Opinione / Politikë

E djathta ekstreme e Evropës – mburojë e përçarësit Dodik


Hikmet Karçiç Hikmet Karçiç është një studiues i gjenocidit me bazë në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë. Ai është një studiues në Institutin për Traditën Islame të Boshnjakëve (IITB) në Sarajevë dhe një anëtar i lartë në Qendrën për Politika Globale (CGP) në Washington, D.C.

Ishte prill 1992.

Babai im nxitimthi rrëmbeu një çantë dhe aty vendosi diplomat e universitetit, të tijat dhe të nënës.

Kjo së bashku me dokumentet personale dhe albumet fotografike tipike.

Bazuar në historitë e familjes sonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai im e dinte se dokumentet personale dhe fotografitë ishin gjërat më të rëndësishme për t’u mbajtur të sigurta gjatë kohëve të pasigurisë.

Për çdo rast, le të ishin.

Më 1 mars të po atij viti, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës kishin votuar për pavarësinë nga Jugosllavia. Në atë kohë isha katër vjeç.

Së bashku me prindërit unë jetoja në një apartament në lagjen “Dobrinja”, i cili u ndërtua gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 1984 në Sarajevë.

Në atë kohë, Dobrinja ishte një lagje idilike. Një vend ku çifte të reja me prejardhje të ndryshme etnike jetonin krah për krah dhe rrisnin fëmijët e tyre.

Dobrinja ishte një shembull i përsosur i bashkëjetesës paqësore në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Kompleksi i ndërtuar në Dobrinja, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 1984 – të mbajtura në Sarajevë

Atmosfera në lagje filloi të ndryshojë, megjithatë, në vitet 1980, kur Slobodan Millosheviç, udhëheqësi i regjimit jugosllav dhe zëdhënësi i tij serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, vendosën ta copëtonin Bosnjën dhe Hercegovinën, në kurriz të dhjetëra mijërave myslimanëve boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës.

Lagjja ndodhej afër aeroportit.

Kjo do të thoshte shumë, pasi kishte një rëndësi strategjike për Ushtrinë Jugosllave, e cila pothuajse brenda natës ishte shndërruar në një forcë të fuqishme ushtarake serbe.

Të udhëhequr nga Karaxhiç, i cili që atëherë është dënuar për gjenocid, milicitë e armatosura të Partisë Demokratike Nacionaliste Serbe ngritën barrikada në të gjithë qytetin—njëra prej të cilave ndodhej në rrugën kryesore të Dobrinja-s.

Njerëzit filluan të kishin frikë nga njëri-tjetri dhe zgjodhën të qëndrojnë brenda.

Së shpejti, prindërit e mi e kuptuan se shumica e fqinjëve tanë serbë ishin larguar.

Ata i kishin zhvendosur familjet e tyre në fshatra ose në Serbi, duke thënë se do të shkonin për të vizituar një gjyshe të sëmurë ose për pushime.

Vetëm një nga kolegët e nënës sime e paralajmëroi atë që të blinte sa më shumë ushqim për tre fëmijët e saj të vegjël.

“Shumë gjëra do të ndryshojnë”, i tha ajo.

Dhe, nëna e dëgjoi.

E po fjalët e koleges ishin të vërteta. Të gjitha u kthyen mbrapsht.

13 nëntor 1994 –  grua boshnjake ecën pranë një barrikade të bërë nga autobusë dhe makina të dëmtuara nga plumbat – ndërsa kalon nëpër lagjen e vijës së parë të Dobrinja-s në Sarajevë

Tridhjetë vjet më vonë, Milorad Dodik, anëtari serb boshnjak i Presidencës trepalëshe të vendit, po bën thirrje për shkëputjen e entitetit serb, Republika Srpska.

Gjatë dekadës së fundit, Dodik është bërë gjerësisht i njohur për retorikën e tij anti-boshnjake, mohimin e gjenocidit dhe qëndrimin politik.

I mbështetur nga Serbia dhe me mbështetjen e Federatës Ruse, Dodik ka mundur të pozicionohet si një destabilizues kyç në rajon.

Përveç kësaj, ai ka kultivuar lidhje gjithnjë e më të ngushta me liderët e ekstremit të djathtë në Evropë.

Muajt ​​e fundit, retorika kërcënuese dhe urrejtëse e Dodik është intensifikuar, duke çuar në krizën më të keqe politike në vend që nga përfundimi i luftës.

