Opinione / Kolumnistët

I dashur Rama, politika nuk është lojë


Stefano Marcelli Gazetar Italian

Winston Churchill paralajmëronte dikur se “Politika nuk është lojë, politika është një punë serioze”.

Do të duhej të reflektonte mbi këtë paralajmërim të thjeshtë në fakt, edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili, i sigurt nga vitet e sukseseve politike, shpesh kënaqet me qëndrime dhe deklarata që anojnë më shumë drejt botës së argëtimit sesa politikës.

Fjala bie, në turneun e tij triumfal në vendet ku ka një numër të madh të diasporës shqiptare, pasi menaxhoi me mjeshtëri tensionet me qeverinë e Athinës, duke ia kthyer akuzat për çështjen Beleri dërguesit dhe duke ofruar dorën e fqinjësisë së mirë, në Busto Arsizio, në periferi të Milanos, ai sulmoi ashpër mediat italiane, duke i akuzuar për përhapje të rreme të lajmeve për vendin e tij, ashtu si ndodhte në vitet e para të emigrimit të shqiptarëve drejt fqinjit përtej detit.

Në këtë ai imitoi shokun e tij të partisë, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili i pyetur nga magjistratët e anti-korrupsionit të SPAK-ut, iu kthye listave të zeza të gazetarëve të padëshiruar.

Natyrisht, Rama mbështetet në një shumicë solide parlamentare të konfirmuar së fundmi edhe në nivel vendor. Dhe te një opozitë e copëzuar brenda vetes dhe e reduktuar tashmë në imazhin e një të moshuari që zhurmon nga ballkoni.

Ai gëzon një imazh pozitiv ndërkombëtar të ndërtuar mbi një besnikëri të çeliktë atlantiste dhe një simpati të dukshme, që e bën atë më të preferueshmin nga të gjithë kolegët e tij ballkanas.

Dhe së fundi, për rëndësinë gjeopolitike të Shqipërisë, e cila vitet e fundit është rritur deri në atë pikë sa e ka bërë bastionin e avancuar të Perëndimit në kufirin lindor të Evropës, aty ku po luftohet me infiltrimet nga Rusia, Kina dhe Irani.

Edi Rama është lider absolut në vendlindjen e tij dhe i investuar zyrtarisht me rolin e bashkëbiseduesit kryesor për perëndimorët në rajon.

Por, kaq shumë pushtet, i forcuar nga kaq shumë suksese, mund të ketë efektin e një droge në trurin e liderit të një kombi të vogël që vetëm pak vite më parë konsiderohej periferia më e varfër e botës ish-komuniste, e mbetur në margjinat e gjeopolitikës botërore për shekuj.

Një drogë që ndryshon vizionin e realitetit, shkakton atak të plotfuqishmërisë, sugjeron teprime verbale dhe gabime politike.

Është e vërtetë që politika e sotme është më pak “serioze” se ajo e epokës së Churchill-it, duke u lejuar kështu protagonistëve shumë më tepër shkelje të etikës dhe koherencës.

Por në fund të verës në SHBA do të votohet për të zgjedhur ose liderin e sovranistëve të botës Donald Trump ose demokratin Joe Biden. Dhe përplasja mes konservatorëve dhe progresistëve nuk ka qenë kurrë kaq e ashpër.

Pa harruar që brenda një jave, 27 vendet e Bashkimit do të votojnë për rinovimin e Parlamentit Evropian. Dhe, edhe këtu, përplasja mes të djathtës dhe të majtës është sërish shumë e ashpër.

Kandidati i sapoemëruar socialist evropian i PSE-së për Komisionin Evropian, deklaroi se kryeministrja italiane “Giorgia Meloni është një ujk në petkun e deleve”. Dhe nga ana e saj Meloni (e cila është presidente e një prej grupimeve të së djathtës sovraniste evropiane që përfshin, ndër të tjera, Viktor Orban-in, mbështetësit nostalgjikë post-Franko të Vox-it, tani edhe Le Pen po kërkon të asoçohet, etj.) kërkon vota për të dëbuar socialistët nga qeverisja evropiane dhe përmbysjen e politikave të ndjekura nga BE-ja deri tani.

Pa harruar që daullet e luftës po bien në portat e Evropës, opinionet publike janë të stresuara nga imazhet e vdekjes dhe fantazma e konfliktit bërthamor po kthehet.

Rritja e shpenzimeve ushtarake heq burime nga buxhetet e qeverive, ekonomitë evropiane janë në krizë, fjalët e politikës bartin përsëri peshë dhe zgjedhja bëhet e vështirë.

