Opinione / Kolumnistët

Është koha ta kthejmë politikën e zgjerimit evropian në rrugë të drejtë


Kyriakos Mitsotakis Kryeministri i Greqisë

Samiti i sotëm i Procesit Evropian për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (SEECP) i mbajtur në portin antik të qytetit të Selanikut, një qendër e madhe e tregtisë dhe ideve për shumë shekuj, vije në një moment kritik.

Kjo paraqet një mundësi të takohemi dhe të shkëmbejmë ide të rëndësishme  me homologët e mi dhe të analizojmë atë se ku jemi dhe çfarë duhet urgjentisht të bëhet.

Historia na mëson se ka periudha të ndryshimeve të shpejta dhe ky ndryshim kërkon zgjim të menjëhershëm. Bota ka ndryshuar shumë në muajt e fundit, dhe si rezultat, jemi në një moment sfidues – përkatësisht për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

Ka ardhur koha për Bashkimin Evropian të pranojë rëndësinë ekzistenciale të integrimit të këtij rajoni në familjen evropiane, dhe për ta bërë këtë duhet që me besim të bëjë hapa para – duke filluar me Ballkanin Perëndimor.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, besimi mbizotërues i  Perëndimit – edhe pse naiv – ishte që lufta për vlerat dhe idealet është fituar. Historia evropiane, e karakterizuar nga konfliktet e dhunshme dhe dy luftërat botërore, mendonte se është kthyer kah paqja, prosperiteti, bashkëpunimi dhe sundimi i ligjit.

Lufta e paprovokuar, ilegale dhe e tmerrshme në Ukrainë ekspozoi pamëshirshëm gabimet e nocioneve të tilla.

Edhe pse përfundimi i Luftës së Ftohtë ka qenë një moment i shpresës dhe optimizmit, njëkohësisht ushqeu një vetëkënaqësi të rrezikshme. Vetëkënaqësi të cilën jemi duke e paguar me çmim të lartë dhe të cilin nuk mund ta përballojmë përsëri.

Takimet e sotme vijnë në më pak se dy javë prej takimeve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, dhe të Këshillit Evropian, ku do të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e rajonit.

Dhe Ballkani, si shumë herë në historinë e tij, qëndron në vijën e parë të frontit në luftën mes sferës së influencës – dridhjet kërcënuese dhe ogurzeza të së cilës mund të ndihen në sipërfaqe.

Pra, është koha që BE të bëhet e sinqertë me vetën pastaj me rajonin.

Më 2003, përsëri ne Selanik, BE ofroi një vizion politik të afinitetit dhe propozoi një proces që do ta udhëhiqte Ballkanin Perëndimor drejtë anëtarësimit në familjen evropiane.

Por, 20 vjet kanë kaluar dhe procesi i anëtarësimit është bërë më i përpunuar dhe më kërkues duke u shndërruar në një vizion të turbullt dhe të zbehtë në sytë e qytetarëve, duke i lënë ata të frustruar dhe të zhgënjyer.

BE vazhdon të flasë rreth angazhimit konkret kundrejt Ballkanit Perëndimor dhe pret të përmbushë pakon e saj të reformave dhe të kushteve. Sidoqoftë, rajoni e sheh këtë si lodhje e BE-së nga zgjerimi dhe si lëvizje e vazhdueshme e rregullave në një mënyrë të atillë që e bënë suksesin më të vështirë. Lufta në Ukrainë e ka forcuar ndjenjën se fokusi i BE-së është duke u zhvendosur.

Duke reflektuar për të gjitha këto zhvillime në vitin 2022, përsëri nga Selaniku, ku ne do të pritemi nga Presidenti i Këshillit të BE-së dhe nga Kancelari gjerman, më duket se ne, si shtete anëtare, duhet të marrim hapa konkret, por të nevojshëm për të përmbushur vizionin politik të vitit 2003.

Ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë që është historikisht dhe politikisht kuptimplotë. Duhet të ndërtojmë besimin që kur BE vendos një vizion, ka dëshirën dhe kapacitetin për të vazhduar përpara.

Unë pres me padurim që ta paraqesë këtë shqetësim, jo vetëm atyre që janë sot pjesëmarrës në samit por edhe liderëve tjerë përgjatë gjithë BE-së, përfshirë edhe mikun tim të shtrenjtë, Presidentin francez Emanuel Makron. Ai është mendimtar i thellë dhe është një njeri që vepron, i dëshmuar tashmë me idetë inovative për të ardhmen e Evropës, të cilat mund të shërbejnë si inspirim për diskutimet tona.

Por, mesazhi im është i qartë: Në pajtim me kriterin e vendosur, na lejoni t’ju ofrojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE deri më 2033 – afat kohor ambicioz por i arritshëm. Ne veçse jemi vonuar. Hapi i parë duhet të jetë një vendim në një afat kohor prej dy javësh në Bruksel të zhbllokojë rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Duke parë rajonin më gjerë, BE duhet të pranojë faktin që një peizazh i ri gjeopolitik ka imponuar një realitet tjetër – realitet që përfshin shtete si Ukraina dhe Moldavia në perspektivën e BE-së. Kjo gjë shihet në Deklaratën e Përbashkët të samitit që pritet të miratohet. BE nuk duhet ta shohë këtë si shpërqendrim nga evoluimi, por si një mundësi për transformim.

Nëse kthehemi pas, BE duhet të jetë krenare për të gjitha të arriturat. Projekti evropian është eksperiment unik që është vërtetuar të jetë garanca më e suksesshme për paqe, stabilitet, rritje ekonomike dhe prosperitet shoqëror në Kontinent. Por, e ardhmja nuk pret, dhe ne nuk mundemi ta ndalim kohën – megjithatë e gjithë jeta është evolucion.

Është e qartë që ndryshimet e thella në botën përreth nesh kërkojnë nga BE që urgjentisht të zhvillojë një diskutim të brendshëm, serioz dhe të sinqertë për të ardhmen e zgjerimit – se si dhe kur?

Ne duhet të mendojmë dhe të vendosim se si e shohim vetën duke u rritur dhe ndryshuar.

Në Ballkan, si askund tjetër, aktorë armiqësorë mundohen të minimizojnë përpjekjet tona. Ata kanë pikëpamje konkurruese të botës dhe aspirata që shkelin mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe liritë themelore. Ata përdorin gjuhën fyese, revizionizmin dhe nostalgjinë imperialiste. Ata mendojnë që munden të shtypin shpirtin njerëzor me anë të ngacmimit dhe muskujve. Ne nuk mund të lejojmë këtë vakum të zhvillohet për aktorë të tillë ku mund të operojnë – aty ku ata mendojnë se mund të kenë sukses.

Këto do të jenë idetë. Do t’i marrë me vete nga Selaniku në Bruksel. Dua të besoj se BE është gati të bëjë atë që të gjithë presin ta bëjë, me sfidën e gdhendjes të së ardhmes së kontinentit tonë në një mënyrë që do të siguronte stabilitetin dhe prosperitetin për gjeneratat që do vijnë. Është koha ta mbajmë premtimin e Selanikut.

Përkthyer nga Albanian Post. Shkruar në origjinal për Politico.eu.


Lajmet kryesore