Në lagjet ku nuk ka shkelur kurrë, fshatrat që s’i di ku janë dhe as që i di me emër, fushata ka nisur në emër të tij. Një qytet që nuk e njeh, por që duhet ta dëgjojë. Një kandidaturë që nuk buron nga një lidhje emocionale me rrugët, me tregun e qytetit, me parkun e Gërmisë apo me hallakamën e udhëtimeve përmes Veternikut. Por që buron nga boshllëku që krijoi partia.
Hajrullah Çeku është kandidati më i mirë që Vetëvendosje kishte në mungesë të një qytetari të Prishtinës. Dhe ky është problemi i parë që nuk mund të fshihet. Ky nuk është problem i karakterit të tij, por i themelit të kësaj kandidature.
Sepse, Prishtina kërkon udhëheqje. Kërkon dritë. Kërkon frymë. Dhe kur e kërkon këtë, qyteti nuk flet për estetikën e qytetarisë, por për përballjen me padrejtësinë, kaosin, betonin, me njerëzit e padukshëm të lagjeve të vjetra dhe rrugët katrahurë të lagjeve të reja.
A mundet një njeri që ka udhëhequr një ministri kulture të bëhet befas udhëheqës i një qyteti që është vetë një konflikt i hapur ndërmjet hapësirës dhe pushtetit?
Njeriu i heshtur, i ndershëm, por jo drejtues
Të gjithë ata që kanë punuar me të, e përshkruajnë si njeri dinjitoz, të përmbajtur, të ndershëm dhe emocionalisht të saktë. Por me një heshtje të thellë që nuk buron vetëm nga karakteri, por edhe nga një situatë serioze familjare që, për vite me radhë, e ka mbajtur larg protagonizmit. Dhe e ka bërë burrë me karakter e të fuqishëm në vendimet e tij për familjen.
Në Shqipëri sa ishte nuk arriti të krijojë asnjë bashkëpunim institucional të qëndrueshëm përveçse me një ose dy bashkëpunëtorë të vetëm. Për pjesën tjetër, ishte i tërhequr. Nuk merrte iniciativë. Nuk ndërtonte energji politike. Dhe në të vetmin rast përballjeje në ministri reagimi i tij ishte shpërthim i dinjitetit, jo ndërtim i një rruge politike. Nuk ishte një përjashtim formal, por ishte një izolim i heshtur, që i tregoi vendin në një kabinet ku duhej ose të bindeshe, ose të luftoje nëse nuk kishe dëshirë të zhbëheshe.
Prandaj , ai e la Shqipërinë pa një gjurmë. Jo nga paaftësia, por nga mungesa e konceptit, dhe nga fuqia që familja kishte për të vendosur për të.
Edi Rama e zgjodhi për të ndërtuar ura. Për të krijuar një simbol të ri. Për të sjellë një shqiptar nga Kosova me edukatë institucionale. Për të bashkuar frymën kombëtare në një kabinet modern. Ai kishte përkrahjen, postin dhe reputacionin për ta bërë këtë. Por u tërhoq. Jo si dështak. Por si një burrë që, në vend që të përballej me sistemin, zgjodhi të mos hynte thellë në asgjë. E ndoshta edhe për arsye personale dhe familjare të kuptueshme. Mirëpo, rezultati është i qartë sepse ai shkoi për të vendosur gjurmë, por u kthye pa lënë asnjë kujtim.
Prizreni do ta votonte pa problem, por Prishtina nuk është Prizren
Në Prizren, Hajrulla Çeku do të fitonte lehtësisht. Sepse është burrë i mirë. I qetë. Ka pasion për trashëgiminë dhe është i njohur në rrethet intelektuale. Por Prishtina nuk kërkon sjellje. Kërkon përfaqësim. Kërkon zë. Dhe, ndryshe nga qyteti i origjinës së tij, Prishtina nuk voton thjesht për “djalin e mirë”.
