Opinione / Politikë

Iluzioni (i) Erdogan(it)


Dreni Himbeqa Gazetar

Një portret i përmasave 50 me 70 centimetra, me një kornizë glamuroze të Mustafa Kemal Ataturk’ut, themeluesit të Turqisë moderne dhe babait të Partisë Popullore Republikane (CHP), i vendosur në njërën nga amfiteatrot ku isha futur për të ndjekur ligjëratën time të parë si student në programin për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Trakya të Edirnes – kryeqyteti i perandorisë Osmane për 88 vjet – më kishte befasuar.

Jo se e pash aty, por se të njëjtin e shihja gjithkund.

Figurat e liderëve zakonisht vendosën në muret e institucioneve e agjencive të ndryshme shtetërore, e jo në çdo cep të çdo klase/amfiteatri të një komuniteti mësuesish e studiuesish, mendoja deri atëherë.

“Ataturku është mësuesi ynë i përjetshëm…”, më tha njëri nga kolegët kur e pyeta për fenomenin.

Ishte viti 2014. Ndërsa intensiteti i ligjëratave po shpeshtohej, ndasitë politike në mes të studentëve të cilët po vijonin studimet në programin për marrëdhënie ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik po bëheshin gjithnjë e më të theksuara.

Luftërat e ndyta politike dhe retorika toksike e politikanëve pozitë-opozitë në vend kishin depërtuar thellë në jetën e çdo qytetari turk.

Nëse mendon se në Kosovë e Shqipëri ka polarizim të madh politik, shko jeto në Turqi një kohë. Diferencat drastike kapin dimensione të një niveli krejt tjetër. Me kohën kuptova se turqit jetonin vetëm për të debatuar mbi politikën e për të shikuar futboll.

Futbolli është zgjatim i politikës në Turqi dhe politika ka pasionin e futbollit.

Duke parë këtë bashkim që krijonte tension, ligjëruesja e sociologjisë politike, Sibel Kavuncu, këshillonte vazhdimisht në ligjërata se “partitë politike nuk duhet të simpatizohen sikur ekipet e futbollit … është mendësi e gabuar kjo”.

Po kujt t’i fliste, kombinimi i futbollit politik dhe politikës futbollistike ishte shumë më i rrënjosur se dëshira e dëshpëruar e profesores.

Populli turk historikisht ishte i ndarë në tabore – të majtët: të djathtët, liberalet: konservatorët, por një prerje e thellë, siç më shpjegonin kolegët, kishte ndodhur pas ardhjes në pushtet të formacionit politik konservator të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), partia e Erdogan-it.

Fitorja e AKP-së asokohe, e udhëhequr nga presidenti aktual dhe ish-kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, provokoi një kataklizëm politik në Turqi.

Problemi qëndronte te profili dhe ideologjia të cilën e përfaqësonte ai. Një përfaqësues tipik i islamit politik ishte një kontrast i elitës politike dhe intelektuale e vendit e mbrojtur me trashëgimin laike të Partisë Popullore Republikane (CPH).

Erdogan, njeriu që ëndërronte të ishte një futbollist profesionist, shumë shpejt u perceptua nga ish-establishmenti si një “rrezik islamist” që kërcënon të minojë themelet laike të Republikës Turke.

Tendenca islamiste e Erdogan i frikësoi klasat borgjeze dhe të arsimuara, megjithatë ajo gjeti mbështetje midis masave popullore konservatore dhe të devotshme, të cilat mendonin se feja ishte përbuzur për një kohë të gjatë nga qeveritë e njëpasnjëshme, të mbajtur me dorë prej hekuri nga gjeneralë të ushtrisë, shtylla e regjimit dhe roje të parimeve kemaliste.

