Opinione / Kolumnistët

Intervista që nuk do mbarojë kurrë më – një analizë e paraqitjes së Albin Kurtit te “Çim Peka Live”


Lirim Mehmetaj Albanian Post

Në vitin 2014, Ian Katz, një nga figurat më të rëndësishme të gazetarisë televizive në Britani të Madhe, shkroi një opinion në Financial Times me titull “Vdekja e intervistave politike”.

Katz ishte i frustruar me situatën. Me atë çfarë s’/thonë politikanët në intervistat e tyre dhe kërkonte një zgjidhje. 2014 ishte edhe koha kur globalisht, por edhe në Britani kishte rënë shumë interesi i përcjelljes së intervistave me politikanë.

Pse?

Sepse s’thuhej asgjë.

Intervistat e politikanëve në televizione, Katz-it i ishte dukur se janë kthyer në një seri deklaratash të parapërgatitura që të lëshohen pavarësisht pyetjeve të gazetarit.

Intervistat s’janë më, ose janë fare rrallë, dialog në mes të politikanit e gazetarit që i shërben shikuesit për të kuptuar diçka më shumë.

Por ky s’është problem i ri.

Në vitin 1987, dy studiues të Psikologjisë të Universitetit York, Peter Bull dhe Kate Mayer, dëshmuan shkencërisht se politikanët e kohës kishin zbuluar rreth 30 forma se si t’u shmangën pyetjeve dhe të japin përgjigje të programuara.

“Injorimi i pyetjes; njohja e pyetjes, por pa dhënë përgjigje; pyetje për pyetjen; sulm në raport me pyetjen; sulm ndaj intervistuesit; refuzim për t’u përgjigjur; përgjigje jo e plotë; përsëritje e përgjigjes; dhe përgjigje në pyetje, por vetëm duke deklaruar se për këtë pyetje tashmë jam përgjigjur”, për të përmendur vetëm disa.

Shumica e këtyre teknikave mund t’iu vijnë të njohura, sepse i keni parë mbrëmë në intervistën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha në Syri TV me gazetarin “Çim Peka”.

Pyeteni veten se çfarë dini më shumë për politikat e Albin Kurtit pas intervistës krahasuar me çfarë dinit para intervistës dhe do ta keni rezultatin.

Intervista

Nuk ka asgjë më të vështirë sesa pyetja në gazetari dhe asgjë më qenësore. Në fakt, pyetja është sinonim i gazetarisë, është vetë gazetaria. Përmes pyetjes, gazetarët vijnë deri tek informacioni. Formë tjetër nuk ka, apo formë tjetër më efikase nuk ka.

Gazetari australian, Jonathan Swan, në vitin 2020 ishte bërë sensacion brenda natës. Ai, në emisionin e tij, Axios, pat realizuar një intervistë me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Bota e gazetarisë iu gjunjëzua Swan-it. Ai arriti ta nxirrte blof në shumëçka Trump-in. Intervista e tij u bë debat dhe brumë për analizë mes gazetarëve.

Pse Swan bëri çfarë të tjerët nuk mundnin dot?

I pyetur më pas në CNN, Swan tha se s’bëhet fjalë për ndonjë formulë magjike. “Vetëm kujdesesha që të qëndroja te pjesa ‘pse’ e pyetjes”.

Për ta kontekstualizuar, Albin Kurti në vend se të pyetej me “A i keni ndryshuar qëndrimet?”, Swan do ta pyeste “Pse i keni ndryshuar qëndrimet?”, duke ia renditur më pas edhe të gjitha qëndrimet e ndryshuara dhe bashkë me këtë, duke i treguar se për disa qëndrime të ndryshuara nuk vlen as arsyetimi i rrethanave, sepse nga 2018, kur thoshte se Elektroseveri ndërhyn në sovranitet e deri në 2022-shin, kur Elektroseveri u fut me pajtimin e tij, asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar.

Në momentin kur pyetja fillon me “A…”, si në këtë rast për shembull “A i keni ndryshuar qëndrimet?”, ajo e pason përgjegjësinë mbi të vërtetën tek ai që do të përgjigjet dhe normalisht se një politikan jep të vërtetën e konvenueshme të tij.

Por, gjithsesi, Albin Kurti është problematik edhe për intervistuesin më të regjur, sepse ai nuk i përgjigjet pyetjes nëse ajo nuk përkon me përgjigjen e tij të parapërgatitur.

Po ta shikoni edhe intervistën e tij të parë, në kufi të Kosovës, kur ishte liruar nga burgu në Serbi, kuptohet qartësisht se nuk është aty për t’iu përgjigjur pyetjeve, por për ta recituar pjesën e tij të paraplanifikuar.

Qesharake është se Kurti as nuk pret t’i bëhet pyetja, veç fillon të flasë.

Gazetarja: Albin…

Kurti: Po ka ngjarë ajo që, më së paku, kam dashur të ngjajë…

Gazetarja: Cila…

Kurti: …regjimi pseudo-demokratik i Beogradit…

Njëjtë sot.

