Opinione / Teknologji

Ecja përpara e automjeteve autonome


Kara Swisher

Kompania Zoox, që është në pronësi të Amazon, ka krijuar automjetin e vet autonom. Por a jemi ne gati për makinat pa shofer?

Plani është ky. Të hënën, pronari i Amazon Zoox, do ta zbulojë një automjet elektrik autonom.

Kjo përpjekje ka pasur një fillim të vështirë për Zoox, në të njëjtën mënyrë si ka qenë për Google, General Motors, Uber dhe disa kompani kineze.

Ata kanë shpenzuar miliarda dollarë gjatë dekadës së fundit dhe i kanë kaluar të gjitha llojet e pengesave, duke përfshirë trazira në menaxhim, teknologji dhe aksidente tragjike.

Të gjitha këto në përpjekjen për të hequr shoferin nga sedilja e përparme.Zoox-i, i themeluar në vitin 2014, dikur u vlerësua me 3 miliardë dollarë për automjetet autonome. Amazon-i pagoi rreth 1.2 miliardë dollarë për kompaninë në fillim të këtij viti.

Si shumë pionierë, Zoox ka pasur pjesën e vet të sfidave, por progresi u ngadalësua shpejt kur goditi pandemia.

Shefja ekzekutive, Aicha Evans, dhe shefi i teknologjisë, Jesse Levinson, i cili është gjithashtu themelues i kompanisë, më thanë në një intervistë javën e kaluar, se kompania u detyrua të mbyllë përkohësisht të gjitha operacionet në vend për një kohë të caktuar.

Kompania kishte nevojë për kapital për të mbijetuar. Ai do të sigurohej ose nga investitorët e rinj ose nga shitjet.

“Ne patjetër që kemi menduar se mund të ishim të falimentuar”, deklaron zonja Evans, duke iu referuar goditjes nga pandemia.

“Por një krizë e tillë, mund t’ju fokusojë gjithashtu të kërkoni investitorë që kanë një mentalitet investimi afatgjatë. Kjo lloj teknologjie, kërkon pikërisht këtë gjë”.

Le të futemi në biznesin e tregtisë elektronike. 1.2 miliardë dollarë, të cilat Amazon i pagoi për kompaninë ambicioze të automjeteve, tani duket si një ujdi. “Me pak fjalë, ne duam që përfundimisht t’i lëvizim njerëzit nëpër qytet”, thotë Evans, e cila më parë ka mbajtur një post të lartë në kompaninë Intel.

Zoox-i, nuk është e vetmja kompani që ka ndërmarrë hapa përpara. Shumë të tjerë po shpresojnë të hyjnë në biznesin e taksive pa shofer. Disa prej tyre kanë qenë në avantazh muajt e fundit.

Kompania kineze Baidu, ka marrë leje për të provuar disa makina në rrugët e Pekinit të rënduara nga trafiku. General Motors po kryen gjithashtu disa prova në San Francisco.

Aurora, e drejtuar nga një ish-ekzekutiv autonom i Google, bleu Advanced Technologies Group të Uber për 4 miliardë dollarë (gjigandi i makinave po investon 400 milionë dollarë në të njëjtën kompani).

Këto përparime janë më interesante në kontekstin e pandemisë. Transporti publik, pra autobusët dhe metrotë, kanë parë rënie masive të përdorimit.

Investimet në Uber janë veçanërisht të rëndësishme, pasi ideja e ngjitjes në një makinë me një shofer Uber është bërë propozim shumë më i zbehtë. (Uber gjithashtu ka pasur disa probleme sigurie dhe pune, pasi u përball me kërkesa për të trajtuar shoferët si punëtorë tradicionalë, me kohë të plotë.)

Kur maskat, dritaret e hapura dhe masat e tjera të sigurisë janë të domosdoshme, ideja e një makine autonome private, në të cilën ju dhe familja juaj mund ta drejtoni vetëm, është bërë më tërheqëse.

Gjithmonë më ka pëlqyer ideja e automjeteve autonome, të paktën që kur Chris Urmson, ekzekutivi i Aurora-s, më tregoi për herë të parë mundësitë e robo-taksive, gjashtë vite më parë.Dukej si një makinë kloun duke lëvizur në një parking në selinë e Google Mountain View. Makina eci shumë ngadalë dhe u ndje si një udhëtim për fëmijë.

Megjithatë, Urmson ishte i vendosur. Ai qëndroi përpara automjetit në lëvizje ndërsa ne u drejtuam drejt tij për të treguar se ishte e sigurt për ta bërë atë.

Ashtu si shumë përpjekje të tjera për makina vetëdrejtuese, robo-taksitë e Zoox, nuk do të jenë ende gjerësisht të disponueshme për operacione tregtare, por do të vazhdojnë të testohen në rrugë private, duke filluar nga viti i ardhshëm në laboratorin e Akseleratorit Linear të Universitetit të Stanfordit.

Përdorimi i gjerë i publikut do të zgjasë shumë më shumë. Kjo më ka bërë të pyes veten: A është pjesë e lojës së Amazon-it, nxitimi i dërgesave autonome?“Amazon-i sheh fushën e mundësive, që është përtej kursimit të parave në logjistikë”, tha Z. Levinson.

Ai vuri në dukje se Zoox, ende operon në mënyrë të pavarur nën prindin e saj.Makinat që drejtojnë vetveten mbeten një nga sfidat më të vështira të teknologjisë përreth.

Përparimet kërkojnë jo vetëm hapa fizikë, por edhe mendorë. A jemi gati për këtë? Zonja Evans e kupton hezitimin. “Doja të ndërtoja diçka, në të cilën do të ndihesha e sigurt t’i vendosja dy fëmijët e mi”, tha ajo. “Kështu që, unë i kuptoj drejt shqetësimet”.


Lajmet kryesore