Fundviti mund të sjellë një Ballkan tjetër

Amerika nuk do të mbajë më Ballkanin me paterica. Fjalimi i Christopher Landau në Dayton shënon fundin e një epoke dhe fillimin e një pasigurie të re për rajonin
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Fundviti mund të sjellë një Ballkan tjetër

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Tridhjetë vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, zëri amerikan që u dëgjua sërish nga i njëjti qytet nuk ishte më ai i një arkitekti të paqes, por i një fjalimi të ftohtë që po largon duart nga përgjegjësitë që mbajti për dekada.

Christopher Landau, Zëvendës Sekretari i Shtetit në administratën Trump, e tha me qetësi por me ngarkesë të madhe se “Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë mjete të pakufizuara për qëllime të paqarta, të pasigurta apo jorealiste.”

Kjo nuk është thjesht një frazë. Është një sinjal se epoka e ndërhyrjeve shpëtuese ka përfunduar. Dhe ajo që vjen më pas mund të mos jetë paqe. Mund të mos jetë as stabilitet. Madje, mund të mos jetë as interes.

Fjalimi i Landau-t përmbante një tjetër mesazh që duhet të tronditë popujt e Ballkanit: “Nuk jemi ne të vetmit në botën që po jetojmë.” Një pohim i thjeshtë, por shkatërrues për këdo që ka ndërtuar strategji kombëtare mbi besimin se SHBA do të jetë gjithmonë aty për të garantuar sigurinë dhe orientimin politik të rajonit.

Ky është një paralajmërim i heshtur për shtrirjen e ndikimit rus, kinez, turk e arab në Bosnje, në Serbi, në Kosovë, në Mal të Zi e më tej. Amerika nuk do të ndalojë dot më askënd. Do të jetë aty për të dëgjuar, ndoshta për të këshilluar, por nuk do të jetë më forca që ndalon shpërthimin e krizave.

Dhe në Ballkan, kur mbrojtja tërhiqet, historia na ka mësuar se agresioni del nga strofulla.

Kur SHBA flet për “realitet lokal”, po nënkupton dorëheqje nga kontrolli.

Landau nuk e tha kurrë me këto fjalë, por i gjithë fjalimi i tij ishte një akt dorëheqjeje nga përgjegjësia historike që SHBA ka mbajtur mbi Ballkanin që nga vitet ’90.

“Zgjatim dorën e miqësisë, por jo drejtimit,” tha ai. Në përkthim politik kjo thotë se do t’ju japim dorën, por nuk do t’ju mbajmë më në këmbë.

Kjo është thirrje e qartë për vendimmarrje të pjekur nga liderët vendorë. Por është edhe një moment rreziku për vendet që janë mësuar të mbijetojnë përmes mbështetjes së jashtme dhe jo përmes konsensusit të brendshëm.

Në këtë klimë, ata që kanë forca për të vepruar, për mirë apo për keq, do të lëvizin të parët. Dhe nuk janë domosdoshmërisht miqtë tanë.

Nëse ky mesazh lexohet drejt, ai duhet të shqetësojë jo vetëm liderët politikë në rajon, por edhe opinionin publik që ka jetuar për vite me bindjen se “Amerika është gjithmonë me ne”.

Fjalimi i Daytonit ishte ndoshta i fundit që SHBA e përdor për të thënë me elegancë: “Tani jeni vetë. Mos kërkoni më garanci që nuk mund t’i ofrojmë.”

Deri në fund të këtij viti, Ballkani do të përballet me testin e vetë-menaxhimit gjeopolitik. Me dialogun Kosovë-Serbi që ka humbur rrugën, me ndarjen funksionale të Bosnjes që po rrënohet, me rritjen e interesit kinez për portet, energjinë dhe teknologjinë në rajon, me tensione etnike që po zgjohen në kufijtë e harruar. Por një gjë është e qartë me siguri;

Në fund të vitit 2025, rajoni nuk do të jetë më i njëjtë. Dhe askush nuk do të mund të thotë se nuk ishte paralajmëruar.