Opinione / Kolumnistët

Gjykata e Lartë përmbys ROE v. WADE, çfarë do të thotë në fakt kjo?


Sofia Marcelli Diplomuar në Drejtësi Kriminale në Chicago, SHBA. Studente në master në Politika Publike në Universitetin e Chicagos

Më 24 qershor 2022, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës rrëzoi vendimin ROE kundër WADE, vendim i cili e bëri abortin jokushtetues.

Kjo është hera e parë në historinë amerikane që Gjykata e Lartë ka hequr një të drejtë kushtetuese. 11 shtete tani e kanë bërë abortin të paligjshëm ose e kanë kufizuar thellësisht atë, ndërsa 12 shtete të tjera kanë ligje që sugjerojnë avancimin e tyre drejt ndalimit dhe kufizimit të aksesit ndaj abortit. Disa nga këto shtete madje e kanë nxjerrë të jashtëligjshëm abortin pa përjashtime, edhe për rastet kur kemi të bëjmë me përdhunim ose incest.

Pas këtij vendimi, shumë klinika të abortit në mbarë vendin janë mbyllur menjëherë. Sigurisht numri i aborteve do të shkojë drejt rënies, sepse gratë do të duhet të udhëtojnë drejt një shteti tjetër ku aborti është i ligjshëm. Megjithatë, shumica e grave që kryejnë abort janë të varfra dhe shanset e tyre për të udhëtuar jashtë shtetit janë më të vogla, duke shtuar këtu edhe kufizimet e tyre ekzistuese për të pasur akses në sistemin e kujdesit ndaj shëndetit.

Duke pasur parasysh zvogëlimin e numrit të klinikave të abortit, ato në dispozicion do të mbingarkohen, duke arritur kështu kapacitetin e tyre maksimal dhe nuk do të jenë në gjendje të ndihmojnë shumicën e grave që mund të arrijnë deri atje.

Këto gra, në disa raste, nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të bëjnë abort të paligjshëm dhe të pasigurt duke rrezikuar kështu jetën e tyre. Megjithatë, si në shumicën e rasteve, grupet më të margjinalizuara të grave do të jenë ato që do të paguajnë pasojat reale të këtij vendimi, duke qenë kryesisht ato që i përkasin shtresave të varfra, të klasës punëtore dhe atyre me ngjyrë (ku përfshihen të gjitha ato që nuk kanë ngjyrë të bardhë).

Shumica e popullsisë së zezë të vendit dhe një pjesë e mirë e popullatave hispanike dhe indigjene jetojnë në jug ku janë bërë shumica e kufizimeve në lidhje me abortin. Kjo është padyshim një pengesë e madhe për të drejtat e grave; megjithatë, prekja e të drejtave të grave është vetëm një pjesë e këtij vendimi.

Ai nuk është vetëm një çështje e rregullimit të të drejtave riprodhuese të grave, dhe konservatorëve që janë pro jetës dhe duan të gjallërojnë ideologjitë fetare. Kjo çështje si shumica e të tjerave është edhe një çështje e epërsisë së bardhë.

Amerikanët e bardhë tani janë më shumë se kurrë të frikësuar nga humbja e fuqisë së tyre, duke parë rritjen e diversitetit dhe disproporcionin e nivelit të lindjeve midis të bardhëve dhe njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, si në shumicën e vendeve perëndimore.

Sipas parashikimeve përsa i përket popullsisë nga Byroja e Regjistrimit të SHBA-ve për 2020 deri në 2060 duke filluar nga viti 2030, migrimi ndërkombëtar neto pritet të kapërcejë rritjen natyrore si rritja kryesore e popullsisë në SHBA për shkak të plakjes së popullsisë. Gjithashtu, popullsia e bardhë johispanike pritet të ulet në dekadat e ardhshme, nga 199 milion në 2020 në 179 milion njerëz në 2060.

Rënia e tyre është dhënë nga rënia e lindjeve dhe rritja e shkallës së vdekshmërisë. Popullsia e njerëzve me dy ose më shumë prejardhje racore pritet të jetë grupi racor ose etnik me rritjen më të shpejtë gjatë dekadave të ardhshme.

Ndërsa këto parashikime funksionojnë në favor të popullsisë së Shteteve të Bashkuara dhe rritjes ekonomike, racizmi dhe frika e humbjes së pushtetit të bardhë mbizotëron. Është e njëjta arsye pse ka ende komunitete të ndara në bazë të racës, pabarazi dhe disnivele në pasuri, të ardhura, akses në sistemin shëndetësor, në arsim dhe në sistemin e drejtësisë penale me një problem burgimi masiv që arrin shkallën më të lartë të burgosjes mes vendeve të zhvilluara ekonomikisht të botës, duke prekur kryesisht komunitetet me ngjyrë.

