Në histori, kanë ekzistuar liderë që për të mbajtur pushtetin nuk ndalojnë së ndërtuari mite rreth vetes, duke i trajtuar qytetarët jo si individë me mendje dhe zë kritik, por si turma të verbëra që duhet të adhurojnë liderin dhe të ndjekin “vizionin e tij të shenjtë”.
Albin Kurti, me fjalimin e tij të fundit në sallën “1 Tetori”, tregoi se nuk është asgjë më shumë se një version i përkohshëm i këtij arketipi. Një lider që përpiqet të shitet si shpëtimtari i vetëm i Kosovës, ndërsa çdo kritik, çdo zë kundërshtues, dhe çdo media shndërrohen automatikisht në “armiq të kombit”.
Kush janë këta njerëz që thonë: “Nëse më doni aq sa ju dua unë, jo vetëm 500 mijë, por 700 mijë vota do të marrim”?
Ky nuk është lider, por një predikues i dëshpëruar që ka humbur lidhjen me realitetin. Politika nuk është akt dashurie ndaj liderit, është një kontratë e qartë midis qytetarit dhe shtetit.
Kurti, me arrogancën e tij të paimagjinueshme, po përpiqet ta transformojë këtë kontratë në një akt përuljeje, ku qytetari duhet të ulë kokën dhe të pranojë dështimet e tij si “kurthe të armiqve”.
Në vend që të flasë për qeverisjen e tij katërvjeçare – që është një kapitull i errët i dështimeve në arsim, shëndetësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare – Kurti vendos të ndërtojë një retorikë përçarëse dhe fyerje ndaj të gjithëve: gazetarëve, analistëve, opozitës dhe madje edhe ndërkombëtarëve.
Ai flet për një Kosovë që duhet të lirohet nga Lista Serbe, ndërsa në Bruksel hap katër pika kufitare dhe zbut çdo pozicion që dikur e quante “të papranueshëm”.
Ky është lideri që na kërkon 500 mijë vota për të “mos qenë i varur nga të tjerët”? Me këtë logjikë, pse nuk i hap rrugë një referendumi ku qytetarët të votojnë për “shpalljen e tij si të përjetshëm”?
Fjalimi i tij nuk është vetëm fyes, por një reflektim i qartë i një mentaliteti autoritar, ku lideri nuk mund të pranojë asnjë dështim pa ia hedhur fajin dikujt tjetër.
Këto janë taktika të ngjashme me ato të liderëve si Hugo Chavez apo Aleksandër Lukashenko – një përzierje e propagandës populiste me premtime boshe dhe retorikë përçarëse.
Por edhe ata, në kulmin e tyre, ishin të kujdesshëm që të mos fyenin aq hapur qytetarët e tyre. Kurti, përkundrazi, e bën këtë hapur dhe me krenari.
Në një vend ku qytetarët presin përgjegjësi dhe rezultate konkrete, kryeministri na ofron një listë kandidatësh që shiten si “elita profesionale”.
A është kjo lista që do të shpëtojë arsimin nga grevat? A do të përmirësojnë ata marrëdhëniet me SHBA-të pas ftohjes historike që ka ndodhur nën qeverisjen e tij? Apo janë thjesht fasada që shërben për të mbuluar dështimet e rënda?
Nëse opozita, mediat dhe qytetarët do t’i përgjigjeshin Kurtit me të njëjtën gjuhë sulmuese dhe përçarëse, Kosova do të shndërrohej në një arenë konflikti pa fund.
Por për fat të mirë, qytetarët e Kosovës nuk janë aq të verbër sa të bien në këtë grackë. Liderët që ndërtojnë “armiq të paqenë” për të justifikuar dështimet e tyre janë të destinuar të dështojnë.
Dhe Albin Kurti nuk është përjashtim.
Betejën politike e ka humbur – tashmë i ka mbetur vetëm ajo elektorale. Dhe kur humbet edhe atë, nuk do të ketë më “armiq të paqenë” për t’i fajësuar.
Do të mbetet vetëm ai, vetëm dhe para dështimeve që ka krijuar vetë.