Në këtë kontekst, sovranizmat kombëtarë rrisin konfliktet brenda Bashkimit dhe kërcënojnë të anulojnë Marrëveshjen e Gjelbër dhe politikat sociale, ndërkohë që vlerat themeluese (të drejtat e njeriut dhe civile, barazia gjinore, integrimi i migrantëve, etj.) vihen në pikëpyetje nga teoritë si ato të shpallura nga Viktor Orbàn, me modelin e “demokracisë joliberale”.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Layen synon rikonfirmimin personal dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë së djathtës sovraniste. 200 delegatë të Partisë Popullore Evropiane (PPE) nuk e votuan atë gjatë përzgjedhjes si kandidate dhe për t’u konfirmuar si kreu i Komisionit të Unionit. Kështu që ajo kërkon vota nga e djathta, duke iu drejtuar Giorgia Meloni-t dhe aleatëve të saj, të gatshëm për të përzënë socialistët nga qeverisja e Evropës.

Me pak fjalë, loja po bëhet gjithnjë e më shumë e vështirë dhe ne duhet të dimë ku të rreshtohemi në prag të një votimi që mund të jetë vendimtar për fatet evropiane.

Por me sa duket Edi Rama, i pakujdesshëm për kontekstin ndërkombëtar, vazhdon me show-n e tij individual. Verën e kaluar, në fillim të marrëdhënies së tij politiko-sentimentale me Giorgia Melonin, Rama e cilësoi atë si “tigër”, duke u shprehur se ndihet si Vëllezërit e Italisë.

Ai shtoi gjithashtu se e majta dhe e djathta ishin tashmë koncepte të vjetruara politike dhe, jo i lumtur, ai shtoi gjithashtu se e majta tani nuk është më konsistente nga pikëpamja politike.

Me sa duket, ai kishte harruar se ishte kreu i një partie të quajtur Socialiste dhe se ishte anëtar i kryesisë së Internacionales Socialiste, duke shkuar shumë përtej marrëdhënieve normale mes kryeministrave të dy shteteve.

Nuk është për t’u habitur që ka pasur reagime të ashpra në radhë të parë nga shokët e PD-së italiane, që më pas u ndoq nga kërkesa për përjashtim nga ndërkombëtarët. Nëse Rama i ka thënë këto gjëra se vërtetë i ka menduar, le të ndryshoje emrin e partisë. Nëse i tha pa u menduar thellë, duhet të kërkojë falje dhe të përpiqet ta korrigjojë.

Por martesa e tij politiko-mediatike me Giorgia-n vazhdon ende, edhe sot. Rama tashmë konsiderohet aleat politik i Giorgia Melonit. Një përshtypje që kaloi nga fjalët në vepra me marrëveshjen për qendrat e riatdhesimit të emigrantëve, e cila në Itali ngre jo pak pikëpyetje për kostot reale, dobinë e tyre dhe vetë ligjshmërinë e këtij operacioni ekstra territorial.

Kur një emision investigativ në televizionin shtetëror italian transmetoi një reportazh që ribënte ato pyetje dhe përmblidhte rreziqet e ligjshmërisë, korrupsionit dhe krimit të përhapur në Shqipëri, Rama reagoi me zemërim, duke e cilësuar emisionin (Report) si “të neveritshëm” dhe duke protestuar tek kameratët italianë.

Më pas i doli në fushë, në krah, edhe “mikja e tij Giorgia”, e cila sulmoi drejtpërdrejt kuratorin e programit dhe shprehu të gjithë solidaritetin e saj me të shtrenjtin Edi Rama.

Ja pra, të bashkuar në luftën kundër gazetarisë investigative dhe kundër azilkërkuesve, Edi dhe Giorgia: një socialist dhe një sovraniste. Dy kategori politike që po përplasen në pjesën tjetër të botës, këtu janë në të njëjtin kah.

Situata aktualisht është “work in progress” (një punë në vazhdim) dhe nuk e dimë se si do të përfundojë. As ajo e qendrave të refugjatëve, as ajo e fatit politik të Ramës. A do të ndryshojë vallë emrin e partisë? A do t’i qëndrojë besnik Giorgia-s duke e ndjekur në anën e kundërt të lojës politike të shahut?

Rama i ofroi një kafe gazetarit të “Report” që e takoi për një intervistë korrigjuese, të cilën ia kërkoi gjatë ditëve të protestës kundër. Gazetari e refuzoi dhe Rama dukej i ofenduar nga ai refuzim.

Kush e di nëse e kuptoi se kësaj radhe shumë nuk e kanë pëlqyer. Dhe jo vetëm në Itali.


Lajmet kryesore