Të ndalosh gra të varfra për të kryer një abort, dhe të reduktosh aksesin e tyre në të, ndikon shumë më tepër sesa vetëm gratë në mënyrë individuale. Ai vendim prek komunitete të tëra të margjinalizuara, duke mos i lejuar ato të kapërcejnë ndonjëherë pabarazinë e tyre, duke i mbajtur ato të burgosura në një status më të ulët social-ekonomik për brezat që do të vijnë dhe duke lejuar kështu ruajtjen e epërsisë së bardhë.

Askush nuk mund të shpjegonte arsyetimin pas këtij vendimi dhe shumë politika ekzistuese raciste më mirë se Jane Elliott në një nga intervistat e saj në 2017.

Jane Elliott është një aktiviste anti-raciste, feministe dhe avokate e kauzës së LGBTQ+. Puna e saj më e famshme ka qenë eksperimenti i saj “Sytë e Kaltër/Sytë kafe” që ajo bëri me nxënësit e saj në shkollën fillore pas vrasjes së Martin Luther King Jr.

Në intervistë, ajo shpjegoi në mënyrë të jashtëzakonshme arsyetimin e vërtetë pas rregullimit të të drejtave riprodhuese të grave, duke thënë se për të kuptuar këtë refuzim ndaj abortit, së pari duhet të kuptojmë ideologjinë raciste që e motivon atë.

Ajo e bën këtë duke përmendur paragrafin e parë të librit “The Birth Dearth” shkruar nga Ben J. Wattenberg në vitin 1987, anëtar i “American Enterprise Institute” (instituti referues i neokonëve të SHBA-ve), i cili ka qenë edhe këshilltar presidentësh të ndryshëm amerikanë.

Në këtë paragraf, thotë Elliott, ai thekson se problemi kryesor me të cilin përballen Shtetet e Bashkuara është se nuk lindin mjaft foshnja të bardha dhe se nëse nuk i ndryshojmë gjërat me shpejtësi, të bardhët do të humbasin shumicën e tyre numerike dhe kjo do të mund të mos jetë më tokë e të bardhëve dhe se për të zgjidhur këtë problem mund të bëjmë vetëm tre gjëra.

Njëra është, pagesa e grave për të lindur fëmijë, gjë që është bërë në shumë vende të Evropës Perëndimore për vite me radhë, por problemi me këtë veprim, sipas tij, është fakti se ne do të duhet të paguajmë gratë e të gjitha ngjyrave dhe nuk duam ta bëjmë këtë.

Gjëja e dytë është rritja e numrit të emigrantëve, por duke qenë se shumica e tyre janë me ngjyrë, ne nuk duam ta bëjmë as këtë.

Prandaj gjëja e tretë që mund të bëjmë është të zgjidhim mungesën e lindjeve. Pasi 60% e aborteve bëhen nga gra të bardha, mbajtja në jetë e këtyre fetuseve është zgjidhja jonë e vetme.

Dhe për të gjithë këtë besoj që nuk ka aspak nevojë të thuhet, se kjo është qartësisht raciste.

Më pas ajo deklaron në intervistën e saj se të bardhët janë të frikësuar sepse janë të vetëdijshëm për gjërat mizore dhe raciste që ata kanë bërë kundër njerëzve me ngjyrë për të fituar dhe ruajtur epërsinë dhe fuqinë e bardhë, dhe duke u bërë një pakicë numerikë në 30 vitet e ardhshme, ata kanë frikë se do të humbasin privilegjin e tyre të të qenit të bardhë.

Ajo përfundon duke thënë se ne mund të mësojmë nga ajo që kemi bërë në të kaluarën, dhe do të ishte mirë ta bëjmë këtë sepse ata që harrojnë gabimet e së kaluarës janë të dënuar t’i përsërisin ato dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë tani. Jemi duke përsëritur gabimet e së shkuarës sepse nuk po mësohet histori, shkenca shoqërore, madje as gjeografi e vërtetë.

Ajo që tha Jane Elliott në 2017 është ende e vërtetë në vitin 2022 edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë mbi përmbysjen e ROE kundër WADE. Shumica e njerëzve nuk e dinë se çfarë do të thotë ky vendim sepse shumica e njerëzve nuk kanë mësuar komponentët e vërtetë të historisë që ende kanë ndikim bërjen e Shteteve të Bashkuara aktuale.

Ky fenomen dhe frika e bardhë nuk shqetësojnë vetëm Shtetet e Bashkuara, por shumicën e vendeve të botës perëndimore, që në dekadat e fundit kanë pasur një rritje të përfaqësimit politik dhe ideologjive konservatore.

Arsyeja pse vendimi i Gjykatës së Lartë është një ngjarje kaq e frikshme është veçanërisht fakti se ai mund të ndikojë në atë që ndodh në shumë vende të tjera perëndimore, që kanë histori të përbashkëta historike dhe një rikthim të përbashkët aktual të partive të ekstremit të djathtë.


Lajmet kryesore