Pushteti i Kurtit na e nxori purrinin – t’keqtit – si shoqëri. Na i shpërtheu cevat e kanalizimit ku qarkullojnë mbetjet, na i qiti veset e zeza mbi asfalt, shkurre e lloj-lloj.
Na u “prishën” edhe familjet; paramendo, u bë modë me i matë tezet, hallat e dajtë sa janë me pushtetin a me opozitën, me demek, sa vlejnë e sa s’vlejnë…Po flas pak në vetën e parë, se siç thotë Luhmanni në një intervistë: nuk mundesh me folë për shoqërinë duke dalë jashtë saj.
Pak a shumë si “paralajmërimi” i Wittgensteinit – që nuk mundesh me dalë jashtë gjuhës e me folë për gjuhën. Me një fjalë: krejt jemi pjesë e kësaj maskarade – kush më shumë, kush më pak, kush më herët, kush më vonë.
Por, një rrezik shumë i madh po i sillet mbi krye qytetarisë sonë: fantazma e pushtetit për të relativizuar gazetarinë, si pjesë strategjike dhe nevojë për zgjedhje. Për me humbë tragun e flliqësive të tyre, shpesh i quajnë mediat kritike si “opozitare”, “antikombëtare”, “të huaja”, “agjenda të paguara”…Synimi shihet prej avioni: që qytetarët të mos u besojnë më mediave që raportojnë fakte të këqija për pushtetin.
E këtë po e zëvendësojnë me dresurë akulturore – krijimin e mediave të kontrolluara ose të afërta me pushtetin, që promovojnë narrativën zyrtare duke prodhuar lajme alternative, shpesh të pasakta. Një lloj kaosi informativ. Tipike për qeveri të lodhura për tokë që kanë veç agjenda ideologjike. Abuzim radikal me gjuhën. E pasoja është: që askush të mos ketë të drejtë. Pra, hutimi.
Është e vërtetë se mediat te ne topallojnë, siç topallon akademia, siç topallojnë fakultetet dhe profesorët, siç topallojnë institutet, siç topallojnë publicistët, siç topallojnë mjeshtrat e shtëpive që s’ka shans pa t’lanë diçka keq, siç topallojnë automekanikët. Por ky është njeriu kosovar, Homo Improvizatori.
Kemi improvizuar shumë për të mbijetuar dhe kjo na është kthyer në ves “marrëdhëniesh”. Improvizimi vjen një ditë me logjikën e fajdeve, krejt investimet e “gabuara” vijnë e t’i marrin. Të thotë që çka keni shkruar deri tash – shumica – s’ka qenë shkencë. Ka qenë brenda kumtit poetik, pak a shumë: “Zoti që ju fliste veç shqip brenda historisë”, ka qenë histeri prej ndikimeve “albanologjike”, ka qenë fore e “nevojave” të kohës.
Nëse arrijmë në këtë stad, ku qytetaria s’ka pyetje, dyshime, kritika për pushtetet (krejt çka quajmë civilizim perëndimor); nëse s’arrijmë të krijojmë “komunitete” të përhershme – jo me korrespondencë – që ua prishin rehatinë qeverive, por në vend të kësaj e ndërtojmë intelektualin e të vërtetave zyrtare, kemi shkuar poshtë si shoqëri. Kemi rënë në provimin e PISA-s së “kulturimit”.
Pse nuk dolëm hala e mbetëm për më shumë se dy dekada brenda “mendësisë albanologjike” të shpjegimit të botës, brenda kategorive folklorike të një kiçi politik, nuk e di. Ka shumë perspektiva shpjegimi. Por prefiksi Post mbeti si zgjatim i variacioneve “albanologjike”, mimikërisht kritike, por jo si “shkëputje” nga një kohë që i ka rënë ora.
Pasojat do t’ua shohim më vonë, fëmijëve post-albanologjikë.