Standardizimi i një gjuhe nënkupton procesin e normëzimit (vendosja e rregullave), ndërkaq gjuha standarde thjesht është rezultat i këtij normëzimi. Pas normëzimit, standardi ’shkëputet’ nga baza e tij dialektore, bëhet një lloj autonom i gjuhës, i cili zhvillohet sipas ligjeve të veçanta dhe ndërtohet si një instrument mbidialektor i qytetërimit dhe kulturës së një bashkësie shoqërore, zakonisht në rangun e kombit, gjë për të cilën niveli i lartë i njësimit, i homogjenizimit, bëhet një nga karakteristikat e tij themelore.
Për këtë arsye asnjë gjuhë standarde nuk mund të barazohet me bazën e vet dialektore dhe aq më pak me ligjërimin popullor të përditshëm në përgjithësi. Kjo do të thotë që nuk mund të flasim për një ’gjuhë të pastër popullore’ që do të kishte shërbyer si model për t’u ndjekur në zhvillimin e kulturës së gjuhë.
Me standardizimin e saj, gjuha shqipe ka arritur një stad të lartë të zhvillimit të vet dhe njëkohësisht edhe realizimin e synimit të pritur për t’u bërë element lidhës i kombit. Përveç autonomisë dhe normëzimit, shqipja standarde karakterizohet edhe nga shumëfuknsionaliteti (mundëson shprehjen e të gjitha diturive – stilet e gjuhës), stabiliteti hapësinor (mundëson komunikim mes folësve që vijnë nga territore të ndryshme) dhe nga stabiliteti kohor (mundëson elasticitet – edhe pse pëson ndryshime e ndikime, nuk rrënohet).
Kultura e gjuhës e çdo individi varet nga niveli i njohjes së normës së gjuhës standarde dhe paraqet tërësinë e përpjekjeve të vetëdijshme që bëhen për të respektuar normën e gjuhës standarde në komunikimin publik, të shkruar a të folur, zyrtar a jozyrtar. Në këtë mes kanë rëndësi dy kategori që quhen në sociolinguistikë qëndrimi (qëndrimi i folësit ndaj standardit, e pranon ose nuk e prnon) dhe sjellja (në ç’masë ligjërimi i shkruar e i folur i dikujt është në pajtim me standardin). Zotërimi i gjuhës standarde, formimi i shprehive të përdorimit të vetvetishëm të standardit nuk është proces i lehtë dhe kërkon kohë, kujdes e vëmendje.
Në rastin e gjuhës shqipe, vetëdija për rëndësinë e zotërimit dhe zbatimit të standardit e tejkalon kornizën gjuhësore dhe shkon përtej. Mund të themi pa ngurrim se sot qëndrimi i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare ndaj gjuhës standarde që kemi në përdorim është miratues, pohues. Gjuha standarde askund e as në shoqërinë shqiptare nuk i mohon varietetet e tjera krahinore-dialektore të ligjërimit të përditshëm familjar e bisedor, të cilat me vlerat e tyre, sidomos stilistike e pasurojnë standardin e çdo gjuhe.
Sfera kryesore e përdorimit të gjuhës standarde është përdorimi publik, ku përfshihen të gjitha llojet e veprimtarive admistrative, arsimore, shkencore, kulturore, mediatike. Mediat sot ushtrojnë ndikim të gjerë për përhapjen e standardit, për krijimin e modelit të bukur e të mirë të gjuhës shqipe (Gjuha jonë sa e mirë …). Nga ana tjetër shkujdesja gjuhësore e mediave lë pasoja të dëmshme.
“Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombi” është çka Arbër Xhaferri pohonte dhe është motivimi i këtij shkrimi, është një mendim i thellë që aludon në mbrojtjen e kohezionit kombëtar. Prirjet për mosrespektim dhe nëpërkëmbje të shqipes standarde bartin në vete pasoja të rrezikshme në drejtim të shpërbërjes gjuhësore që pa dyshim mund të prodhojë edhe shpërbërje në plane të tjera.
Shqipja standarde jeton bashkë me ne pothuaj gjysmë shekulli dhe pikërisht ajo na e ka lehtësuar komunikimin, edukimin, zhvillimin duke dëshmuar kështu se arrin t’i përmbushë me sukses kriteret e nevojshme për një gjuhë standarde. Aq më tepër ajo arriti të bëhet gjuhë edhe e vlerave të mirëfillta të krijimtarisë artistike.
Shqipja standarde në kontekstin e dallimeve tona rajonale, shtetërore e fetare përbën një bosht të fortë bashkimi, kështu që vetëdija për vlerën dhe rëndësinë e saj jo vetëm që nuk duhet të mungojë, por ajo duhet të nxitet dhe të inkurajohet.