Opinione / Editoriale

Hajgarexhinjtë e rrezikshëm – një analizë debateve televizive në Kosovë


Armat Matoshi Gazetar

Struktura e institucioneve të bazuara në rregulla dhe në evoluim gradual, hierarkia e dijes dhe autoritetit, sfidohen për ditë nga një rrjetë entesh të ndërlidhura jo përmes lidhjeve institucionale dhe intelektuale, por përmes fuqisë virale të mediave sociale dhe televizioneve. Si e tillë, kjo rrjetë e ka zhdukur hendekun mes qendrës dhe periferisë, mes zyrtares dhe të skajshmes, mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

Si pasojë e kësaj, dallimi mes personave kompetentë dhe atyre jo kompetentë bëhet pafundësisht i vështirë, ndërkohë që gjithkush me një llogari në Twitter ose Facebook mund të pretendojë se është burim informacioni ose analize, dhe prej aty ftohet në studiot televizive si “njohës/e i/e çështjeve politike dhe sociale” pa kurrfarë përgatitje intelektuale e profesionale. Kjo gjë ndodhë mjaft shpesh në Kosovë.

Studiot televizive janë mbushur me njerëz të rëndomtë që në kulturën e tyre të debatit kanë vetëm paragjykime, shfaqje idesh e preferencash politike ose thjesht fjalë boshe që rastësia ua ka grumbulluar në ndërgjegje. Ata kanë besime, eksperienca, proverba por s’e kanë imagjinuar kurrë vetën në zotërim të ndonjë opinioni e reference teorike mbi atë se çfarë janë gjërat ose çfarë duhen të jenë ato.

Çka do të thotë kjo?

Sot, nuk mjafton të japësh argumente intelektuale. Audiencës duhet t’i komunikohen “faktet dhe opinionet” në mënyrë të tillë që t’u bëjnë vend nevojave emocionale, t’u ledhatohen ndjenjat, sepse, audienca kosovare konsumon argëtim, të paktë janë ata që angazhohen qytetarisht për probleme të caktuara. Për ata që shpresojnë në ndryshim apo për të luftuar këtë prirje të rrezikshme shoqërore, duhet t’u përshtaten me disiplinë të hekurt rrethanave ku e gjejnë veten duke e parë realitetin se studiot televizive janë në krizë identiteti.

Ka ardhur trendi i hajgarexhinjëve të rrezikshëm, natyrisht me ndonjë përjashtim – figurave publike – që shajnë e pështyjnë, që e thonë atë që ndoshta publiku e ka menduar, por për hirë të do farë normave morale nuk e thotë dot.

Praktika normale e debatit mes kundërshtarësh po transformohet ne relativizëm të pashëndetshëm e cila sjellë polarizim të skajshëm të shoqërisë, ku gjuetia epistemologjike është jo vetëm më e mirë se preja vetë, por është edhe e vetmja që ka rëndësi. Gjithë çështja është që debati të mbahet gjallë, të sigurohet që kurrë të mos arrihet në ndonjë përfundim. Kjo mund të shpjegohet me fjalët e profesorit të Universitetit të Kolumbias, Tim Wu, i cili i ka quajtur “tregtarë të vëmendjes” që janë në garë për kohën tonë dhe e reklamojnë atë si produkt me vlerë shumë të lartë. Pra, këta njerëz shesin, gjithashtu.

Ka kohë që është përzier biznesi i spektaklit me atë të propagandës, shikueshmëria me autoritarizmin. Në qendër të spektaklit janë vetë të ftuarit, si artistë performancash kalojnë përmes roleve të tyre si: revolucionarë, patriotë, anarkistë, profetë, feministë, biznismenë, banditë, spiunë, supermenë. Kur këta bëhen bashkë në debatet televizive, shikuesit i lihet përshtypja se në këtë vend nuk ka njeri në rregull nga trutë.

Në kohën e sotme nuk ka asnjë arsye të dëgjosh, por më tepër të gjykosh, të shpallësh, të vendosësh. Nuk duhet të mendosh por të ndjekësh mendësinë. Nuk ka asnjë çështje, që ka të bëj me jetën publike, në të cilën “analisti” të mos ndërhyjë. Kjo është në disproporcion me numrin e vogël të njerëzve, mendjet e të cilëve arrijnë të ballafaqohen me problemet e kohës së sotme.

Nuk ka më redaktorë por instruktorë, që rrinë në prapaskena dhe fërkojnë duart që të transmetojnë më shumë emocion se informacion, më shumë tension se sportet mundëse. Pra, audienca dëshiron të shoh dhunë, qoftë edhe verbale. Prandaj, i lënë personazhet që të grushtohen e të shahen në studio televizive.

Diskursi publik ka rrëshqitur në racizëm, seksizëm e misogjini, ai politik në nacionalizëm folklorik dhe populist. Debatet që zhvillohen nëpër studiot televizive janë të pjesshme dhe kontradiktore – kështu ka qenë gjithmonë.

Ky fenomen nënkupton një moment perspektivash, divergjencash të ashpra për çdo temë apo ngjarje, pa një autoritet të besuar në studio për të zgjidhur çështjen ose të paktën të jap një mendim të denjë për diçka.

Një simptomë treguese është se nuk kujdesen më për të bindur qytetarin. Ata synojnë të imponojnë argumentet e tyre dhe të asgjësojnë ato të të tjerëve. Mund të themi se ky proces është më afër luftës së shenjtë se cili po merr më shumë “pëlqime” në rrjetet sociale sesa mendimit kritik.

Shprehja e famshme e Nietzsche-s “nuk ka fakte, ka vetëm interpretime” ka marrë kuptimin “arsyeja e atij që ka më shumë ‘pëlqime’ është gjithnjë më e mira”. Në vend që të përkufizojmë faktet apo të gjenerojmë interpretime, ne joshemi nga koncepti i realiteteve të fshehta dhe komploteve të errëta që shpjegojnë çdo gjë.

Media nuk është më dhënëse e informacionit. Informacioni është dorëzuar tashmë. Prandaj, pyetja për gazetarët është se si – dhe nëse – ne i shtojmë vlerë asaj rryme informacioni. Mbingarkesa me informacion do të thotë se të gjithë duhet të bëhemi redaktorë: të shoshisim, verifikojmë, vlerësojmë atë çka e lexojmë e dëgjojmë.

Kjo është epoka në të cilën po jetojmë me post të vërtetën e saj. Nuk mund të ndryshohet gjë, përderisa intelektualët shoqërisht të angazhuar janë partizuar e intelektualët akademikë i janë bashkuar turmave.

Vala e liberalizimit të mediave ka dobësuar premisën themelore të teorisë së funksionit të mediave, e cila thotë se media është pushteti i katërt që mbron qytetarët nga abuzimi i pushtetit, nga qeveria. Komercializimi i tepruar i mediave dhe komodifikimi i lajmeve ka ndryshuar gazetarinë përgjithmonë.

Disa heshtin, sepse, nuk dinë më se cila anë ka të drejtë!


Lajmet kryesore