“Nuk jemi kundër dialogut në parim, por kundër dialogut pa parime”. “Nuk jemi më palë, por tash jemi temë”. “Nuk është më njohja në fund, tash njohja është në qendër”. “Kosovës i është përmirësuar imazhi. Nuk e kemi dëmtuar imazhin”.

Këto janë fraza boshe që nuk thonë asgjë dhe janë krejtësisht të pamatshme. Kosova ka qenë palë, por edhe temë dhe normalisht që vazhdon të jetë edhe tani. Përndryshe nuk do të diskutohej për Veriun e Kosovës në Bruksel, por për Veriun e Serbisë. Dialogu nuk ka ndryshuar as në përmbajtje (diskutohen temat e njëjta) as në format (diskutohet në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së) dhe as si ide për zgjidhje të problemit final.

“Njohja tash është në qendër”, gjithashtu përbën llokoçitje pa kuptim. Dialogu nuk është një dërrasë me sipërfaqe fizike mbi të cilën i vendos temat dhe çështjes së njohjes ia përcakton pozicionin gjeografik brenda dërrasës.

Kurti, edhe kur akuzon, është krejt abstrakt. Ai nuk ka emra, nuk ka data dhe ç’është më e rëndësishmja, nuk ka përfundime faktike mbi të cilat dëshmohet akuza. Kurti ngjan si hetues në “Minority Report” ku e akuzon dikë për delikuent vetëm se e paramendon të tillë dhe ia jep dënimin jo se e ka kryer veprën, porse Kurti e presupozon se do ta kryente veprën. Pra, kemi të dënuar, por jo krim.

Duke dashur të provojë se nuk ka ndryshuar qëndrim, Kurti në intervistë bëri disa konstatime që për shikuesin e vëmendshëm do të ishin shqetësuese. Tha se marrëveshja, që e arritën në Bruksel për energjinë, “vazhdon të jetë e keqe”. Ai thotë se është edhe nga ata politikanë që as nuk e di si duket presioni ndërkombëtar, sepse atij askush nuk guxon t’ia ushtrojë.

Atëherë, çfarë e detyron një shtet sovran, me një kryeministër që s’i bëhet presion, të pajtohet për implementimin e një marrëveshjeje të keqe? Pse Kurti duhet të aplikojë një marrëveshje të keqe?

“Sepse është arritur para meje”, mund të thotë ai.

E çka me atë punë? Pse e bën të detyrueshme për Kosovën këtë marrëveshje fakti se është arritur më herët? Ka dhjetëra marrëveshje që janë arritur më herët, por Serbia nuk i implementon?

“Po të mos arrinim marrëveshjen do të duhej t’ua paguanim rrymën serbëve në veri akoma”, thotë kryeministri.

Po, pse duhet?

“Sepse ata nuk e paguajnë vetë”.

Pse nuk e paguajnë?

“Sepse KEDS-i nuk faturon dot në Veri”.

Pse nuk faturon?

“Sepse nuk u ka ofruar shteti siguri ta bëjnë”.

Atëherë ofrohu siguri.

“S’mundem”.

Atëherë Kosova s’qenka sovrane në gjithë territorin e saj.

“Po fajet i kanë ata para meje”, do të thoshte Kurti. “Ata nuk arritën ta fusin atë pjesë në kontroll”.

Zotëri Kurti, Kosova një herë e një kohë ka qenë e gjitha jashtë kontrolli, apo më mirë thënë brenda kontrollit të Serbisë. Sikur të fajësoheshin “ata paraprakët” dhe të funksionohej me këtë logjikë, askush nuk do bënte gjë dhe ne ende do të ishim pjesë e një shteti tjetër.

Kështu do të duhej të ishte një intervistë me Kurtin. Nënpyetjet e gjalla do të nxirrnin nga Kurti atë që nuk e bënin dot pyetjet e vdekura. Kështu do të mund të largohej nga frazeologjia e panevojshme që është mbulim i përtacisë, nga fajësimet e paraardhësve dhe nga diskursi që rri vetëm në të kaluarën edhe kur flitet për të ardhmen.

Problemi me këtë model të intervistave që filloi me Besnik Bislimin në RTV Dukagjini dhe u vazhdua me Kurtin është se do të bëhet gjithmonë e më e vështirë të thirren në llogari për veprimet qeveritare.

Kur një veprim të kritikuar më herët do ta bëjnë vetë, ose do jetë një e keqe e domosdoshme që për fajtor ka të kaluarën, ose do të jetë një tjetër temë që i është bërë rivlerësimi në dritën e “rrethanave të reja”. Dhe se kur ndryshojnë ato rrethana e kur ia vlen të ndryshohet qëndrimi për shkak të rrethanave të reja, këtë e ka të drejtën ekskluzive ta caktojë Besnik Bislimi.

Derisa një ditë qytetarët do të lodhen nga gjetja e një arsyeje të jashtme për fajet qeveritare dhe të kërkojnë një alternativë që ua përmirëson të tashmen dhe nuk vazhdon si papagall ta rikonstatojë fajin në të kaluarën e ta ripozicionojë vetën sa herë që ka nevojë nën arsyetimet subjektive për ndryshimin e rrethanave.


Lajmet kryesore