Opinione / Kolumnistët

Elektricisti i Prishtinës


Stefano Marcelli

Kosova është në qendrën e stuhisë së diplomacisë perëndimore.

BE-ja, me daljen e publikimit të non paper ditën e hënë të 30 janarit, sapo i ka dërguar një ultimatum të ashpër Beogradit dhe Prishtinës që të mos vazhdojnë më me shtyrjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve.

SHBA-të edhe një herë i kanë bërë thirrje ashpër qeverisë kosovare si përmes letrës së Chollet dhe Escobar, si përmes takimit të ditës së sotme të thirrur nga ambasadori i tyre.

Konfrontimi i drejtpërdrejtë gjeopolitik midis NATO-s dhe Rusisë i nisur nga pushtimi i Ukrainës dhe shqetësimet e shtuara evropiane për rrugën ballkanike të emigrantëve të nxitur nga Turqia, e bëjnë një çështje urgjente stabilizimin e Ballkanit Perëndimor si për Washington-in dhe Brukselin.

Tensionet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i bashkohen tensioneve të shkaktuara nga Republika Srpska në Bosnjë dhe ato më të fundit në Malin e Zi.

Një gjendje alarmi që ka sjellë tashmë forcimin e kontingjenteve ushtarake në zonë.

Në mes të kësaj vorbulle tensionesh, në rrjete sociale qarkullon një video e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti ku shpjegon ndryshimin në përthithjen e energjisë elektrike midis një llambe dhe një sobe elektrike.

Një mesazh online, i cili duke iu bashkëngjitur qëndrimit të Kurtit në këto momente dhe reagimeve perëndimore në lidhje me Asociacionin, nuk di nëse duhet gjykuar i turbullt apo qesharak.

Realisht, përkthimi i atij mësimi nga një ekspert elektrik është i thjeshtë: qarravitje e radhës e kryeministrit kosovar, sipas të cilit Perëndimi do të kapej më shumë me Prishtinën sesa me Beogradin për mungesën e marrëveshjes.

Megjithatë, në gjithë këtë histori tensionesh, Kurti harron të vlerësojë marrëdhëniet e ndryshme që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë në raport me botën e Atlantikut.

Një shtet i Kosovës nuk ka ekzistuar kurrë në histori derisa NATO-ja ndërhyri ushtarakisht për ta krijuar atë.

Nëse Kosova ekziston sot përkundër vullnetit të Serbisë, Rusisë dhe vendeve të tjera që ende nuk e kanë njohur, kjo është vetëm dhe vetëm me vendim të SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s.

Për këtë arsye, Perëndimi e konsideron Kosovën si krijesën e vet dhe pret që ajo të ndjekë indikacionet e saj për të stabilizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe për të nisur rrugën e saj të hyrjes në BE.

Nga ana tjetër është më se e qartë që rregullimi i pranimit të saj brenda komunitetit ndërkombëtar paraqet një objektiv jetik për të ardhmen e vendit dhe për këtë arsye duhet të jetë edhe prioritet i qeverisë Kurti.

Serbia nuk e ka këtë urgjencë dhe nuk e ka as detyrimin e mirënjohjes ndaj NATO-s që e bombardoi vetëm disa dekada më parë.

Madje edhe vetë gjeneralët e Aleancës Atlantike e pranojnë të drejtën e serbëve për të ushqyer ndjenjën e zemërimit kundër tyre.

Ajo që ka më shumë për të përfituar nga një marrëveshje dypalëshe dhe nga përfundimi i tensioneve kufitare është sigurisht Kosova, e cila nuk mund të mos shikojë me besim zgjidhjet e propozuara nga Perëndimi.

Janë fakte më se të dukshme. E megjithatë Kurti nuk bën gjë tjetër veçse vihet si pengesë, në një garë të përditshme me Vuçiç-in për të parë se kush e pengon më shumë fillimin e një negociate.

Dhe me këtë lëvizje nuk bën gjë tjetër veçse tërheq popullin e tij në një lëvizje humbëse, drejt qëllimesh të padepërtueshme dhe të pakuptueshme.

Nuk ka dyshim se kryeministri nuk po i shërben as interesave të kosovarëve dhe as atyre të stabilizimit të një rajoni që rrezikon të bëhet sërish shpërthyes.

Politika e Albin Kurtit duket se synon vetëm dhe ekskluzivisht t’i garantojë atij mbështetje elektorale brenda vendit të tij për të qëndruar në pushtet duke nxitur klimën e tensionit me Serbinë dhe gjithashtu me botën perëndimore. Por duke rritur kështu izolimin ndërkombëtar të Kosovës.

Ne e kemi pyetur veten edhe në të kaluarën nëse Kurti a është vallë kështu apo bën vetë (siç thonë në Itali).

Domethënë, nëse ai nuk e kupton apo nëse ndjek objektiva të tjera nga ato të diktuara nga interesat kombëtare të Kosovës.

Sot bëjmë një hap përpara dhe pyesim veten nëse ai ndjek interesat e tij apo të ndonjë vendi tjetër.

E sigurt është se, ta shohësh atë duke bërë politikë me llamba dhe ngrohëse elektrike, sugjeron një kapacitet mjaft të kufizuar të të menduarit.


Lajmet kryesore