Ai vetë e di këtë. Në një nga daljet e tij publike, tha: “Ne do të bëjmë qytete për njerëz, jo për makina.” Shprehje e bukur. E dëgjuar, po ashtu. Por ku? Ku ka provuar dhe ia ka dalë ai? Në cilin qytet? Në cilën rrugë të Prishtinës? Në cilin sektor të ministrisë ku punoi?
Donacionet selektive dhe korrupsioni moral
Si ministër i Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku u bë pjesë e një rrethi që shpërndante fondet publike jo në bazë të meritës, por sipas afërsisë me ideologjinë e partisë. Nuk pati skandale klasike, nuk pati tenderë me ryshfet, por pati një korrupsion të heshtur moral, ku projektet kalonin nëse ishe pjesë e rrjetit dhe ideologjisë.
Ai nuk reagoi. As nuk e ndaloi. U bë pjesë e sistemit që duhej të reformonte. Dhe për këtë nuk mund të thuhet më se ishte thjesht një teknokrat i përmbajtur. Ishte një zbatues i heshtur i një filozofie politike që përjashton të tjerët.
Hajrulla Çeku është figura tipike që përputhet me filozofinë organizative të Vetëvendosjes. Një njeri i zoti, i bindur, pa ambicie për protagonizëm, pa nevojë për të krijuar bazë të vetën politike. Ai është shembulli ideal i atij që nuk rrezikon të bëhet lider lokal, sepse nuk sfidon autoritetin e qendrës. Dhe ky nuk është rastësi, por logjikë politike.
Partia Vetëvendosje nuk ndërton liderë komunalë. Ajo i prodhon, i shpërndan dhe i menaxhon si funksionarë të emëruar që e shikojnë komunën si zgjatim të selisë qendrore, jo si një hapësirë me autonomi, me identitet dhe me drejtim. Kjo parti nuk ka interes të shohë askënd në terren që e krijon një vizion më të fortë se partia vetë. Prandaj zgjedh njerëz si Çeku, që nuk janë të rrezikshëm, nuk i dalin nga kontrolli, dhe e kuptojnë që fjala e fundit është gjithmonë e dikujt tjetër.
Në këtë kuptim, kandidatura e tij është një zgjatje institucionale e Albin Kurtit, jo një përfaqësim i qytetarëve të Prishtinës. Dhe ky është dallimi mes një kryetari komune dhe një delegati të bindur politik.
Dhe kjo është arsyeja pse ai është zgjedhur. Sepse nuk është problematik. Nuk është rrezik. Nuk do të ndërtojë një qendër të vetën në Prishtinë. Nuk do të sfidojë asnjë udhëzim që vjen nga qendra. Është i duruar, i heshtur, i zbatueshëm. Dhe për këtë e duan. Pyetja që shtrohet dhe e bën çdo qytetar i Prishtinës ka përmbajtje. A është kjo çfarë i duhet Prishtinës?
Mund të konkludohet lirisht se Hajrulla Çeku nuk është i keq. Ai është burrë i mirë, babai i përkushtuar, një figurë e ndershme. Por kjo nuk mjafton. Prishtina nuk ka luksin të udhëhiqet nga njerëz të heshtur që nuk e njohin, që nuk kanë lidhje me të, dhe që nuk kanë ndërtuar asnjë ide për të. Dhe që nuk lënë gjurmë.
Ai vetë ka thënë: “Nuk dua të jem politikan si ata që kanë qenë para meje.” Mirë. Por kush do jesh? Sepse për të drejtuar Prishtinën, duhet të jesh më shumë sesa “jo si të tjerët”. Duhet të jesh vetvetja në dritë, jo në hije. Duhet të jesh qytetar i Prishtinës – jo vizitor me letra nga qendra. Dhe mbi të gjitha, duhet të jesh zgjedhje për qytetin, jo zgjidhje për partinë.