Në fillimet e tij Erdogan mori përsipër të reformojë vendin politikisht dhe nga ana sociale. Miratoi një mori ligjesh që synonin përafrimin e standardeve turke me kriteret evropiane, ringjalli ekonominë që ishte përfshirë nga një krizë e rëndë financiare – një ndër arsyet kryesore pse fitoi AKP – që nga vitit 2001.

Prekja ime e parë e vërtet me Turqinë, ndryshe nga iluzioni që kisha krijuar nga propaganda me soft power e Turqisë në Ballkan – ishte në fund të vitit 2014 kur Erdogani shënonte 11 vjetorin në pushtet.

Pasqyra e përgjithshme të cilën e paraqiste një qytetar i rëndomtë turk për qeverisjen e Erdoganit asokohe ishte: “Në fillim ai u paraqit si dikush që mund t’i shërbente popullit turk, por pastaj ndryshuan gjërat…”.

Gjërat ndryshuan kur rruga e Turqisë drejt Bashkimit Evropian u stopua ndërsa Erdogan po punonte me zell për dosjen e anëtarësimit që ishte e bllokuar që nga vitit 1987. I prekur në krenarinë e tij, Erdogan gradualisht filloi largimin nga Perëndimi. Referencat islamiste të tij dolën në pah.

Ky ishte fillimi i fundit i Erdoganit evropian.

Prerja e madhe në mes të konservatorëve – mbështetësve të flaktë të Erdoganit – dhe laicistëve – mbështetësve të flaktë të Ataturkut –  ndodhi gjatë kryengritjes popullore në parkun Gezi shumë afër sheshit Taksim që nga shumë kush konsiderohet si zemra e Stambollit.

Për të kundërshtuar ndërtimin e një kompleksi të stilit neo-otoman në vend të hapësirës së gjelbër mijëra demonstrues qëndronin ditë e natë për të mbrojtur këtë park. Megjithatë pas një ndërhyrjeje të policisë, një protestë e banorëve vendas dhe aktivistëve mjedisorë u kthye në një lëvizje të madhe proteste kundër Erdoganit, atëbotë kryeministër.

Për javë të tëra, qyteti ishte në zjarr. Protestuesit ngritën barrikada, ndezën zjarre, brohorisnin “Tayyip, dorëhiqu” përpara policisë, e cila u urdhërua t’i largonin ata me buldozerë dhe gaz lotsjellës.

Lëvizja Gezi kundër Erdogan’it – i cili paraqiste veten si një njeri autentik të popullit duke përfaqësuar shumicën e heshtur të myslimanëve të devotshëm që nuk kanë pasur, sipas tij, zë gjatë pushtetit të kemilstëve – u interpretua si një kryengritje laike e mbështetur nga ish-establishmenti sekularist i cili në sytë e tij ishte një kërcënim serioz.

Represioni i ushtruar kundër kundërshtarëve të pushtetit të tij nuk i pëlqeu botës perëndimore, të cilët vite më parë Erdoganin e quanin një “islamist demokrat”, pasi, sipas tyre, ai mëshironte një model unik dhe tërheqës – një islamizëm politik të pajtueshëm me demokracinë.

Efekti domino tashmë kishte ndodhur. Ekonomia e turke pësoi stagnim e më pas rënie. Ndërsa sot 1 euro është e barabartë me 21 lira turke – gjatë vitit 2014, 1 euro këmbehej me 2.8 lira turke.

Ky është ilustrimi më i thjesht që mund të bëhet për treguar fragjilitetin ekonomik në Turqi.

Ndërsa Turqia ballafaqohet me zgjedhjet më interesante dhe më të rëndësishme në dy dekadat e fundit, shumë kritikë të pushtetit përfshirë edhe kolegë nga fakultetit me të cilët mbaj kontakte ende argumentojnë se pushteti 20 vjeçar i Erdogan duhet të përfundojë më 14 maj.

“Je me fat që po mund të konsumosh mish të kuq… ne këtu u shndërruam në pulë”, më thotë një koleg në telefon ndërsa qesh e më pastaj i indinjuar më tregon për çmimet astronomike të mishit të kuq në vend.

