Opinione / Politikë

Implikimet e vendosjes së Forcave Speciale Amerikane në Shqipëri


Arbër Ahmeti Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore në fushën e të drejtës ndërkombëtare, jurisprudencës dhe sigurisë.

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar Presidenti Biden aprovoi rekomandimet dhe rishikimin e Departamentit të Mbrojtjes për pozicionin global të SHBA’ve. Efektet e rishikimit u panë pas njoftimit të Komandës së Operacioneve Speciale për Europë me ç‘rast Shqipëria sipas një marrëveshje në mes dy vendeve dhe ftesës së kryeministrit Rama do të jetë destinacioni i një baze të re të forcave speciale amerikane. Kjo përveç që tregon futjen në veprim të mekanizmave amerikan në përgjigje të tensioneve të fundit në Ballkan, shpërfaqë kategorizimin e Ballkanit si teatër i rëndësishëm i konkurrimit mes SHBA’ve dhe Rusisë.

Deri sot gara në Ballkan ka qenë në plan të dytë duke qenë se zona e Baltikut është konsideruar si zona e parë e rrezikut nëse konflikti mes perëndimit dhe Rusisë eskalon. Nisur nga karakteristikat e operacioneve që nuk kalojnë pragun e luftës dhe operimin në zonën gri, Ballkani është toka më fertile për Rusinë në luftën e saj për të minuar dhe dobësuar influencën e perëndimit. Kjo vjen si pasojë e tensioneve të brendshme në Ballkan dhe si rezultat i nacionalizmit e shovinizmit serb që përmes ndjekjes së qëllimeve ekspansioniste e krijon një terren të tillë të leverdishëm për aleatin e saj lindor.

Vetë ideja e ‘Botës Serbe’ kopje e ‘Botës Ruse’ të Putinit dëshmon për këtë bashkërendim të politikave të të dy shteteve në Ballkan. Në një studim të bërë ku janë intervistuar vetë ekspertët rusë, Ballkani dhe zona e Detit të Zi janë konsideruar si teatër më i rëndësishëm e më prioritar për aktivitetet ruse sesa zona e Baltikut kur flasim për aktivitetet nën pragun e luftës konvencionale.

Hapja e shtabit të forcave speciale amerikane në Shqipëri duhet parë nga dy kënde, së pari roli që kanë marrë forcat speciale në konkurrencën mes fuqive botërore dhe së dyti rivlerësimi i pozitës dhe rëndësisë së Ballkanit në perceptimin amerikan të kërcënimeve dhe teatrit të konkurrencës strategjike. Forcat speciale janë komponentë e rëndësishme e ushtrisë amerikane, dhe në fjalët e Presidentit Obama ato janë aset strategjik i SHBA’ve. Në mungesë të konfliktit konvencional, ato janë më të përshtatshmet për operacione që nuk arrijnë pragun e luftës.

Përderisa ‘hapësira mes luftës dhe paqes nuk është e zbrazët që të kemi luksin mos ta popullojmë’, metodat jo-konvencionale e asimetrike janë bërë sot dominuese në konkurrencën mes fuqive të mëdha. Vlerësimi i historianit Michael Howard se ‘fitorja shpesh duhet të kërkohet larg fushëbetejës’ është shndërruar në një paradigmë në shkencat ushtarake dhe në sfidat e sotme strategjike. Për të ilustruar rëndësinë dhe rolin kryesor që operacionet speciale po marrin në konkurrimin mes fuqive, mjafton të përmendet që aktualisht pothuajse të gjithë të rënët amerikan në luftime vijnë nga radhët e Forcave Speciale pavarësisht që këto të fundit përbëjnë më pak se 5 përqind të forcave të armatosura të SHBA’ve. Ky është tregues i rolit që po marrin forcat speciale dhe angazhimit të tyre nëpër botë.

