Opinione / Kulturë

Dy fjalë për “Ronelat anti-Eurovision”


Vitjon Nina Gazetar pranë Albanian Post prej janarit 2021

Ata që më ndjekin në media sociale dhe gjetkë, e dinë mirë se prej një jave (kohë prej kur e dëgjova për të parën herë këngën Stefania nga Kalush Orchestra) kam “lobuar” dhe simpatizuar Ukrainën për fitoren në Eurovision.

Dy shqetësime ishin të mijat: I pari se për shkak të luftës, kënga mund të paragjykohej dhe mund të penalizohej për fitoren, për shkak se do të jetë shumë e vështirë që një festival i tillë të mbahet në Ukrainë vitin e ardhshëm. I dyti, se për shkak të luftës në Ukrainë, kënga në rast fitoreje do të paragjykohej se është avantazhuar për empati për shkak të konfliktit.

Dhe kjo e dyta sigurisht ndodhi…

Zërat se festivali kontinental është politik nuk janë të rinj dhe vitet e fundit, kanë shoqëruar edhe vende të mëdha si Britania e Madhe, fjala bie.

Prej dy vjetësh, ata renditeshin të fundit. Prej 10 vjetësh, nuk futeshin në 10-shen më të mirë. E kush? Britania e Madhe!!! Një prej vendeve me prodhimtari muzikore më të larmishme e cilësore jo thjesht në Evropë, por në gjithë botën.

Mirëpo dje, këngëtari Sam Ryder me baladën e mrekullueshme Space Man, u rendit u dyti (i pari nëse do të përllogariteshin vetëm votat e jurisë).

Sot në Britani nuk po diskutohet se si vendi i tyre u rendit i dyti për shkak të një votimi që mund të hamendësohet si politik.

Sot në Britani, në industrinë muzikore e më gjerë në opinion mediatik e publik, po diskutohet se si kur përfaqësohesh me një këngë të mirë, shteti arrin doemos një rezultat të lartë, edhe kur ajo nuk është fitorja.

E njëjta gjë vlen edhe me Spanjën, që këtë vit u rendit lart, më në fund.

Pra, me pak fjalë, fuqitë e mëdha evropiane (të cilat edhe e sponsorizojnë më shumë se kushdo formatin Eurovision) po e kthejnë gishtin nga vetja për të parë se ku kanë çaluar më parë.

Problemin me një këngë shumë të zakonshme dhe jo të pëlqyer masivish, e pati Gjermania këtë vit, së bashku me Francën, duke u renditur në dy vendet e fundit të finales.

Po këtu çfarë ndodh?

Në Shqipëri është e çuditshme se si njerëzit, të cilët nuk arrijnë as ta çojnë vendin në finalen e madhe me përfaqësimin e tyre, lëshojnë llum mbi artin e të tjerëve dhe japin verdikte mbi rezultatet e festivalit më të madh muzikor kontinental.

Ronela Hajati (turp është ta përmendësh në emër e ta marrësh seriozisht në këtë rast), së bashku me gjinkallat e saj, Nikon dhe Arditin, njëri pseudo-stilist e tjetri pseudo-artist, moralizuan e ironizuan “qasjen politike” të Eurovision-it këtë vit.

Të njëjtët njerëz, të cilët për moto përfaqësimi të Shqipërisë, patën “toca loca” dhe lloje e soje të tjera (siç kanë pasur ndër vite).

Pyetini kolegët tuaj Rona Nishliu, Eugent Bushpepa apo Anjeza Shahini mbi përjetimin që patën në Eurovision. Apo renditja e tyre lart kur kanë përfaqësuar Shqipërinë, ka qenë po e ndikuar politikisht?

Është e vërtetë se në një kohë të tillë, të mos kesh empati për Ukrainën është e pamundur. Ta përjetosh diçka që lind nga disa djem të rinj në Ukrainë, të cilët përziejnë tingujt folk të fyellit të bariut me ritme të hip-hop-it dhe rap-it, krijon një sinergji shumë më të madhe sot se sa mund ta kishte krijuar një vit më parë.

Por fundja, publiku, si këngë të dytën më të votuar, pati atë të Moldavisë dhe nëse e dëgjoni me gjysmë vëmendje, do ta kuptoni se sa shumë ngjajnë dhe se sa sens bën gjithçka në fund të ditës.

Këngët nuk janë bërë për juritë. Aq më pak për Ronelat, Nikot dhe Arditët.

Ato janë bërë për publikun!

Dhe nëse publiku është dashuruar kaq shumë me një këngë si Stefania, nuk është faji i luftës, as i politikës, por i ndjesisë…

Ndaj, në vend që të villni vrer në mënyrë të padobishme, të kopjoni stilistë të huaj duke hequr dizajne sikur janë tuajat, të fshini postime sepse e kuptoni që e keni djallosur, merrni shembull se si një vend i Evropës Lindore arrin të përziejë traditën me modernen dhe ta sjellë atë shumë bukur dhe estetikisht në jetë.

Kështu e fitoni vëmendjen…ndoshta!


Lajmet kryesore