Një numër i madh turqish e fajëson Erdoganin për rritjen e inflacionit, për shkak të politikave të tij ekonomike. Ai refuzon të rrit normat e interesit ndërsa beson se inflacioni është si pasojë e rritjes së interesit.

“Interesi është shkaku, ndërsa inflacioni është rezultat. Më besoni mua unë jam ekonomist”, thoshte Erdogan në një tubim elektoral ndërsa shumë ekonomistë argumentonin se ky model ekonomik të cilën po e proklamon ai nuk ekziston në asnjë literaturë.

Norma zyrtare e inflacionit në Turqi është mbi 50 për qind, por ekonomistët e pavarur thonë se ajo është edhe më e lartë se 100 për qind. Për pasojë të shtrenjtimit të ushqimit, energjisë, barnave dhe gjërave të tjera thelbësore është ulur standardi i jetesës për shumicën e 85 milionë banorëve të Turqisë, në vitet e fundit.

Problemi nuk është vetëm ekonomia, ani pse në vetvete është një problem shumë i madh, por tendenca e Erdogan për të kontrolluar çdo gjë.

Në 2014, ai u zgjodh President i Republikës në raundin e parë me 51.8 për qind të votave dhe shpalli synimin e tij për të zgjeruar kompetencat e zyrës presidenciale duke modifikuar Kushtetutën.

Pikë kthese për synimin e Erdogan, ishte puçi i dështuar i 15 korrikut të vitit 2016.

Duke pretenduar se dëshironte të “rivendos lirinë dhe demokracinë”, një pjesë e ushtrisë turke u përpoq të organizonte një grusht shteti (ose të paktën ky është versioni zyrtar). Erdogan i bëri thirrje popullatës që “të zbres masivisht në sheshe dhe aeroporte” për t’iu kundërvënë ushtrisë.

Si pasojë humbën jetën 265 persona e u lënduan më shumë se 1 mijë veta megjithatë puçi dështoi.

Grushti i shtetit iu atribuua nga autoritetet turke Fethullah Gylenit – një prijës fetar, ish-aleat i Erdogan në krye të një rrjeti të gjerë shkollash dhe biznesesh fetare dhe krijuesi i një shteti paralel brenda shtetit turk –  dhe më pas shërbeu si pretekst për të spastruar nga aparati shtetëror të gjitha reletë e lëvizjes gyleniste.

2 mijë e 745 gjyqtarë u shkarkuan nga postet e tyre në javët pas tentativës për grusht shteti. Në media, gazetarët e akuzuar se janë pro Gylenit u detyruan të japin dorëheqjen ose u arrestuan menjëherë. Në emër të vullnetit të popullit, edhe një herë në rrezik, Erdogan centralizoi gradualisht të gjitha levat e influencës. Politikisht, grushti i dështuar përshpejtoi vënien e gjyqësorit në kontrollin e tij ndërsa spastrimet politike u bën një gjë normale.

Rruga për kalimin nga sistemi parlamentar në atë presidencial dhe rrjedhimisht instalimi i një pushteti absolut të Erdogan ishte hapur.

“Sovraniteti pa asnjë kusht i takon popullit, regjimi i një njeriu do të na shkatërrojë si komb”, na thoshte ligjëruesi i shkencave politike Hasan Berke-Dilan, një kemalist i vërtet i arsimuar në Francë, ndërsa shpjegonte për sistemet politike.

Erdogan erdhi në pushtet si pasojë e një reaksioni popullor ndaj një krize ekonomike të vazhdueshme të shkaktuar nga qeveritë e koalicionit që kishin qeverisur vendin që nga grushti ushtarak i vitit 1980 në njërën anë dhe si rezultat i shkatërrimit që kishte shkaktuar tërmeti i përmasave vdekjeprurëse në fund të vitit 1999 në anën tjetër.