Vendosja e forcave speciale amerikane si komponent kryesor në luftën kundër influencave malinje dhe konkurrencës strategjike, shpërfaqë edhe dy realitete të tjera që u përmenden në fillim – Ballkanin si zonë e ndjeshme dhe e brishtë ku konfliktet shpejtë mund të përmbysin realitetet politike të mirëmbajtura deri tani, dhe si zonë që po merr rëndësi në agjendën amerikane pikërisht për këtë arsye.

Serbia deri tani nuk ka ngurruar të kërcënoj me luftë Republikën e Kosovës, të shkaktoj trazira në Bosnje përmes retorikës së luftës dhe agjentëve të saj në politikën Boshnjake, dhe të merr nga brenda një shtet anëtar të NATO’s siç është Mali i Zi. Aleanca e saj me Rusinë e ka bërë nacionalizmin serb mjet në duart Ruse për të penguar agjendën perëndimore në Ballkan dhe për të zhvleftësuar të arriturat e deritanishme, dhe se si erdhi Serbia në pikën që sërish të luaj hegjemonin në Ballkan është temë për një analizë më vete.

Të gjitha aktivitetet e lartpërmendura janë në vetvete hapësira të cilat Rusia i ka për qëllim ti lëvroj me të gjitha mjetet e mundshme të cilat kanë kufijtë e tyre vetëm te imagjinata dhe mundësitë (shih linkun f.29 dhe f.59). Vendosja e një shtabi të forcave speciale amerikane në Shqipëri i cili do të drejtojë dhe do të jetë në gjendje të nisë operacione speciale në të gjithë Ballkanin nga Shqipëria është pikërisht në përgjigje të këtyre politikave luftënxitëse.

Por çka do të thotë kjo për Shqipërinë? Shqipëria e ka dëshmuar që është partnere e besueshme e SHBA’ve duke luftuar në krah të saj gjatë periudhës së luftërave në lindjen e mesme. Ajo po ashtu është pjesë e NATO’s dhe fakti që SHBA’të kanë zgjedhur Shqipërinë si pozicion nga ku do ta ruajnë zonën e tyre të influencës në rajon reflekton bashkëpunimin e ngushtë dhe besueshmërinë mes dy vendeve.

Përfitimet e Shqipërisë janë të shumëfishta pasi ajo bëhet partner strategjik i rëndësishëm në përpjekjet amerikane për të ruajtur pozicionimin e tyre global. Prezenca e shtabit të forcave speciale amerikane nënkupton rritje të sigurisë në Shqipëri dhe rajon, marrë parasysh efektin deterrent që e ka kjo prezencë. Zgjedhja e Shqipërisë përveç pozicionit të saj strategjik gjeografik nga ku mund të nisen operacione speciale në të gjitha vendet e rajonit ku influenca ruse mund të nxitë destabilizim, është tregues edhe i stabilitetit politik dhe i rritjes së aftësive luftarake e operacionale të Shqipërisë.

Kjo do të thotë që në të ardhmen Shqipëria ka gjasë të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë rajonale dhe të bëhet aktorë i patejkalueshëm në Ballkan meqenëse politikë e forcave speciale është që objektivat e saj ti arrijë edhe përmes bashkëpunimit me akterët lokal dhe aleatët e SHBA’ve.

Trajnimi i përbashkët dhe bashkëpunimi i ngushtë dhe natyra jo-konvencionale e detyrave që prezenca amerikane do të ketë në Shqipëri nënkupton impakt pozitiv në politikën e jashtme të Shqipërisë. Studiues të ndryshëm kanë analizuar efektet e prezencës së trupave Amerikane brenda territorit të shtetit pritës, dhe një ndër hipotezat është që prezenca e trupave amerikane brenda një shteti do të rezultojë me ulje të numrit të trupave të shtetit pritës duke e bërë atë më të ndjeshëm ndaj kërcënimeve të sigurisë kombëtare në rast se përjashtohet elementi i huaj.

Së pari prezenca e bazës se forcave speciale amerikane nuk nënkupton prezencë masive të forcave konvencionale ne Shqipëri.

