Opinione / Politikë

FBI sapo riktheu fuqishëm Donald Trump-in


David Brooks Kolumnist i New York Times

Pse është kaq i fuqishëm Donald Trump? Si arriti ai të dominojë një nga dy partitë kryesore dhe të zgjidhet president?

A qëndron suksesi te flokët e tij? Beli?

Jo, te rrëfimet e tij.

Trump tregon histori të fuqishme që janë të vërteta për dhjetëra miliona amerikanë.

Tregimi kryesor: Amerika po shkatërrohet nga elitat e korruptuara bregdetare.

Sipas kësaj narrative, ekziston një rrjet i ndërlidhur amerikanësh me arsim të lartë që përbëjnë atë që ndjekësit e ish-presidentit Trump e quajtën Regjim.

Ky i fundit përbëhet nga lojtarët e pushtetit të Washingtonit, media liberale, fondacione të mëdha, universitete elitare, korporata të zgjuara.

Këta njerëz janë të korruptuar, mospërfillës dhe të pamoralshëm dhe po kujdesen vetëm për veten e tyre.

Ata synojnë të kapin Trump-in sepse ai është personi që u qëndron përballë.

Ata nuk janë vetëm për këtë arsye. Ky tregim ka në thelb të vërtetën.

Elitat metropolitane me arsim të lartë janë bërë diçka si një klasë brahmine e mbyllur në vetvete.

Por propaganda e Trump-it e kthen atë që është një humnerë fatkeqe sociale në teori konspirative.

Ajo thjesht supozon – kundër shumë provave – se institucionet drejtuese të shoqërisë janë në thelb të korruptuara, keqdashëse dhe partiake dhe po veprojnë me keqbesim.

Karriera politike e Trump-it është mbajtur në këmbë nga përbuzja e elitës.

Sa më shumë elitat ta përçmojnë atë, aq më shumë e duan republikanët.

Kriteri kryesor për lidershipin në Partinë Republikane sot është të kesh armiqtë e duhur.

Në këtë lojë hyn edhe FBI-ja.

Ka shumë që nuk dimë për kërkimin në Mar-a-Lago. Por ne e pamë se si reagoi Partia Republikane.

Ata ishin në ekstazë.

“Shiko! Jemi vërtet të persekutuar!”

Ese me tituj si “Regjimi kërkon hakmarrjen e tij” nisën të shfaqen.

Hetimi ndaj Trump-it u pa thjesht si një komplot i urryer i regjimit.

Të paktën tani për tani, kërkimi ka tronditur peizazhin politik republikan.

Disa javë më parë, rreth gjysma e votuesve republikanë ishin gati të largoheshin nga Trump, sipas një sondazhi të Neë York Times/Siena College.

Këtë javë e gjithë partia dukej se u mblodh pas tij.

Strategët republikanë që këshillonin kundërshtarët e mundshëm primar të Trump-it kishin arsye të ishin të dëshpëruar.

“Plotësisht i dha atij një litar shpëtimi”, tha një strateg i tillë për “Politico”.

Sipas një sondazhi të Grupit “Trafalgar” 83 për qind e votuesve të mundshëm republikanë thanë se kërkimi i F.B.I-së i bëri ata më të motivuar për të votuar në zgjedhjet e 2022.

Mbi 75 për qind e votuesve të mundshëm republikanë besonin se armiqtë politikë të Trump-it ishin prapa kërkimit dhe jo sistemit të paanshëm të drejtësisë, ashtu si 48 për qind e votuesve të mundshëm në zgjedhjet e përgjithshme në përgjithësi.

Në një shoqëri normale, kur politikanët hetohen ose akuzohen, kjo i lëndon politikisht.

Por kjo nuk vlen më për Partinë Republike.

GOP Trump supporters escalate dark rhetoric after FBI search | PBS NewsHour

Sistemi gjyqësor mund të përplaset me sistemin politik në një mënyrë të paprecedentë.

Çfarë ndodh nëse një prokuror akuzon Trumpin dhe ai dënohet?

Çfarë ndodh nëse sistemi ligjor, duke përdorur kriteret e tij, vendos që Trump-i të shkojë në burg pikërisht në momentin që sistemi zgjedhor, duke përdorur kriteret e tij, vendos se ai duhet të shkojë në Shtëpinë e Bardhë?

Unë supozoj se në ato rrethana Trump-i do të arrestohej dhe burgosej.

Unë gjithashtu supozoj se do të shohim dhunë politike nga votuesit e zemëruar të Trump-it, të cilët do të arrinin në përfundimin se regjimi ka vjedhur vendin.

Sipas mendimit tim, kjo është rruga më e mundshme drejt një prishjeje të plotë demokratike.

Në teori, drejtësia është e verbër dhe padyshim që asnjë person nuk mund të jetë mbi ligjin.

Por siç shkroi Damon Linker në një postim të Substack: Kjo është një politikë, jo një seminar diplomimi në etikën kantiane.

Ne jetojmë në një situatë specifike të botës reale dhe të gjithë duhet të marrim përgjegjësinë për efektet e veprimeve tona në botën reale.

Amerika absolutisht duhet të ndëshkojë ata që kryejnë krime.

Nga ana tjetër, Amerika duhet të sigurohet që Trump-i të mos marrë një mandat tjetër si president.

Çfarë bëjmë nëse e para e bën të dytën më të mundshme?

Nuk kam asnjë ide se si të dalim nga ky konflikt i mundshëm midis realiteteve tona ligjore dhe politike.

Ne po jetojmë në një krizë legjitimiteti, gjatë së cilës mosbesimi ndaj pushtetit të vendosur është aq virulent saqë veprimet e aktorëve të elitës priren të kthehen në rezultate të kundërta, pavarësisht se sa të bazuara janë.

Përshtypja ime është se FBI kishte arsye legjitime për të bërë atë që bëri.

Mendimi im është se do të gjejë disa dokumente që nuk do të bëjnë asgjë për të dobësuar mbështetjen e Trump-it.

Unë jam gjithashtu i bindur se, të paktën tani për tani, ajo ka përmirësuar pa dashje shanset e rizgjedhjes së Trump-it.

Kjo e ka bërë pa dashje jetën më të vështirë për sfiduesit e mundshëm kryesorë të Trump-it dhe ka motivuar bazën e tij.

Duket sikur po ecim drejt një lloj stuhie dhe nuk ka asnjë mënyrë të ndershme për të ndryshuar kursin tonë.


Lajmet kryesore