Opinione / Sport

Flick, ‘fundi’ i hidhur i epokës së artë


Constantin Eckner

Dueli më i ashpër “tek për tek” në futboll, nuk ka ndodhur në fushën e blertë, por pas dyerve të mbyllura te Bayern Munich-u në Gjermani.

Nga njëra anë ka qenë trajneri i bavarezëve, Hansi-Flick, dhe nga ana tjetër drejtori sportiv dhe dora operuese e hierarkisë së Bayern-it, Hasan Salihamidzic.

Nisur nga sukseset e shumta, njerëzit jashtë klubit mendojnë se situata brenda klubit gjerman është paqësore. Por, në fakt, një luftë për fuqi po ndodh në “Allianz Arena”.

Në një kohë që të gjithë i kanë sytë te ndeshja e kthimit me PSG-në (bavarezët ndodhën në Paris për takimin në kuadër të çerekfinales), askush nuk e kupton që verdikti final mund të jetë ndarja e “pancerave” me trajnerin Hansi-Flick.

Debate mbi transferimet

Në klub ka debate mes dyshes drejtuese mbi transferimet e fundit.

Thiago Alcantara u largua drejt Liverpool-it, çka e stresoi shumë Flick-un. Tekniku nuk u pajtua as me faktin që klubi vendosi të mos negociojë rinovimin me Alaba-n dhe Boateng-in.

Në fillim të sezonit, Flick do të shprehej, “Më lejoni ta them kështu: e udhëheq Bayern-in prej një viti e gjysmë. Vitin e kaluar kishim një ekip më kualitativ, çka e dinë të gjithë”.

Më pas, gjatë merkatos së verës, ndodhën disa afrime të minutës së fundit, për të cilat vendosi vetëm Salihamidzic.

Tre nga lojtarët: Bouna Sarr, Marc Roca dhe Douglas Costa, pothuajse nuk kanë luajtur fare deri më tani.

Njëri nga ata është edhe Eric Maxim Choupo-Moting. Edhe pse ka pasur disa paraqitje të mira, përsëri nuk ka treguar nivel të kënaqshëm sa një sulmues i Bayern Munich-ut.

Por, përkundër të gjithave, Flick është përpjekur të qëndrojë pozitiv.

“Kemi të gjitha mundësitë të kapim gjysmëfinalen, nëse shfrytëzojmë më mirë rastet”, tha ai.

Pavarësisht problemeve brenda klubit, trajneri gjerman dëshiron që t’i kalojë javët e ardhshme pa “trazira”. Megjithatë, ndeshja përballë PSG-së mund të ndryshojë gjithçka.

Edhe pse Bayern-i është në rrugë të mirë, duke dalë triumfues në Bundesliga, eliminimi i mundshëm në çerekfinale të Champions-it mund të konsiderohet dështim.

E sigurt është, që edhe Flick, edhe Hamidzic, do t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

Flick beson se, edhe pse ktheu Champions-in në Munich, duke fituar të gjithë titujt, ai kurrë nuk ka qenë trajner i Bayern-it me plot kuptimin e fjalës.

Ai është një trajner, por jo ai që vendos se cilët futbollistë do në ekip.

Si rezultat i kësaj, Flick mund ta mbyllë karrierën e tij te Bayern-i në mënyrën më të shëmtuar.

Nëse kjo ndodh, nuk do të jetë hera e parë që largohet nga një detyrë, për shkak të të tjerëve.

Pse?

Pas eksperiencës si ndihmës-trajner i Gjermanisë nga viti 2006 deri në 2014-n, Flick u bashkua me Hoffenheim-in si shef ekzekutiv. Ai u largua nga gjermanët vetëm pas tetë muajsh.

“Është e qartë që ka ide të ndryshme nga Hansi-Flick, të cilat nuk përputhen me rolin dhe detyrat që i takojnë”, tha Dietmar Hopp, aksioner te Hoffenheim-i.

Kjo gjë duket shumë e zakonshme. Flick duhet të tregohet i kujdesshëm, pasi mund të fitojë “reputacionin e njeriut që largohet kur gjërat nuk shkojnë siç do ai”.

E ardhmja e mundshme e Flick-ut

Puna e ëndrrave po e pret.

Flick është cilësuar si favoriti për të udhëhequr Gjermaninë, pas largimit të Low-it në mbyllje të EURO 2020-ës.

Gjermani nuk i mohoi zërat, sipas të cilave ai mund të jetë pasardhësi i Low-it.

Të gjithë e dinë që ëndrra e tij është të drejtojë kombëtaren gjermane, çka e shfaqi gjatë tetë viteve të tij si ndihmës i Joachim-it.

Fillimisht, ideja që Flick mund të largohet nga Bayern-i, dukej e pamundur. Por tanimë, duke parë problemet dhe mundësinë që i ofron Gjermania, kjo gjë është më shumë se realitet.

Fundi i hidhur i historisë më të bukur…


Lajmet kryesore