Në një botë ku partitë politike lindin për të fituar pushtet dhe mbijetojnë duke e tradhtuar veten, Lëvizja për Bashkim e mbylli veprimtarinë e saj pa e mohuar kurrë atë që ishte: një dëshmi morale për idealin e bashkimit kombëtar, për luftën pa kompromis ndaj pushtimeve, ndaj kompromisit të imponuar dhe ndaj falsifikimit të historisë. Sot, kur Valon Murati dha lajmin se LB shpall fundin e veprimtarisë, nuk jemi dëshmitarë të një dështimi elektoral, por të një akti nderi që e ndan politikën nga moraliteti, ideologjinë nga karriera, historinë nga pushteti.
Ishte LKÇK-ja ajo që i parapriu LB-së. Në fillim një lëvizje e rrezikshme, ilegale, që djemtë dhe vajzat e saj e ndërtuan nën hijen e burgjeve, të armëve dhe të heshtjes së dhunshme që sundonte Kosovën para lufte. Ishin ata që nuk e shikonin çlirimin si fund, por si mjet për ta përmbushur atë që e quanin vetëvendosje reale. Jjo si parullë, por si synim historik, që ishte dhe mbetet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Jo si copëtim, por si përmbushje e një të drejte themelore historike e politike.
Kur lufta përfundoi dhe Kosova kaloi nën administrimin ndërkombëtar, shumica heshtën për bashkimin. Disa e përdorën si retorikë, të tjerë e harruan. Por ata , pra ata që sot po heshtin për herë të fundit nën siglën LB, nuk u tërhoqën nga ajo që kishin thënë në ditët më të vështira. Ata nuk shkuan pas posteve, nuk e shitën identitetin në emër të përfshirjes në qeveri, nuk e maskuan flamurin me konformizëm. E paguan këtë qëndrim me përjashtim, me margjinalizim, me linçim. Por nuk u bënë kurrë palë me mashtruesit.
Kishin një vizion. Kishin një marrëveshje paqeje që do të ndante drejtësisht territoret, për t’i kthyer kufijtë atje ku i kishte prerë padrejtësia e Bismarkut, e Kongresit të Berlinit, e të gjitha zgjidhjeve që popullin shqiptar e trajtuan si objekt që shpërndahet, jo si subjekt që vendos. Ata nuk ishin primitivë. Nuk ishin folklorikë. As nacionalistë të verbër. Ishin racionalë në një mënyrë që frikësonte edhe vetë ata që mendonin ndryshe, sepse propozimi i tyre për krijimin e dy shteteve etnike , shqiptar dhe serb, vinte pa urrejtje, pa revan, por me vetëdije se vetëm kështu mund të përmbyllet historia që kurrë nuk u mbyll. Sepse shqiptarët dhe serbët nuk dëshironin të jetonin bashkë.
Kjo nuk ishte politikë për vota. Ishte testament. Dhe sot, LB po e shkruan këtë testament me dinjitet. Ata nuk i përmbushën objektivat, por nuk e përdhosën asnjëherë flamurin që ngritën. Nuk e banalizuan kurrë sakrificën. Nuk u bënë pjesë e aleancave që ia ndryshojnë emrin kombit, që fshijnë idealet për hatër të raporteve ndërkombëtare apo të kompromiseve të brendshme. Nuk u bënë pjesë e republikës së lejeve dhe tenderëve. Ngelën të pastër. Dhe kjo, në vetvete, është fitore.
Ata që nuk e shndërruan idealin në karrierë
Për të kuptuar pse mbyllja e LB-së është akt moral, duhet të kthehemi te ata që e ngjizën këtë lëvizje kur ajo ende ishte rrezik, jo ofertë politike. Ishin djemtë dhe vajzat e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), më pas të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), që sollën një vijë të re politike në vitet ’90. Një vijë që nuk kërkonte favorin e perëndimit, por legjitimitetin nga populli dhe nga e drejta historike.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu u pushkatuan në periferi të Prishtinës në një përplasje frontale me forcat serbe më 2 nëntor 1989. Ata nuk u fshehën. Nuk kërkuan rrugë për të shpëtuar veten. Ata shkuan drejt vdekjes me ndërgjegjen se po ia japin Kosovës një gjuhë tjetër lirie, një gjuhë që nuk bëhej përmes letrave dhe ndihmave ndërkombëtare, por përmes organizimit vetanak, përmes frontit, përmes rrezikut.