24 vjet më vonë historia përsëritet.

Erdogan – udhëheqësi turk me stazhin më të gjatë –  është duke u përballur me testin më të vështirë zgjedhor në 20 vjetët e fundit, për shkak të krizës ekonomike, si dhe tërmeteve shkatërruese, që janë regjistruar në fund të muajit shkurt, në lindje të shtetit.

Përballë presidentit turk është pozicionuar përsëri kundërshtari i vjetër i tij, Kemal Kilicdaroglu nga Partia Popullore Republikane (CHP) – një lider jo aq karizmatik, 4 herë humbës i zgjedhjeve kundrejt Erdoganit.

Megjithatë ndryshe nga herët e kaluara, Kilicdaroglu – një ish-burokrat – është udhëheqës i një blloku opozitar të përbërë nga gjashtë parti të ndryshme, përfshirë parti të qendrës së majtë, nacionaliste, por edhe ish-aleatë të Erdoganit.

Opozita premton se do t’i ndryshojë shumë nga politikat e Erdoganit, përfshirë ato ekonomike. Ato janë zotuar se do t’ia rikthejnë pavarësinë Bankës Qendrore e do të orientojnë Turqinë kah perëndimi.

Ndërsa Turqia është në udhëkryqin më të rëndësishëm në shekullin e 21-të dhe qytetarët turq para vetës kanë një sfidë të madhe. Por, zgjedhjet e 14 majit kanë një rëndësi kruciale edhe për rajonin dhe botën.

Mediat në perëndim, kanë vendosur: “Erdogan duhet të shkojë”.

Shumë gazeta prestigjioze si “The Economist”, “New York Times”, “The Guardian” kanë argumentuar se “regjimi autokratik i Erdogan duhet të përfundojë” dhe se populli turk duhet të votojë për “të shpëtuar demokracinë” duke portretizuar kështu Kilicdaroglun si shpëtimtarin e Turqisë.

Megjithatë jo domosdoshmërisht raportimet e mediumeve prestigjioze përshkruajnë qëndrimin real të fuqive perëndimore ndaj Turqisë së Erdoganit.

Nga një lexim i thjesht i rrethanave gjeopolitike mund të konstatohet se komunitetit ndërkombëtar i konvenon qëndrimi në pushtet i Erdoganit të paktën edhe për një periudhë 5 vjeçare.

Kjo për shkak të pozicionimit gjeostrategjik të Turqisë dhe fuqisë së saj në rajon si një territor i cili dita ditës po merr primatin e një shteti ndërmjetësues në mes të perëndimit dhe lindjes, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.

Shto këtu edhe afërsinë e Edrogan-it me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe “politikën e balancit” të cilën di ta bëjë presidenti turk me komshinjtë, si Irani, Iraku e Siria.

Për perëndimin, Erdogani mund të jetë i “përdorshëm” edhe për një periudhë kohore, jo vetëm për shkak të fuqisë së tij si një lider karizmatik/autoritar në rajon, por për shkak të pafuqisë dhe mungesës së një vizioni të qartë të pretendentit kryesor të Pallatit Presidencial, Kiliçdaroglu’t.

Sido që të jetë, Erdogani udhëheqësi me pushtetin më të gjatë në historinë e Turqisë, po kërkon edhe një mandat tjetër.

I shndërruar në një autokrat të moshuar, i cili jeton në një pallat presidencial, i përbërë nga një mijë dhoma të dizajnuara me motive otomane, shkëputur nga realiteti i hidhur socio-ekonomik, Erdogan po synon të pozicionojë veten si një baba  i ri i kombit duke lënë një gjurmë të qëndrueshëm në peizazh.

Pse jo edhe me ëndrrën që një ditë portreti i tij do ta zë vendin pran atij të Ataturkut përjetësisht në muret e çdo shtëpie, institucioni e gjetkë.


Lajmet kryesore