Opinione / Editoriale

Ka filluar rrebeshi mbi të korruptuarit


Një fjalë e urtë italiane paralajmëron se, pas bubullimës dhe vetëtimës, vjen shiu e rrebeshi. Dhe, në qiellin e Tiranës, bubullimat kanë ardhur njëra pas tjetrës vitet e fundit.

Bubullima e vetëtima nga ambasadat e huaja dhe, gjithashtu, nga Brukseli: paralajmërime dhe ftesa urgjente për të luftuar korrupsionin që përshkon të gjithë sistemin institucional, politik dhe ekonomik të shoqërisë sonë, duke ndotur mekanizmat e saj demokratike dhe duke bllokuar zhvillimin e një ekonomie të lirë.
Korrupsion që, po ashtu, dekurajon kompanitë e huaja për të investuar në vendin tonë.

Paralajmërimi i fundit erdhi nga Kongresi i Partisë Socialiste. Nga ajo platformë, kreu i PS-së dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e bëri të qartë se nuk do të kishte asnjë mbrojtje për askënd, madje as për shokët e partisë dhe se epoka e pandëshkueshmërisë për politikanët e korruptuar ka mbaruar.

“Flamuri i PS-së nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, për asnjë deputet, për asnjë drejtor, për asnjë shef, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kam thënë dhe më parë, sepse e kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë dhe e përsëris edhe sot: partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë, por mban përgjegjësi për sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë: Ik, sqarohu para drejtësisë me avokatin tënd! PS-ja nuk është zyrë avokatie e asnjërit nga ne”.

Dhe, pas këtij paralajmërimi të fundit, filloi një rrebesh arrestimesh, i menaxhuar nga SPAK-u, i krijuar për këtë qëllim, por që deri më tani, në thelb, kishte mbetur inerte.

Në vetëm pesë ditë, Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) arrestoi një kryetar bashkie dhe 18 zyrtarë shtetërorë.
Shefi i saj, Arben Kraja, tha, duke iu drejtuar politikanëve në mënyrë të qartë: “Ne jemi të vendosur të godasim çdo pronë kriminale”.

Sipas grupit të punës të Këshillit të Evropës për korrupsionin, kuadri ligjor i Shqipërisë tani është i plotë dhe i kënaqshëm, por ka shumë dyshime në lidhje me zbatimin e tij. Në veçanti, duhet të theksohet se, pavarësisht rregullave që detyrojnë ministrat dhe politikanët t’i bëjnë publike pasuritë e tyre, nuk është parë asnjë rast që një anëtar i institucioneve të ndalohet për shkak të konfliktit të interesit.

Në vendin tonë, përshtypja është se i gjithë sistemi politik-institucional është i përfshirë në praktika korruptive.

Për këtë arsye, beteja kundër korrupsionit korrespondon me një ndryshim të vërtetë politik.

Korrupsioni përshkon edhe marrëdhëniet shoqërore midis individëve. Si një rrjetë merimange është një e keqe e përhapur dhe e shtrirë gjerësisht. Nuk do të jetë e lehtë për ta zhdukur atë, jo vetëm nga institucionet dhe prokurimet publike, por edhe nga jeta e përditshme, nga mendjet e shqiptarëve.

Që të mendohet se jeta jonë shoqërore nuk i nënshtrohet më pagimit të ryshfetit, shkëmbimit të favoreve, kërcënimeve dhe shantazheve, por do të drejtohet nga ligjet dhe rregullat, do të jetë një revolucion i vërtetë kulturor përpara se të jetë politik.

Më pas korrupsioni lidhet direkt me çështjen e mafies: një kriminalitet miliarder i aftë të ndikojë në politikë, gjyqësor dhe polici, i cili sigurisht gjen te korrupsioni një mjet të përditshëm veprimi, përmes të cilit ndërton ekonominë e saj kriminale.

Më shumë se një rrebesh arrestimesh, mbase do të duhej një cunami për të dëbuar nga qielli dhe toka shqiptare këtë të keqe të rrënjosur në kulturën tonë.

Ekspertët thonë se ka disa përmirësime të lehta: por ne jemi vetëm në fillim të një procesi që do të kërkojë shumë më tepër ndërhyrje nga gjyqësori dhe policia.

Ajo që sapo ka filluar është një luftë e vërtetë. Nga njëra anë është një shtet, që ende nuk ka fituar autoritetin dhe paanshmërinë e tij, nga ana tjetër një sistem kriminal që shtrihet në një pjesë të madhe të institucioneve.

Mekanizmat e korrupsionit, siç janë kontratat e manipuluara dhe vjedhja e të ardhurave publike, përfaqësojnë një pjesë të ekonomisë kriminale dhe janë pjesë e metodologjive mafioze të zbatuara nga krimi i organizuar.
Një politikan i korruptuar dhe një bos mafioz nuk janë të ndryshëm: ata janë të dy kriminelë që duhet të konsiderohen armiq të shtetit.

Lufta kundër korrupsionit, në thelb, duhet të ketë si objektiv një Shqipëri të pranuar në asamblenë e kombeve të civilizuara dhe të hapur ndaj ekonomisë së tregut.

Ndaj le të shpresojmë që rrebeshi nuk do të ndalet.


Lajmet kryesore