Në vijën e tyre u rreshtuan më pas Bahri Fazliu, që nga poezia kaloi në ilegalitet. Ai u vra në Bogiqe në vitin 1998, në përpjekje për t’u bashkuar me UÇK-në. Bahriu ishte simbol i një brezi që e kishte konceptuar lirinë jo si pavarësi gjeografike, por si rilindje shpirtërore. Ai nuk kërkonte vetëm një shtet, por një ndryshim të njeriut shqiptar, një emancipim të vetëdijshëm që nuk ndodhte nëpërmjet liderëve, por nëpërmjet popullit që çohet vetë në këmbë.
Në luftë, shumë nga pjesëtarët e LKÇK-së u rreshtuan në UÇK, por pa e braktisur kriticizmin ndaj mënyrës se si po ndërtohej përfaqësimi politik. Në kohën kur u firmos marrëveshja e Rambujesë, ata ishin ndër të paktët që ngritën zërin për mungesën e përfaqësimit të vërtetë dhe për rrezikun që lufta të përfundonte pa bashkim. Ata e njihnin çmimin e ndërhyrjes ndërkombëtare, por nuk e kishin për hyjnizuar atë. Ishin kritikë të qartë të logjikës së “çlirimit të dhënë” dhe jo të fituar. Koha tregoi se këtu nuk kishin të drejtë.
Paslufta i gjeti të vetmuar. Në një realitet ku UÇK u shndërrua në pasaportë politike dhe partitë e reja garonin për koncensione e poste, LB kërkonte ende bashkimin. U ngjiz nga strukturat e mbetura të LKÇK-së dhe nga njerëz që nuk pranuan të bëhen servilë të ri të qeverisjes. Ata ishin pjesë e protestave të vitit 2007 kundër Pakos së Ahtisaarit, të cilën e konsideronin një tjetër formë të mbikëqyrjes pa dinjitet.
Në radhët e tyre kishte figura të kalitura si Avni Klinaku, ndër drejtuesit historikë të LKÇK-së, që vuajti vite të tëra burg në kohën e Jugosllavisë. Kishte gjithashtu juristë dhe aktivistë që përgatitën draft-kushtetutën e një Kosove që do të mund të shpallte bashkim me Shqipërinë përmes referendumit. Ishin ata që nuk e ndanë kurrë flamurin kombëtar nga vetë identiteti i shtetit. Dhe ishin po ata që nuk e konsideruan kurrë veten “opozitë për karrierë”, por përfaqësues të një ideali të papërkthyer në marketing politik.
Ata nuk i pranuan zgjedhjet e montuara dhe nuk i shkuan nga pas partive të mëdha që përdornin patriotizmin si kulisë. Në vend që të futeshin në pazaret politike, ata preferuan të mbeteshin të pastër dhe të izoluar. Dhe ndoshta për këtë arsye sot nuk kanë asnjë borxh për të larë. Humbja nuk është e tyre. Është e jona.
Kosova sot nuk ka humbur një parti. Ka humbur një busull. Sepse ata që e nisën rrugën për bashkim, nuk u besuan nga një shoqëri që i kishte humbur idealet. Dhe sot po vazhdojmë të bëjmë të njëjtin gabim: të mos besojmë më në asgjë që nuk shitet, që nuk blen, që nuk prodhon klikime. Por historia e vërtetë nuk do të jetë ajo që fiton zgjedhjet. Do të jetë ajo që e ruan esencën, edhe kur çdo gjë tjetër shembet.
LB mund të mbyllë veprimtarinë. Por ajo që ata mbollën nuk vdes. Sepse një ditë, dikush do të duhet të përgjigjet, pse nuk i besuam kur nuk na mashtruan? Dhe a jemi ende duke besuar tek ata që na mashtrojnë çdo ditë?
Ky është epitafi i tyre: Të vërtetë në luftë. Të sinqertë në paqe. Të refuzuar nga pushteti. Por të pranuar nga historia.