Fotoja e cila është duke qarkulluar e shfrenuar në ueb, të kujton disa fotografi të vjetra të mbajtura në albume familjare. Ajo portretizon dy të rinj (të veshur njësoj: pantallona të zeza dhe këmishë të bardhë) të cilët shikojnë njëri-tjetrin me shikime të përhumbur dhe dashuria rrjedh nga çdo qelizë e tyre.
Por ama aty ka edhe diçka që të shtang disi, sepse ai është një gjigant gati dy metra dhe ajo është një bjonde jo më shumë se një metër e 60! Duket si të ishte një çihuahua që nuhat pranë një Alani danez të madh.
Por ai është totalisht i rrëmbyer prej saj, i dashuri klasik i nënshtruar ndaj të dashurës dhe, pavarësisht gjatësisë së tij, e sheh nga poshtë lart. “Kur flet Giorgia, ajo bëhet gjigante. Ajo është pjellë e një tigri. Që prej mbërritjes në skenën ndërkombëtare, ajo nuk ka gabuar asnjë lëvizje. Unë jam një vëlla i vjetër i Italisë dhe ajo është një motër e vogël e Shqipërisë”.
Është për t’u habitur të shohësh kryeministrin shqiptar, i cili zakonisht nuk kursen sarkazmën, talljen dhe denigrimin ndaj kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve, kaq të butë dhe të pushtuar nga admirimi për kolegen e tij italiane.
Rama është kaq i përfshirë nga dashuria e tij me Giorgia-n, sa harron se tigri, trashëgiminë politike të të cilit ajo ka trashëguar, quhej Benito Mussolini, njeriu që organizoi pushtimin e fundit të Shqipërisë.
Një trashëgimi sa e pakëndshme aq edhe e gjallë, që rishfaqet një ditë po e një ditë jo edhe në deklaratat e disa drejtuesve apo militantëve të saj, duke e detyruar Melonin të ndërhyjë vazhdimisht për të kufizuar dëmet.
Rama thotë se e djathta dhe e majta janë koncepte të vjetruara tashmë, por në Perëndim nuk duket të jetë kështu.
Boll të shohim përplasjet e dhunshme midis Joe Biden dhe Donald Trump në SHBA. Ndërsa në Evropë, Giorgia legjendare është në krye të koalicionit që bashkon të gjitha partitë e ekstremit të djathtë, që i kanë shpallur luftë qeverisë së Brukselit dhe po shqetësojnë gjumin e liderëve demokratë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të planifikuara në kalendar pas një viti.
Meloni është lider i një rreshtimi sovranist që shkon nga Franca në Gjermani, nga Hungaria në Poloni, nga Austria në Spanjë dhe kundërshton politikat për mirëpritjen e emigrantëve, ata kundër ngrohjes globale, ato për njohjen e të drejtave të homoseksualëve, të drejtën e grave për abort… dhe kështu në një betejë politike që dëshiron të rrëzojë parimet themelore të Bashkimit Evropian.
Por kryeministri shqiptar thotë se ai vetë i përket traditës politike të krahut të majtë të Clinton, Blair dhe Schroeder, rrugës së tretë.
Pikërisht…Blair është lideri që hapi një krizë brenda Partisë Laburiste që nuk ka përfunduar ende. Schroeder është ish-kancelari gjerman, i cili në fund të mandatit të tij shkoi të punonte për Putinin në Gazprom.
Por Edi duhet shfajësuar: ai është pre e një çmendurie dashurie dhe dashuria, siç e dimë, përmbys logjikën racionale të atyre që ndodhen brenda vorbullës së pasionit.
Joe Biden dhe von der Leyen do të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për një tradhti politike, por vetëm për një verbëri momentale që vjen nga pasioni i tij.
Siç ka thënë filozofi francez Blaise Pascal: “Zemra ka arsyet e saj, që arsyeja nuk i kupton”.
Dhe madje edhe mijëra emigrantë shqiptarë, të poshtëruar dhe të ofenduar prej vitesh nga teoritë ksenofobike të Vëllezërve të Italisë (që fituan zgjedhjet duke propozuar bllokimin detar të Mesdheut) do ta kuptojnë atë.
Dashuria e Edit me Giorgia-n është paksa misterioze dhe nuk duket se është e gjeneruar nga interesa konkrete politike.
Por a nuk është dashuria gjithmonë një fenomen i pashpjegueshëm?
Nga ana tjetër, vera është edhe stina e historive të dashurisë që përfundojnë në shtator.
Në sfond jam duke dëgjuar një këngë të vjetër të Franco Califano-s. “Një verë më parë, historia e ne të dyve ngjante paksa si një përrallë. Por vera shkon dhe merr edhe më të mirat e përrallave”.