tij, Tajvani “është një problem i pazgjidhshëm, zgjidhja e vetme është ruajtja e status quo-së për më shumë vite gjatë të cilave të dy palët duhet të shmangin kërcënimet dhe të kufizojnë përballjet kundër njëra-tjetrës”.

Në thelb, Kissinger sugjeron të lihen të kalojnë të paktën të gjitha qindra vitet e pritjes që kishte përmendur Mao.


Lajmet kryesore