Ai ka njoftuar së fundi se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga institucionet shtetërore dhe do të rindërtojnë Ushtrinë Serbe të Bosnjës – forcën ushtarake përgjegjëse për rrethimin e Sarajevës dhe gjenocidin në Srebrenicë, si dhe varrezat masive, qendrat e paraburgimit dhe kampet e përdhunimit që karakterizuan Luftën e Bosnjës.

Me këto kërcënime, Dodik e ka kaluar të ashtuquajturën, vija e kuqe.

Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës

Veprime të tilla mund të ndezin shpejt konfliktin në të gjithë rajonin, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin, që është ndërtuar me mundim gjatë 30 viteve të fundit.

Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, kryediplomati i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka paralajmëruar se vendi po përballet me “kërcënimin ekzistencial më të keq të periudhës së pasluftës”.

Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të frenuar kërcënimet e fundit separatiste serbe të Bosnjës.

Raporti i tij, i cili duhej të lexohej përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u hoq nga rendi i ditës nën presionin rus.

Me Bashkimin Evropian më të përçarë dhe të paaftë se kurrë, dhe Shtetet e Bashkuara të preokupuara me Kinën, Bosnja dhe Hercegovina ka zënë qoshen periferike.

Kohët e fundit një tjetër lider i ekstremit të djathtë, kryeministri hungarez, Victor Orban, filloi të ngjyente duart në krizë.

Orban njoftoi se Hungaria do të bllokojë çdo lëvizje të BE-së për të sanksionuar Dodik dhe deklaroi se do të japë 100 milionë euro ndihmë për entitetin serb të Bosnjës.

Arsyeja për këtë?

Përgjigjja qëndron në një fjalim të Orban në Budapest, të postuar në Twitter nga zëdhënësi i tij, Zoltán Kováç.

Kur u pyet për Bosnjën, Orban u përgjigj: Sfida me Bosnjën është se si të integrohet një vend me 2 milionë myslimanë.

Çuditërisht, Dodik ka lidhje të gjata me politikanë të tjerë evropianë të ekstremit të djathtë të njohur për armiqësinë e tyre ndaj myslimanëve, nga Partia e Lirisë së Austrisë deri te Marine Le Pen e Francës.

Disa nga përfaqësuesit e partisë së Le Pen morën pjesë në një ngjarje në kryeqytetin e Republikës Srpska, Banja Luka, për të përkujtuar 30-vjetorin nga themelimi i njësisë – në fakt, duke festuar rezultatin e spastrimit etnik dhe gjenocidit të serbëve të Bosnjës.

Me të ishin edhe ambasadori rus dhe zëvendësambasadori kinez.

Në një postim ironik, një nga zyrtarët francezë të së djathtës ekstreme deklaroi se po merrnin pjesë për të treguar përkushtimin e tyre ndaj “paqes” dhe “respektit për identitetet e popujve”.

Gazetari hebre amerikan, Peter Maass, i cili, si korrespondent për Washington Post, vizitoi kampet e përqendrimit të drejtuara nga serbët në Bosnje në vitin 1992, e përshkroi më vonë, situatën, në librin e tij “Love Thy Neighbor”.

“Tani jam më i vetëdijshëm për brishtësinë e marrëdhënieve njerëzore dhe më i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të jesh hebre. Këtë e mësova nga myslimanët e Bosnjës, të cilët bënë dy gabime fatale. Ata menduan se të qenit një grup pakicë nuk kishte më rëndësi në Evropën e qytetëruar dhe ata mendonin se bisha ishte zbutur”, shkruante ai.

Në këtë fotografi të 13 qershorit 1993, burra vrapojnë përtej urës në Dobrinja në Sarajevë. Periferia u izolua nga kryeqyteti për tre muaj nga forcat serbe të Bosnjës

Në fund, gjithçka zbret në formën më primitive të biopolitikës, apo esencializmit kulturor.

Identiteti mysliman i boshnjakëve, i cili mund të jetë po aq “i vërtetë” sa thjesht ngrënia e bakllavasë për Bajram – është një mesazh se ne nuk jemi të mirëpritur në idenë e Evropës së Dodik-ut dhe Orban-it.

Disa ditë më parë, unë dhe gruaja ime skanuam dokumentet tona personale dhe fotografitë e familjes dhe i ngarkuam në internet.

Kush e di se çfarë do të sjellë e nesërmja? Për çdo rast, le të jenë.

 


Lajmet kryesore