Opinione / Kolumnistët

Gjykata Speciale e vërteta e pushteteve


Azdren Shala Historian

Qysh nga viti 2015 kur u themelua, deri sot kur po vazhdon procesi i gjykimit, Gjykata Speciale vazhdimisht ka qenë e vërteta e çdo pushteti. Për secilën qeveri ka qenë pasqyra më e mirë që e ka shpërfaqur të vërteten e fytyrës së tyre.

Në kohën e Qeverisë Mustafa u krijua, në kohën e Qeverisë Haradinaj pati përpjekje për ta zhbërë, në Qeverinë Kurti u krijua hapësira për të vepruar kjo gjykatë. Kështu, kjo sfidë e (pa)drejtësisë speciale karshi luftës së drejtë të UÇK-së, për secilin kryeministër ka qenë prova që nuk e kanë kaluar asnjëri.

Por, edhe pse të njëjtë, të gjithë të dështuar përballë nevojës për ta mbrojtur luftën e drejtë, jo të gjithë janë fajtor njësoj.

Nëse të tre këta nuk kanë pasur mundësi për ta penguar, vetëm njëri nga ata e ka inkurajuar.

Ironik është fakti që, ai që më së shumti ka folur për problemet e kësaj gjykate, sot vihet në dispozicion për ta akomoduar çdo përpjekje dhe çdo zyrtarë të kësaj gjykate që vjen me misionin për t’ua treguar shqiptarëve se padrejtësia ndaj tyre është drejtësia e vetme që mund ta marrin.

Ky është kryeministri aktual, Albin Kurti.

Përballë këtij qëndrimi të z. Kurti, i cili që nga thirrja e tij e hapur që ish presidenti Thaçi të shkojë në Hagë për t’u rrëfyer e deri më sot kur angazhon krejt kapacitetin mbrojtës për ta garantuar sigurinë fizike të z. Trendafilova, s’ka si mos të nxit mllefin qe e kishte bariu kur i pa delet e tija të therura nga ujku.

Të gjithë ata që i ofronin mbështetje dhe ngushëllim bariut, e vërenin se atij nuk i ndërronte fare gjendja e rëndë emocionale. Dikush insistoi edhe një herë për të kuptuar më shumë, atëherë bariu foli për herë të parë dhe tha: mërzinë e deleve të therura nga ujku e kam tejkaluar, por nuk arrij ta tejkaloj mërzinë tjetër që bashkë me ujkun me mishin e deleve ushqeheshin edhe qentë e mi.

Sot, të gjithë mund ta tejkalojmë mllefin dhe irritimin nga padrejtësia e Dhomave të Specializuara, por nuk kapërdihet fakti që bashkë me zyrtarë nga ato dhoma po bashkëpunon edhe kryeministri jonë.

Nuk tejkalohet fakti tjetër që ministra e zyrtar të Qeverisë Kurti deponojnë padi dhe bëhen dëshmitarë kundër krerëve të luftës çlirimtare.

Pse i gjithë ky instrumentalizim i kësaj gjykate nga Albin Kurti?

Janë dy arsye: njëra lidhet me luftën e ngushtë për pushtet dhe tjetra lidhet me dëshirën e sëmurë për protagonizëm në histori.

Të gjithë e mbajnë mend dhe të gjithë kanë krijuar shpresa të premtimet biblike të Albin Kurtit sa ishte opozitar.

Në fjalimet e tij kundër Gjykatës Speciale dhe mbrojtjes që ai do u bënte ish ushtarëve të UÇK-së pavarësisht kostos dhe rrethanave, ngjante me Danielin i cili ishte i gatshëm te hidhej në gropën e luanëve për jo ta mohonte besimin te Zoti.

Por, historia e Kurtit mbrapa na tregon diçka tjetër.

Në opozitë shfaqej si Danieli, në pushtet u bë si Juda.

Akoma pa kënduar tri herë gjeli i Speciales Kurti tradhtoi. Kalvari i krerëve të luftës po vazhdon, Kurti shpëtoi.

Instrumentalizimi i ndjesisë së luftës i dha vota për pushtet. Tash është koha që instrumentit të tij t’ia ndërrojë funksionin. Gjykata Speciale tash i duhet për ta fituar edhe vendin e protagonistit në histori krahas vendit që e ka në kolltukun e kryeqeveritarit.

Për qëllimin e dytë i duhet më shumë angazhim sepse fitorja është pothuajse e pamundur.

Megjithatë, përpjekja pa kursyer mjete vazhdon.

Krahas luftës me skuadrën e tij që bashkëqeverisë, në këtë pikë ai e ka një aleat ideal, Gjykatën Speciale.

Demonizimi i atyre qe e kanë udhëhequr luftën për çlirim nga procesi i kësaj gjykate dhe dënimi eventual i tyre si kriminel lufte, për Kurtin do ishte fitore e madhe.

Sintagma e cila ia merr frymën Kurtit “Unë jam Hashim Thaçi dhe mbrapa e vjen Histori”, do zbehej – kjo është shpresa e Kurtit.

Vetëm ky do ishte triumfi i tij, triumfi i një djali të rritur në luftë, por që nga frika e luftës pranoi të arrestohej vullnetarisht në banesën e tij në Prishtinë.

Prandaj këtu merr kuptim pse gjithë ky zell i Kurtit për ta ofruar krejt kapacitetin e tij mbrojtës dhe akomodues çdo zyrtari të Gjykatës Speciale.

I ka aletë të cilën po punojnë më mirë sesa falangat e tij që linçojnë përditë në rrjete sociale.


Lajmet kryesore