Opinione / Sport

E gjitha ishte një gënjeshtër


Jermaine Jenas

Derbi i veriut të Londrës të dielën ishte një ditë kur Tottenham-i i hapi derën çdo të keqeje.

Ashtu siç po shkonin gjërat për skuadrën e Mourinho-s javët e fundit, humbja përballë Arsenal-it është një hap i madh mbrapa, në shumë drejtime.

Gjithçka dukej mirë. Spurs-at shkuan në këtë ndeshje pas tre sukseseve radhazi në Premier League dhe disa fitoreve bindëse në Evropë.

Me mënyrën sesi filluan të luanin, isha i bindur që ky sezon “do të jetë i mrekullueshëm”.

Por tani, pas derbit të së dielës, mendoj që “jo, gjithçka ishte një gënjeshtër”.

Me sa duket, gjithë optimizmi im ishte i gabuar, duke qenë se ata ishin përballur me tri skuadra të kalibrit mesatar (Burnley-i, Fulham-i dhe Crystal Palace-i).

Në momentin që luajtën kundër një të forti, ata u kthyen te stili i mërzitshëm dhe jo efikas.

Ata edhe pse qëndronin thellë dhe u treguan të kujdesshëm, duke u kthyer pas, ky stil përsëri nuk i dërgoi askund londinezët.

Kjo do të ndodhë sërish, nëse Mourinho nuk kthen stilin sulmues.

Paraqitja e gjithë skuadrës ishte e dobët në çdo aspekt, me mendësinë e turpshme me të cilën luanin. Ata kërkonin që të humbisnin, shumë thjesht.

Aktivizimin e Kane-it, Son-it, Bale-s dhe Lucas Moura-s nuk e pashë të arsyeshme nëse synon të mbrohesh si “i çmendur”.

Ajo çka duhet në këto situata, është t’i tregosh skuadrës tjetër së kush është “shefi”.

Por, që në fillim të ndeshjes, mund të shihje Arsenal-in të bënte një, dy, tre pasime dhe pastaj mendonin “po, kjo qenka gjë e mirë”. Askush nuk i ndali ata.

Mund të ndalem dhe të them që Bale-Doherty është një krah i djathtë i dobët – dhe, po, ai është krahu ku Arsenal-i me shumë kënaqësi, ecte përpara.

Por, Bale nuk është në fushë për të mbrojtur, ai është aty që të avancojë përpara dhe t’i bëjë gjërat të mundura.

Kur Son-i u largua në minutën e 19-të për shkak lëndimi, Tottenham-i nuk kishte më sulmues që vraponin pas shpinës së mbrojtësve të Arsenal-it. Nuk kishte asnjë tentativë për t’i goditur ata.

E vetmja gjë e vlefshme gjatë gjithë ndeshjes ishte goli me stil “rabona” i Lamela-s. Ishte thjesht e mrekullueshme, u ngrita pupthi nga karrigia, edhe pse këmbët e mia qenë “të vdekura” (kisha ecur 100 km në Comic Relief këtë javë).

Por, goli erdhi nga askund dhe ata nuk shfrytëzuan mundësinë për të përfituar nga ai rast.

Ndonjëherë, kur arrin epërsinë papritmas, duhet të thuash: “mirë, tani duhet të luajmë më mirë”, por kjo nuk ndodhi dje.

Goli i barazimit nga Arsenal-i ishte një gol i tmerrshëm për ta pësuar. Mbrojtja e Doherty-t ishte shumë e dobët dhe Tierney e kaloi sikur të mos ekzistonte fare. Dhe, pas pasimit të tij, Odegaard ishte i pamarkuar, një gabim fëmijëror.

Hojbjerg nuk “gjendej” askund të dielën, por ai nuk ishte i vetmi.

Kane ishte shumë i heshtur, derisa Lamela u ndëshkua me të kuq. Pastaj sulmuesi u ringjall, por seriozisht nuk arrij ta kuptoj pse duhej kartoni i kuq që ne të luajmë siç duhet.

Mos më keqkuptoni, por mendoj që vendimet e mëdha ishin kundër Tottenham-it të dielën. Nuk ishte penallti për Lacazette-n dhe Lamela u ndëshkua shumë lehtë me të kuq.

Por, nuk ishin ato momentet që caktuan fatin e ndeshjes, Arsenal-i ishte ekip shumë më i mirë gjatë gjithë 90-minutëshit.

Mourinho shqetësohej më shumë për performancën e Arsenal-it, sesa skuadrës së tij. Ai nuk shkoi me mendje për ta fituar ndeshjen, por i frikësuar se çfarë do të ofronte kundërshtari.

Për të shtuar dhimbjen, Tottenham-i humbi Son-in për të paktën gjashtë javë.

Ata kanë humbur pak edhe nga Bale. Nëse unë do të isha si ai, do të nervozohesha shumë po të më zëvendësonin para minutës së 60-të në një derbi.

Mourinho mund ta ketë shkatërruar edhe marrëdhënien me të, ndër të tjera.


Lajmet kryesore