Opinione / Editoriale

Ka ardhur momenti që Shqipëria të çlirohet nga Berisha


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Pas protestës përballë selisë blu një gjë mund të thuhet qartësisht: Sali Berisha është një politikan autoritar, i korruptuar dhe i varur nga dhuna. Sali Berisha është ai, të cilin organizatat ndërkombëtare për të drejtat civile e quajnë “armiku i demokracisë”.

Nëse nuk ishte ende e qartë deri tashmë, sulmi ndaj selisë së Partisë Demokratike, organizuar mesditën e të shtunës, ishte një konfirmim i qartë pikërisht i kësaj. Për Berishën, Partia Demokratike është pronë e tij ekskluzive dhe madje edhe nënshtrimin e vendimeve të vijës së partisë përballë rregullave të një demokracie funksionale, e konsideron si ofendim të dinjitetit të tij, atë të babait themelues.

Por po të jemi realistë, ish-lideri i demokratëve nuk e ka krejtësisht gabim: Partia Demokratike lindi dhe u rrit nën hijen e bashkëthemeluesit të saj dhe nuk ka zhvilluar ende një ideologji të vetën, përveç mendimit dhe veprimit të Berishës.

Vetë Basha është produkt i familjes Berisha: një zyrtar gri, i vënë në krye të partisë vetëm për të lejuar ish-liderin të manovrojë lirshëm në hije.

Krerët blu dhe militantët që ndjekin Berishën në betejën e fundit, sigurisht që po e bëjnë këtë për të mbrojtur interesat e tyre dhe lidhjet e biznesit të zhvilluara nën hijen e klanit presidencial. Por ka edhe nga ata që thjesht mbeten të ankoruar me liderin e vjetër, sepse e konsiderojnë Bashën një njeri pa karizëm dhe shtyllë kurrizore, cilësitë e nevojshme për drejtimin e një partie dhe të duhura për një opozitë kundrejt Ramës.

Basha – fatkeqësisht – mbart edhe imazhin jo aq të nderuar të Brutit, djalit tradhtar që godet pas shpine dhe vret të atin politik (Cesarin).

Që shqiptarëve u pëlqejnë liderët-burra të fortë, sigurisht që nuk është diçka e re. Dhe, në këtë nivel, përballja mes Berishës dhe Bashës është e gjitha në avantazh të të parit.

Nga ana tjetër, historia politike mëson se liderët që janë protagonistë të ndryshimeve të thella nuk janë pothuajse asnjëherë të njëjtët që udhëheqin fazën e re. Shumicën e kohës i pështjellin rrënojat e asaj që kanë shembur. E njëjta gjë ka të ngjarë të ndodhë edhe me Bashën: i detyruar nga SHBA-të për të rrëzuar Berishën, me shumë gjasë nuk do të jetë ai që do të drejtojë Partinë e re Demokratike.

Ngjarjet e sotme janë në fakt pak kontradiktore. Marrja dhe pushtimi i selisë blu ishte jo i ligjshëm, sepse ende nuk ka një vendim gjykate që t’ia atribuojë përdorimin e godinës njërit prej dy fraksioneve.

Policia priti që protesta e aktivistëve pro Berishës të degjeneronte dhe të rrezikonte sigurinë e strukturës së demokratëve brenda selisë përpara se të ndërhynte, duke shkaktuar kështu një situatë dramatike, e cila mund të ishte shmangur.

Qëllimi i mbrojtjes nga ana e institucioneve të Shtetit duhet gjithnjë të jetë jeta e qytetarëve, dhe jo thjesht ruajtja e pronave.

Gjithsesi, sharjet e rënda dhe sulmet fizike, deri në kërcënimet me vdekje ndaj drejtuesve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike pro Bashës, mbeten tërësisht përgjegjësi e ish-liderit.

Berisha mbart në vetvete gjithë prapavijën e dhunshme të historisë shqiptare.

Vjen nga zonat veriore, ku ligji i gjakut ende mbijeton. Gjatë regjimit komunist ai jetoi brenda sistemit si pjesë e tij, duke përdorur mekanizmat e atij sistemi në dobi të karrierës personale.

Berisha i demokracisë do të vazhdonte me praktikën e burgosjes. Hija e tij është edhe pas eliminimit të  disidentëve politikë në rol drejtues.

Si President i Republikës, në vitin 1997, ai lejoi lindjen e shoqërive piramidale dhe bëri pakte me to. Ato kompani financiare tretën, me bashkëfajësinë e drejtuesve institucionalë, atë pak pasuri të pranishme në një vend të mjeruar nga regjimi i Enver Hoxhës.

Mijëra shqiptarë u rrënuan dhe vendi u gjend përpara asaj që mbahet mend si pragu i luftës civile dhe grushtit të shtetit.

Me atë rast, organizatat kriminale (piramidat nga njëra anë dhe bandat mafioze nga ana tjetër), u bënë protagoniste të jetës shoqërore shqiptare.

E pavarësisht gjëmës së madhe Berishiane, ai ia doli të rikthehet në pushtet, pas “dëbimit” që iu bë nga jeta politike.

Historia, mbeti e njejtë…

Më 15 mars 2008, në Gërdec shpërtheu një depo me 400 tonë municione armësh, duke shkaktuar 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur.

Në Gërdec municioni ripaketohej për t’u dërguar në Afganistan, përmes një trekëndëshi misterioz, i cili përfshin një kompani amerikane dhe një nga Qipro.

Depoja ishte ngritur pak hapa larg fshatit dhe nuk kishte asnjë masë sigurie.

Qeveria e udhëhequr nga Sali Berisha, refuzoi kompensimin për familjet e prekura dhe në vend të kësaj punoi vetëm për të mbuluar hetimin, gjatë të cilit ndodhi edhe vdekja shumë e dyshimtë e një dëshmitari të ngjarjes, Kosta Trebickës.

Figura e Sali Berishës bashkon të gjithë prapavijën fisnore, kriminale dhe të dhunshme të historisë shqiptare.

Ngjarje si kjo e sotmja, por nga kahu tjetër, do t’i shihte Berisha më 21 janar 2011, kur nën regjimin e tij, gjatë një proteste opozitare, katër persona mbetën të vrarë nga plumbat e Gardës në mes të bulevardit kryesor të kryeqytetit shqiptar.

Ndërsa Evropa dhe SHBA-të dënojnë me shqetësim ngjarjet e sotme, Shqipëria duhet të reflektojë.

Sali Berisha është një gjyle nëpër këmbë, që e pengon vendin të evoluojë drejt demokracisë së plotë. Ai nuk do ta lëshojë kurrë partinë, për të vetmen arsye sepse kjo i shërben mbrojtjes së interesave të tij personale.

Berisha është një mitoman me tipare të rënda psikopatologjike.

Nuk ngurroi t’i shpallte luftë Shteteve të Bashkuara dhe të mobilizonte të armatosurit e saj (të njëjtët që qëlluan në zgjedhjet e fundit) për të mbrojtur pozicionin e tij dhe të familjes. Në kujtesë të vijnë figura të tilla – “kryqëthyer”-  të gatshëm për t’u mbyllur në bunker me familjen dhe për të luftuar deri në vdekje.

Por nëse Shqipëria nuk dëshiron të gëlltitet nga e kaluara e saj më e errët, aq më tepër në një çast kur për herë të parë zë vendin si anëtare e Këshillit të Sigurisë së OKB-së, do të duhet të marrë disa vendime drastike.

Cilat? Ekzili, për shembull, mund të jetë ajo më pak e dhimbshme, për të zgjidhur raste të tilla!


Lajmet kryesore