Së dyti vendimi për t’u vendosur në Shqipëri nuk vjen si pasojë e ambientit të brishtë të sigurisë në Shqipëri por si pasojë e ambientit të brishtë të sigurisë në rajon. Ajo nuk është masë për të rritur sigurinë përbrenda Shqipërisë pasi si vende anëtare e NATO’s ajo ka në dispozicion Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe mekanizma të tjerë në kuadër të NATO’s, por është masë për të krijuar një pikë strategjike nga ku SHBA’të do ta projektojnë influencën e tyre dhe do të parandalojnë influencat malinje.

Forcat speciale amerikane në Shqipëri nuk duhet parë vetëm si një prezencë ushtarake amerikane, por si forcim i aleancës mes dy vendeve dhe mundësi për të rritur bashkëpunimin diplomatik meqenëse ‘martesa’ mes forcave speciale dhe krahut diplomatik vetëm se ekziston, madje shpesh të para konsiderohen si zgjatim i prezencës diplomatike. Kjo prezencë është shume e rëndësishme edhe për vetë amerikanët, pasi në kushtet e konkurrencës strategjike pozicionimi fitimtar kërkon elementin asimetrik dhe jo të rregullt që forcat konvencionale nuk janë në gjendje ta përmbushin.

Një aspekt tjetër pozitiv i prezencës së forcave speciale amerikane është edhe efekti që mund të kenë ato në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Edhe pse natyra e prezencës dhe misioni i forcave speciale në Shqipëri është krejt tjetër, Shqipëria mund të mësoj shumë nga përvoja amerikane në Amerikën e Jugut në luftën kundër trafikimit të drogës. Duke i adresuar shqetësimet se Shqipëria po bëhet vend hyrje i kokainës që vjen nga Amerika Latine, ky mund të jetë rast për forcat e rendit që të mësojnë nga përvoja amerikane e luftimit të trafikut të drogës. Po ashtu kjo prezencë rritë dhe kapacitetet e kontrollit dhe e bënë më të vështirë krijimin dhe operimin grupeve kriminale që merren me trafikimin e drogës.

Për fund vendosja në Shqipëri u hap derën operacioneve speciale në të gjitha vendet e rajonit, duke i ofruar qasje të shpejtë qoftë në Bosnje, Malt të Zi, Kosovë dhe Maqedoni. Kjo prezencë është përgjigje ndaj aktiviteteve dhe mjeteve të veprimeve jo-konvencionale që Moska ka në dispozicion si operacionet e informacionit, qasja dhe aksioni indirekt dhe taktikat e mashtrimit, subversionit dhe përdorimit të akterëve lokal për të arritur objektivat ushtarake.

Në anën tjetër Shqipëria duhet të tregohet e gatshme të marrë detyra të reja dhe të rrisë prezencën dhe rolin e saj në Ballkan dhe në luftën kundër influencës ruse. Udhëzuesi i Përkohshëm i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë i hartuar nga Presidenti Biden për të sanuar dhe plotësuar mungesat që janë evidentuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, vë theksin në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit me aleatët në arritjen e interesave të përbashkëta dhe kthimin mbrapa të politikave izolacioniste e unilaterale të iniciuara nga Presidenti Trump.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare që pritet të aprovohet dhe publikohet në muajt në vazhdim do të trajtoj dhe do të vë në pah doktrinat që do të ndiqen nga SHBA’të për të ruajtur zonat e influencës, do të hapë perspektivat për pozicionimin global dhe do të përcaktoj politikat e sigurisë dhe bashkëpunimin me aleatët dhe forcimin e aleancave. Shqipëria por edhe Kosova duhet të marrin shkas dhe të jenë më aktive në luftimin e influencës ruse në rajon dhe të avokojnë për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO si masë që parandalon kthimin e territorit të saj në arenë që është në dispozicion të zgjatimeve ruse dhe serbe.

 

 

Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore në fushën e të drejtës ndërkombëtare, jurisprudencës dhe sigurisë. Ai ka qenë hulumtues i ftuar në Akademinë Kombëtare të Mbrojtjes në Austri dhe kontribuues në platforma të ndryshme publicistike e akademike.


Lajmet kryesore